Don Kishoti bashkëkohorë në TKK

Kultura June 20, 2017 - 08:47

Mbrëmjen e se hënës në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës u dha premierë shfaqja “Aventurat e reja të Don Kishotit”.

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës regjisori Dino Mustafiç solli kalorësin romantik të letërsisë botërore, Don Kishotin, në versionin e aktivistit bashkëkohor për të drejtat e njeriut.

Kjo shfaqje për autor ka Tariq Ali, i cili është një nga filozofët më të njohur sot, autor i disa librave për filozofinë, njihet edhe si një aktivist jo vetëm i të drejtave të njeriut, por edhe kundër forcave që dominojnë konfliktet ushtarake sot në botë.

LEXO EDHE: “Shota” hapë konkurs për këngë dhe shfaqje koreografike

“Është një lloj loje sikur Don Kishoti i dikurshëm i shikon luftërat e sotme, por nuk kanë ndryshuar shumë gjëra që nga mesjeta, nga koha e tij. Por ai zbulon kapitalizmin e ri liberal, i cili ka gjetur një masë të re për një fashizëm të ri. Gjithashtu ai zbulon dashurinë si një vlerë e cila ka humbur në këtë realitet dhe ai shikon sot me dëshpërim se sa luftëra ka sot në realitetin tonë, pa qëllim, pa arsye, vetëm për qëllime imperaliste, për të marrë resurset natyrore të atyre vendeve dhe ai zbulon keqkuptimet ndërmjet lindjes dhe perëndimit dhe sa shumë stereotipe kemi ne për njëri -tjetrin”, ka thënë regjisori Mustafiç për shfaqjen, duke folur për KultPlus.

Më rolet e tyre në këtë shfaqje paraqitën aktorët Shkelzen Veseli, Armend Smajli, Blin Sylejmani, Ard Islami, Ylber Bardhi, Gresa Pallaska, Adrian Morina, Dukagjin Podrimaj, Semira Latifi, Kumrije Hoxha, Shengyl Ismajli, Fatlume Bunjaku, Molikë Maxhuni dhe Sheqerie Buqaj.

Skenografia e kësaj shfaqje është përgatitur nga Dragutin Broz, ndërsa kostumografia nga Albulena Borovci. Për muzikën është kujdesur Ilir Bajri, kurse dramaturge e shfaqjes është Zeljka Udovcic Plestina. Koreografia ishte përgjegjësi e Gjergj Prevazit, ndërsa asistent regjie ishte Erson Zymberi.

Shfaqja do të reprizohet edhe sonte (të martën), më 20 qershor në ora 21:00.