“Shota” hapë konkurs për këngë dhe shfaqje koreografike

Kultura June 20, 2017 - 08:41

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, ka hapur një konkurs publik për këngë dhe shfaqje koreografike.

Përmes këtij konkursi, Ansambli “Shota” ka për qëllim t’i mbështesë projektet dhe idetë me karakter tradicional, përmes të cilave do të promovohen vlerat kulturore, të cilat kanë për qëllim evidentimin e talenteve të rinj me ide të veçanta kreative, inovative, të cilat në formën, përmbajtjen, frymën dhe mënyrën e realizimit të tyre paraqesin risi për ambientin e tyre krijues.

Kritikë, të cilat me formën dhe përmbajtjen e tyre nxisin debat dhe diversitet artistik, praktik, përmes të cilave do të evidentoheshin dhe formësoheshin kapacitete krijuese profesionale, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në kuadër të këtij konkursi, me projekt-idetë e tyre kreative mund të konkurrojnë të gjithë të interesuarit nga të gjitha trevat shqiptare.

Ky konkurs kushtëzon që kënga popullore të jetë origjinale, e pa publikuar më parë.

Kënga duhet të jetë e kompozuar në frymën e melosit popullor dhe autokton, teksti i këngës duhet t'i plotësojë kriteret artistike dhe mos të përmbajë ofendime racore dhe fetare, kënga duhet të përshkruhet me nota dhe demo- incizim.

Kurse sa i përket kritereve për shfaqjen koreografike ato duhet të jenë tematike, preferohet të jetë e bazuar në motivet e pajtimit të gjaqeve (aksioni i madh i viteve ‘90), por nuk përjashtohen as tema dhe ide të tjera.

Materiali duhet të jetë i papublikuar më parë, materiali duhet të jetë i shkruar në origjinal, kurse kohëzgjatja e shfaqjes të jetë 35-50min. Udhëheqësit e “Shotës” kërkojnë që shfaqja të ketë tri tablo, të cilat duhet të funksionojnë si shfaqje në vete apo mini- formate.

Aplikuesit duhet ta dorëzojnë libretin në maksimum 5 faqe të shtypura dhe një platformë të shkurtër regjisoriale me maksimum 15 faqe të shtypura. 

Tekstet dhe materialet duhet të dorëzohen në dy kopje, në zarf të mbyllur, vetëm me shifër, pa emër e mbiemër, pasi që AKKV “Shota” nuk kthen dokumentacionin e aplikimit.

Afati për dorëzimin e projekteve fillon nga data e publikimit dhe zgjatë deri më 31.08.2017. Aplikacionet mund të dorëzohen në lokalet e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, shkruan tutje "Zëri".

Që nga viti 1948, si njëri ndër institucionet e para artistike dhe kulturore në Kosovë, Ansambli “Shota” ishte institucioni i ynë kulturor më përfaqësues në botë dhe edhe sot është i denjë për të qenë konkurrent me ansamblet më të njohura botërore.

Për pesëmbëdhjetë vjet me radhë ky Ansambël ka funksionuar si shoqëri amatore dhe më pastaj si ansambël gjysmë-profesional.

Ndërsa në mars të vitit 1964 me vendim të Kuvendit të Kosovës “Shota” e fiton statusin e ansamblit profesionist sikurse edhe tri ansamblet tjera në Jugosllavi: “Llado” – Zagreb, “Kollo” – Beograd dhe “Tanec” – Shkup.

“Shota” luajti një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e këngës dhe valles shqiptare si dhe me afrimin e vlerave të mirëfillta kulturore kombëtare, siç është origjinaliteti i kostumeve, meloditë autentike dhe vallet e veçanta ekzotike me të cilat ky ansambël është prezantuar në më se 50 shtete të ndryshme të botës dhe në të gjitha kontinentet.

Ky ansambël po vazhdon me sukses ta hulumtojë trashëgiminë tonë folklorike, ta ruajë, ta përpunojë artistikisht dhe ta prezantojë atë në pothuajse çdo ngjarje të rëndësishme kombëtare dhe në më shumë se 50 shtete të ndryshme të botës në të gjitha kontinentet.

Ata që e mbajnë mend  “Shotën” qe një kohë të gjatë e din se ky ansambël  gjithmonë ka pasur dinamikë të festivaleve jashtë vendit, ku ka përfaqësuar vallen e folklorin shqiptar, por për shkak të rrethanave të pasluftës dhe problemeve me viza kjo dinamikë vërehet qartë se ka rënë.

Ky ansambël e shënoi 50-vjetorin e funksionimit me një gala koncert në vitin 2014.

Së fundi “Shota” shënoi Ditën Botërore të Monumenteve dhe Lokaliteteve me ekspozitë, paradë dhe koncert në sheshet e Prishtinës.

Por në anën tjetër, anëtarët e “Shotës” edhe protestuan Ditën e Punëtorëve, për 1 Maj. 

Me fjalim, pankarta dhe valle, ata kërkuan rregullimin me ligj të statusit të artistëve, sigurime shëndetësore dhe plotësimin e disa kushteve të tjera. Edhe për Ansamblin “Shota”, si për shumicën e institucioneve të tjera të kulturës, mungesa e buxhetit del të jetë një nga sfidat kryesore. /ZËRI/