'PriFest' sjell shtatë premiera botërore dhe plot mysafirë

Kultura June 23, 2017 - 13:45

Data 13 korrik është rrethuar në kalendarin kulturor të vendit për hapjen e Festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, “PriFest”. Në një intervistë për “Zërin” drejtoresha e festivalit, Vjosa Berisha, pak ditë para hapjes shpalos risitë e këtij viti.

Për dallim nga vitet e kaluara sivjet “PriFest”-in e zhvendosët në verë, përkatësisht nga prilli në korrik; si po shkojnë përgatitjet kur ka mbetur edhe pak kohë deri në hapje?

Organizimi i “PriFest”-it është një proces sfidues po aq sa i kënaqshëm. Pavarësisht se ka gjithmonë të papritura mendoj gjatë këtij viti kemi arritur të jemi shumë përpara me realizimin e etapave dhe jemi gati për ta çelur edicionin e 9-të.

I gëzohemi faktit që Festivali sivjet kthehet në shtëpinë e tij, aty ku edhe ka filluar, në Teatrin Kombëtar. Por nuk i kemi lënë anash as hapësirat tjera, të cilat janë: Kinemaja “ABC”, sheshi “Zahir Pajaziti” – kinema e hapur dhe Amfiteatri i Muzeut Kombëtar, po ashtu kinema në qiellin e hapur.

Duke e marrë parasysh rëndësinë që festivali i kushton promovimit të filmit tek shoqëria kosovare, kemi vendosur që këtë vit të bëjmë diçka më interesante duke organizuar hapje zyrtare të festivalit në dy hapësira, tek Teatri Kombëtar dhe tek Kinemaja e Hapur – Sheshi “Zahir Pajaziti”, kjo me qëllim që festivali të jetë i hapur për një audiencë të gjerë. Sigurisht tek Kinemaja e Hapur festivali do të hapet gjysëm ore më vonë, ku do të ndodh e njejta ceremoni si në Teatër Kombëtar, por e ëndësishme është që e njejta ceremoni, i njejti film do të shfaqet për tërë Prishtinën.

Sa u përket programeve, jemi në finalizim e sipër të tyre. Jemi shumë të lumtur që Festivali vit pas viti po rritet, po zgjon interesim si tek audienca ashtu edhe tek industria e filmit nëpër botë, gjë që tregon se kemi vendosur themelin e një Festivali kredibël, me karakter ndërkombëtar.

Çka e karakterizon sivjet programin e filmave?

Programi i këtij viti karakterizohet me filma të cilët trajtojnë tema sociale dhe artistike, por edhe me shumë premiera. “PriFest” sivjet sjell mbi 80 filma në programe të ndryshme. Do t’i kemi 7 premiera botërore, pastaj 3 premiera ndërkombëtare, 3 premiera evropiane, 22 premiera regjionale, kurse të tjerat janë premiera kosovare.

Si çdo vit edhe kësaj radhe “PriFest” prezanton një seri programesh e bursash, duke përfshirë këtu “Green Film Project”, ndarjen e bursave për studentët e regjisë, etj. Na tregoni si po shkojnë këto programe dhe sa ka interesim për to?

Sivjet është viti i dytë që po e organizojmë “Green Film Project”, pasi që është dëshmuar se nëpërmjet këtij projekti të rinjve të Kosovës po u hapen shumë dyer. Kjo na ka shtyrë që ta vazhdojmë bashkëpunimin me “Bechtel Enka”, si përkrahës i kësaj iniciative, me qëllim që t’u hapim rrugë edhe shumë filmbërësve tjerë. 

Sa u përket bursave, ne angazhohemi të krijojmë bashkëpunime të ndryshme, nëpërmjet të cilave investojmë në industrinë e filmit. Këtë vit për herë të parë kemi lidhur bashkëpunim me Akademinë e Filmit në Sarajevë. Festivali ofron dy bursa studimi për studentët kosovarë, ku fituesit do të lajmërohen shumë shpejt.  Festivali do ta vazhdojë traditën e përkrahjes së studentëve dhe të moshuarve, mbi 65 vjeç, me hyrje falas.

Çka e dallon këtë edicion të “PriFest”-it nga edicionet e kaluara?

Duket se ne si Festival i kemi mësuar keq mediet që çdo vit presin risi, presin diçka speciale, (qesh) por megjithëkëtë ndihemi krenarë që kemi vendosur një standard të tillë në skenën e festivaleve kosovare. Patjetër që ka shumë gjëra që e dallojnë këtë edicion nga edicionet e kaluara. Do të doja të filloja me programet e filmave, ku sivjet kemi futur në garë filmat dokumentarë, programin PRIDOC, pra do ta ndajmë një çmim për këtë program. Po ashtu “PriFest” organizon programin “Focus”, si dhe mbrëmjet që i dedikohen kinematografisë së shteteve specifike. Këtë vit në programin “Focus” e kemi Turqinë.

Ndërsa në “Priforum”, ku ndodhin shumë aktivitete të fokusuara në trajnime, takime me ekspertë të fushës, workshope, masterclass, etj. Këtë vit do ta fillojmë bashkëpunimin me shtete specifike, për të cilën përsëri do të jetë Turqia si shtet partner. Jemi shumë të lumtur që pas një takimi që zyrtarët e Qendrës Kinematografike dhe Ministrisë së Kulturës nga Kosova ishin në një vizitë në Turqi dhe në bashkëpunim me drejtorin e QKK-së, Arben Zharku, jemi dakorduar që vizita e radhës të ndodhë gjatë Festivalit.

“PriFest” këtë vit ka shtuar edhe programe të reja, siç është programi “In Albanian”, ku ne do ta bëjmë përzgjedhjen e një numri të filmave nga kinemaja shqipfolëse, të cilët shfaqen jashtë konkurrencës zyrtare. Këtu publiku do ta ketë rastin t’i shohë edhe filmat e suksesshëm që janë subvencionuar nga QKK-ja e nuk kanë pasur rast të shfaqen në “PriFest” kur janë lansuar, siç janë filmat: “Babai”, “Tri dritare e një varje”, etj. Do të organizojmë edhe dy parti shumë të mëdha në amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë, me datat 14 dhe 15 korrik. Nuk do t’i lëmë anash as debatet që organizohen për çdo vit, organizimin e “Prishtina KinoKabare”, në të cilën marrin pjesë filmbërës nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

Cila është vështirësia më e madhe e organizimit të këtij edicioni?

Vështirësi dhe sfidë e madhe vazhdon të jetë sigurimi i mjeteve financiare. Ne jemi shumë falënderues gjithmonë që banka më e madhe në vend, “Raiffeisen Bank”, ka besuar në ne që nga fillimi dhe vazhdon të jetë sponsori gjeneral i festivalit, duke e bërë të mundur realizimin e kësaj ngjarjeje të madhe, sepse ata e dinë rëndësinë që ka “PriFest” dhe çdo vit kanë vazhduar ta rrisin përkrahjen në proporcion me rritjen e Festivalit, gjë që fatkeqësisht nuk ndodh me asnjërin nga institucionet e vendit, të cilat nuk i kushtojnë fare rëndësi kulturës.

Është paralajmëruar tashmë se Paul Haggis, fitues i dy çmimeve “Oscar”, do të jetë mysafir i “PriFest”-it; si erdhi deri te ky bashkëpunim edhe krahas tij na zbuloni ndonjë mysafir tjetër që do të jetë sivjet në “PriFest”.

Paul Haggis na ka gëzuar pa masë që do të jetë prezent në pjesën e dytë të Festivalit dhe do të nderohet me çmimin “Hyjnesha e Artë” nga “PriFest”. Do të ketë shumë aktivitete që do t’i zhvillojë në Festival, të cilat do t’i shpalosim më vonë. Kemi shumë mysafirë që do të vinë, personalitete të njohura që do të jenë pjesë e jurisë së Festivalit dhe sigurisht këto informacione do t’i ndajmë me ju në ditët në vazhdim.