'Rrëfimi i një nate' nga Nexhib Mahfuz

Kultura June 27, 2017 - 08:46

Shkrimtari egjiptian, Nexhib Mahfuz, ndonëse jo shumë i lexuar në vendin tonë, është një ndër figurat më të shquara të botës arabe, madje është laureati i parë i çmimit Nobel, me ç’rast letërsia moderne arabe gëzoi njohjen ndërkombëtare falë krijimtarisë së këtij autori.

Nga korpusi i tij i gjerë, me më shumë se tridhjetë vepra të shkruara, në gjuhën shqipe kemi të përkthyera “Kuvlia pluskuese”, “Mbrëmje e bekuar”, “Tallja e fatit” “Nata e njëmijë e një netëve” si dhe së fundi “Rrëfimin e një nate”( ndonëse e shkruar më 1975, në gjuhën shqipe u përkthye vitin e kaluar).

“Zemra e natës”, titulli i veprës në gjuhën arabe, në gjuhën shqipe do të përkthehet si “Rrëfimi i një nate” , duke hyrë kështu në funksion paratekstual, me ç‘rast titulli kushtimisht bëhet shënjues i romanit. Duke u nisur nga kjo shenjë paratekstuale shohim që me ngjarjen e rrëfyer brenda një nate, vepra projekton fatin e personazhit kryesor Xhafer Er-Ravi prej filleve të fëmijërisë deri në moshën e pleqërisë, të treguara nga vetë goja e protagonistit, në një kafene në Kajro të vjetër.

Vija narrative e veprës ngjet në formë bashkëbisedimi, ku Xhaferi përvojat e tij jetësore i ndan me bashkëbiseduesin mjaft aktiv, njëkohësisht edhe narratorin e romanit, i cili ndërhyn  me pyetjet e komentet e tij duke e bërë mjaft intrigues rrëfimin. Takimi i Xhaferit me rrëfimtarin ngjet në moshën e tij të pleqërisë, pas tërë asaj periudhe jetësore, ndërsa e kaluara, pjesë e së cilës janë vetëm gërmadhat e bota shpirtërore e një individi, na jepet si dëshmi nga vetë personazhi kryesor i veprës. 

Historia e romanit jepet si komunikim i kohës së kaluar me të tashmen. Ky kryqëzim kohësh bëhet për të dhënë sa më fuqishëm dramën e protagonistit, pamjen e jetës dhe të bëmave, odisejadën e tij.

Si personazh epicentrik, rreth të cilit vërtitet e tërë rrjedha e romanit, Xhafer Er-Raviu na vjen si karakter mjaft kompleks dhe sfidues  për t’u analizuar. Me anën e një teknike të veçantë, Nexhib Mahfuz  brenda personazhit të tij ka arritur të mbjellë e të konfrontojë pikëpamje e prirje të ndryshme fetare, politike, sociale, të cilat do të bëhen jetike në vendimet e tij.

Kompleksiteti xhaferan vjen si pasojë e dymendësisë, pasigurisë, naivitetit, duke rënë kështu pre e pasionit, egos e pas një sërë vendimesh të këqija ai ka humbur gjithçka, familjen, pozitën e lartë shoqërore e pasurinë. 

Sfidat jetësore të personazhit fillojnë prej moshës gjashtë vjeçare për të mos u ndalur gjatë tërë jetës, madje as me përfundimin e romanit. Xhaferi paraqitet si mishërim i dy botëve, kulturave të ndryshme asaj të varfër dhe asaj të pasur.

I rritur pa baba, nën besëtytnitë e së ëmës, pas vdekjes  të së cilës detyrohet të jetojë me gjyshin e pasur dhe rigorozitetin e tij fetar. Këtu duket se fillon dysia si tipar qenësor në karakterin e Xhaferit, duke lënë vragë të pashlyeshme në psikologjinë dhe besimet e tij. Si i tillë, ambiguiteti fetar e shpie në dy skaje ekstreme, fillimisht besimin, devotshmërinë ndaj Zotit dhe në anën tjetër zbehjen sa për të mos thënë zhdukjen  ndaj një besimi të tillë.

“Ua kam zili atyre që jetojnë të lumtur dhe vdesin të kënaqur, duke mos njohur një Zot”( “Rrëfimi i një nate”, fq 116).

Dysia në jetën e Xhaferit shfaqet edhe në kontekstin erotik. Ashtu si i ati edhe Xhaferi dashurohet në një vajzë të varfër, për hirin e së cilës braktisë shtëpinë e gjyshit të kamur, me gjithë luksin e ofruar.

Këtu ndërpritet edhe jeta e tij si “njeri i Zotit” për t’u kthyer në jetën e kënaqësive shqisore, sidomos pas ndarjes me gruan e parë, Mervanen. Pas dështimit të kësaj dashurie, e cila projektohet si aferë pasionante që zbehet me kalimin e kohës, dashuria apo bota femërore shfaqen prapë në zemrën e Xhaferit, tani në moshë më të pjekur. Bashkë me dashurinë që së shpejti do të largohet vjen edhe një epokë e re në personazhin e Xhaferit, ajo e arsimimit si jurist dhe pikëtakimi i tij me politikën.

Pas inkuadrimit me botën politike, me pikëpamjet antikomuniste, Xhaferi aksidentalisht apo qëllimshëm do të shndërrohet në vrasës, vret shokun e gruas Sead Kebirin.

“Tragjedia ndodhi ndërsa isha duke u përgatitur për të formuar partinë time politike- u përgjigj ai.” ( Faqe 139). Parti e cila nuk u formua kurrë, misionari futet në burg duke lënë misionin e papërfunduar. Tanimë pas tërë asaj kohe të kaluar, pas tërë atyre peripecive jetësore, Xhaferi sheh te vetja veti jo të zakonshme për njerëzit.

Ai aludon në ngjasimin hipotetik me figurën e profetit dhe misionin e tij, sepse ashtu si profeti edhe Xhaferi në këtë botë erdhi me një mision dhe program politik për të sjellë drejtësinë sociale në popullin e tij. Këtu edhe përmbyllet romani i Nexhib Mahfuz-it, por jo edhe drama e Xhaferit, duke i mbetur  lexuesit të afishojë idetë mbi fundin e tij.

“Rrëfimi i një nate” mbetet jo vepër përfaqësuese e nobelistit arab, por përfaqësim modest, me rrëfime e ngjarje interesante, ndonëse mjaft të ngjeshura për t’u treguar brenda një afati aq të shkurtër kohor, brenda një nate.