Festa e Muzikës po krijon traditë edhe tek ne

Kultura June 22, 2017 - 09:00

Tash e disa vite Kosova është në grupin e shteteve që shënojnë Festën e Muzikës. Të mërkurën  Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë, festoi pasurinë dhe diversitetin e praktikave muzikore, amatore dhe profesionale.

Njëmbëdhjetë grupe muzikore pasuan njëri- tjetrin në skenë nga ora 17:00 deri në orën 23:30, në një skenë të madhe të ngritur në amfiteatrin “Zahir Pajaziti”.

Aty u dëgjuan tingujt e muzikantëve të rinj, amatorë dhe profesionistë. Muzikës të parët në sheshin e Prishtinës ia filluan nxënësit e shkollës “Amadeus”, për të vazhduar pastaj pianistët e rinj, Dorina Gashi dhe Arian Zherka nga Chopin Piano Fest, Shoqata e Rapsodëve “Hivzi Sylejmani”, grupi “Xixëllonjat”, kori “Lira” dhe kori dhe orkestra “Nexhmije Pagarusha”.

Në mbrëmje në skenë u ngjitën Bendi “Ege” e “Prishtina Brass”. Në Festën e Muzikës pati gjithashtu edhe muzikë barokiene.

Mbrëmja u mbyll me muzikë xhaz. Saksofonisti Ivan Ivanov, kitaristi Visar Kuçi, Ilir Bajri në tastierë dhe Oliver Josifovski në kontrabas, me tingujt e tyre përfunduan kështu Festën e Muzikës.

Por për gazetën “Zëri”, profesoresha e muzikës në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Besa Luzha, thotë se edhe kjo ditë po i gjen muzikantët e Kosovës pa përkrahje, pa buxhet të mirëfilltë e mbi të gjitha, pa shtëpinë e tyre, pa një objekt që i plotëson kushtet infrastrukturore për mbajtjen e koncerteve e shfaqjeve të mëdha.

“Muzikantët në Kosovë edhe kjo ditë, kushtuar muzikës, i gjen pa shtëpinë e tyre, ku mund të performojnë, pa përkrahje të duhur dhe zakonisht me buxhet shumë të limituar, ndonëse me shumë talent e potencial artistik. Shihni talentet tanë sapo dalin në ambiente të tjera, ku përkrahja është e vazhdueshme dhe e qëndrueshme shpërthejnë dhe arrijnë majat e sukseseve”, thotë Luzha.

Në anën tjetër, edhe muzikanti Ilir Bajri e konsideron të pamjaftueshme punën që institucionet vendore bëjnë për muzikantët e rinj.

Sipas tij, është për të ardhur keq që aktivitete të tilla, si shënimi i Festës së Muzikës, iniciohen nga ambasadat e organizatat e huaja, e në anën tjetër këto vendore kyçen vetëm si partner.

“Në një aspekt festimi i ditës së muzikës në Kosovë merr ngjyra ironike duke e marrë parasysh faktin që rëndom kjo ditë inicohet e organizohet nga ambasada e organizata ndërkombëtare, përderisa këto tonat kyçen në moment të fundit si partnere dhe për faktin që mendohet se me organizime të tilla mund të ndikohet mjaftueshëm në stimulimin e zhvillimit muzikor e kulturor. Sistemi i edukimit muzikor është në krizë të thellë dhe në gjendje kromatike. Qytetet nuk ofrojnë as më të voglat kushte e mundësi për zhvillim kulturor e artistik - e sidomos për rininë nuk ka as edhe një hapësirë, përderisa mediat e kompanitë mediale pa pikë kujdesi e agresivisht mjelin talentin e ri e për të vetmen arsye – profitin”, thotë Bajri.

Ai tutje thekson, se përkundër kësaj, ka shpresë për talentet muzikorë që janë të interesuar ta avancojnë vetën e tyre si artist.

“Fatmirësisht ka dritë në tunelin e errët - rinia e talentuar dhe kreative, tani e pajisur me fuqinë e internetit dhe informimit të menjëhershëm, tregon simptomë të vetkëndelljes dhe vetorganizimit. Klubet, Hackerspace, punëtoritë e shoqatat kanë filluar të mbijnë dhe programet e aktivitetet e tyre janë atraktive, te organizuara dhe të menduara mirë e me kujdes, e këto e tërheqin dhe grupojnë talentin e intelektin e ri - e ky është vetëm fillimi! Për mua, festimi i ditës ndërkombëtare të muzikës është vetëm një akt simbolik, me të cilin në projektojmë orientimet e interesimet tona kulturore e diplomatike, dëshirat pra! Por dëshirat mbeten vetëm dëshira të zbrazëta nëse nuk përcillen nga vizioni, bashkëpunimi e puna e sinqertë! Gëzuar pra!”, përfundon kështu Bajri.

Festa e Muzikës, që kremtohet në mbarë botën që nga viti 1981 është një ngjarje e shoqërimit dhe shkëmbimit. Organizuar në Kosovë që nga fillimi i viteve 2000, Festa e Muzikës është duke u shndërruar edhe këtu në një traditë të dashur e të mirëpritur nga publiku i Kosovës. /ZËRI/