Pak kulturë në 'Ditët e Kulturës' në Ferizaj

Kultura June 21, 2017 - 09:49

“Ditët e Kulturës” tashmë janë bërë një manifestim tradicional kulturor në komunën e Ferizajt. Meqë këto ditë mbahen në shenjë të Ditës së Çlirimit, përkatësisht 12 qershorit të vitit 1999, edhe fillojnë këtë ditë me manifestime të ndryshme kulturore, të cilat kryesisht lidhen me nderimin e dëshmorëve.

Ndër aktivitetet e shumta, të organizuara brenda këtyre ditëve, vlen të veçohen disa nga to që në një mënyrë edhe arsyetuan mbajtjen e tyre, ndërsa ishin shkas për aktivizimin e subjekteve kulturore në këtë komunë.

Organizimi i një ekspozite kolektive nga shoqata e artistëve figurativë “Zef Kolombi”, të Ferizajt, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të kësaj shoqate, ishte një ngjarje e njëmendët kulturore për këtë qytet. Në të u prezantuan artistë të moshave të ndryshme, madje duke nisur nga themeluesit e shoqatës në vitin 1970, siç ishin Sheqer Shllaku dhe Habib Musliu.

Një manifestim tjetër i rëndësishëm ishte edhe promovimi i librit “Struktura e tregimit modern shqiptar”, i autores Selvije Rexhepi, ku për librin folën studiuesi i letërsisë, Arsim Hamiti dhe krijuesi, Adil Olluri, të cilët librin në fjalë e vlerësuan si të dobishëm për faktin se trajton tregimin e krijuar që nga vitet ’60-a e deri në vitin 2013, ku përfshihen autorët më të rëndësishëm që krijojnë tregimin në Kosovë.

Interesant ishte edhe promovimi i librit “Fillet e rock-ut në Ferizaj”, i autorit, përkatësisht rokerit, Fadil Gjini, nga grupi “Rock Gjinis”. Si shenjë e fillimit të roc-kut në Ferizaj dhe si emblemë e tij paraqitet kitaristi i njohur në përmasa përtej hapësirave shqiptare, Shefqet Hoxha, i njohur si Sheki, i cili pasohet nga grupi “Tonic”, “Trix” dhe “Rock Gjinis”. Libri është një përpjekje modeste për ta definuar dhe analizuar rock-un si frymë dhe si lëvizje, sikundër edhe si reflektim në zhvillimin e gjithëmbarshëm të kulturës në Ferizaj.

Një mbrëmje të këndshme në teatrin e qytetit “Adriana” ofruan edhe artistët: Astrit Mustafa, në klarinet dhe Nita Grubi, në piano. Në koncertin e tyre recital ata interpretuan gjashtë pika nga kompozitorë të njohur botërorë, në mesin e të cilëve gjendeshin edhe veprat e kompozitorit shqiptar, tashmë të njohur edhe përtej vendit, Thoma Simaku. Sigurisht që veprat e Simakut u pritën me një simpati të veçantë.

Manifestimi tetëditësh i ditëve të kulturës në Ferizaj u përmbyll me orën letrare “Ora e Astritit”, orë kjo e organizuar në kuadër të një konkursi letrar me karakter gjithëkombëtar, ku punimet e tyre i lexuan 26 autorët e përzgjedhur nga konkursi, ku kishin konkurruar 52 krijues nga hapësira të ndryshme të vendit tonë, përkatësisht nga Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Kosova. Juria profesionale në përbërjen e Ramadan Muslut, poet dhe kritik letrar, Zyrafete Shala, studiuese e letërsisë dhe Bardh Frangu, shkrimtar dhe publicist, kishte vendosur që çmimet të ndahen për këta poetë: Xhevat Latifi shpërblehet me vendin e parë, Petrit Nika me vendin e dytë dhe Zejnepe Rxhepi me vendin e tretë. Doruntina Aliu merr çmimin “Pena e re”, si krijuesja me e re që kishte konkurruar në këtë konkurs. Nga poezitë më të mira të konkursit klubi letrar “De Rada” i qytetit, si organizator i konkursit ka përzgjedhur 26 poezitë më të mira dhe i ka botuar në formë panorame, si dëshmi të vlerave konkurruese.