Romani “Ëndrra e erës”, një ujëvarë drite

Kultura June 29, 2017 - 09:50

  Il sogno del vento – Racconto di Madre Teresa. Romanzo. La traduzione Albana Alia & Fiorella de Rosa. Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2016.

Historia e veprës “Ëndrra e erës” është një histori simbol edhe pse të ngjashme do të mund të rrëfeheshin me mijëra: Nëna Terezë e ka lënë një “trashëgimi të dashurisë” të frytshme, ku gëzimi i madh tani do të provohet dhe “në varr” (siç do të thoshte Pascolo). Aq më tepër për besimtarët dhe për ata që i veshin asaj cilësi mbinatyrore tani provohet gëzimi i shenjtëreshës. Pra, në këtë histori të veçantë që e rrëfen Anton Nikë Berisha (më shumë një “histori e vërtetë” sesa “roman”), motra e vogël shqiptare e kishës shfaqet në gjithë madhështinë e saj: në këtë histori si shembull të jetës së saj njerëzore dhe të ndjesimit të saj hyjnor, vënien e saj në shërbim të të mjerëve, në një shtet, në Indi, ku ata janë harruar edhe më shumë nga të gjallët, Nëna Terezë lartësohet në majat e së mirës.

Nëse e mira, të bësh mirë, domethënë para së gjithash dashuri (përdëllim) për më të mjerët, në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke u zotuar vetë, duke ia kushtuar jetën të afërmit që ka nevojë, ajo mund të ketë emrin (që e ka merituar) mirëbërëse e njerëzimit. Anton Nikë Berisha me kohë jeton me Nënën Terezë: në veprimtarinë e vet letrare dhe studimore (në shqip dhe në përkthime në italisht) janë disa vepra që i kushtoi asaj.

Të shkruash në vetën e parë, të rrëfesh ose të këndosh himne Hyjit me zërin e Nënës Terezë, është një shenjë e fortë e njësimit shpirtëror, që Berisha s’ka frikë ta dëshmojë. Njëra nga provat më bindëse në krijimtarinë e tij letrare është në të vërtetë libri me këngë (ose me “pamje” të hirit hyjnor) i shkruar sikur ta kishte shkruar Nëna Tereze: “Ujëvarë drite në zemër” (Shih Anton Nikë Berisha, Cascata di luce nel cuore. Quattordici immagini sulla Grazia Divina di Agnes Gonxhe Bojaxhiu - Madre Teresa. Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2010. Shih botimet në shqip Ujëvarë drite në zemër. Katërmbëdhjetë pamje të hirit hyjnor të Agneze Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë. “Argeta – LMG”. Tiranë 2009. Botimi i dytë nga e njëjta shtëpi botuese 2010. Botimi i tretë – botimi gegnisht. Misioni Françeskan Tuz 2014).

Në romanin “Ëndrra e erës” (që jo rastësish shenjëzohet në nëntitull Rrëfim i Nënës Tereze) disa herë shfaqet shprehja “ujëvarë drite” ose vetëm fjala “ujëvarë”, ndoshta për të vendosur një kontakt, një linjë të vazhdimësisë (titulli  i një kreu është “Ujëvarë e dashurisë”).

Në rrafshin e shtjellimit të librit duhet veçuar dhe zgjedhja e citimeve në fillim të çdo kapitulli, parathënëse dhe përndritëse, dhe rrëfimi i gjetur në letrat e këmbyera midis Nënës Tereze dhe Manishës, të cilat letrat e njëra – tjetrës, i lexojnë në të njëjtën kohë, po secila në mënyrën e vet: është një lloj dialogu në distancë që, duke i dhuruar njëra – tjetrës, pasurohen  ndërsjella, përmbrendësojnë secila fenë e tjetrës.

Historia që rrëfehet këtu është në të vërtetë historia e vajzës së re, Manishës, një indiane e gërbulur që ka vendosur të bëjë vetëvrasje, e lodhur nga indiferenca e botës (njerëzve). Me një sforcim të veçantë psikologjik që rrënjëzohet në një bindje religjioze (përkundër ndryshimeve të besimit që do të mund ta vështirësonte dialogun), Nëna Tereze e bind Manishën të jetojë dhe e shpëton në ketë botë dhe në atë tjetrën.

Shkrimi i Berishës është i ngrohtë, pushtues – pikërisht një “ujëvarë dritë” – për t’u bërë një ftesë e fuqishme për atë që beson dhe për atë që do të donte të besonte, të vihen në çdo mënyrë në veprim, me të gjitha forcat, për të dëshmuar të mirën, atë të vërtetën, atë e cila bën të mundur që secili rreth nesh të ndihet mirë.