Monografi për Shkollën Normale 'Skënderbeu'

Kultura June 19, 2017 - 09:00

Tre autorët: Shefik Haliti, Ilmi Rexhepi dhe Adem Ademi, pedagogë të arsimit në pension, botuan monografinë me titull “Shkolla Normale “Skënderbeu” e Gjilanit (1959-1974). Një monografi e cila i ka munguar kaherë kësaj vatre të çmuar të diturisë në këtë anë të Anamoravës.

Monografia në fjalë i kushtohet kryesisht ish-Shkollës Normale të Gjilanit, e cila shkollë ishte njëra nga vatrat e rëndësishme arsimore në këtë komunë. Andaj, siç shtojnë  autorët, për atë kohë, ajo (shkolla Normale) ishte imperativ dhe nevojë e kohës për faktin se kërkohej që të bëhen përpjekjet për hapjen e një shkolle profesionale, ekskluzivisht për arsimimin e shkollimit fillor. Andaj, si  shtohet në fillim të parathënies së kësaj monografie, Kuvendi Komunal i Gjilanit, pas analizave të ndryshme e të shumta, madje edhe të hollësishme të gjendjes  së asaj kohe të kësaj sfere të dijes, vendosi që ta hapë Shkollën Normale, një vatër shumë të kërkuar të arsimit, me të vetmin qëllim që t’i përmbushë nevojat kadrovike në shkollat fillore të kësaj komune.

Pra, data e fillimit të punës së kësaj shkolle profesionale ishte 1 shtator e vitit 1961, ku themelues  i shkollës Normale ishte Këshilli Popullor i Komunës së Gjilanit. Me hapjen e kësaj fidanishte  të arsimit sikur ndryshoi koha dhe u shtua numri i mësuesve me përgatitje përkatëse profesionale. Nga kjo vatër e diturisë dolën me qindra e mijëra mësues, të cilët, për atë kohë e më vonë, ishin kuadro profesionale jo vetëm në Komunën e Gjilanit, por edhe në komunat  tjera, si: Dardanë, Viti, Ferizaj, Kaçanik, Bujanoc, Preshevë, Metvgjë etj. Pra, nga ish- Shkolla Normale “Skënderbeu” e Gjilanit, dolën shumë figura të shumta të shkencës, të arsimit dhe të kulturës, të cilët, më vonë , këta u bën rreze drite për kauzën mbarë kombëtare shqiptare.

Autorët ë kësaj monografie nuk kanë hezituar të shtojnë edhe ndonjë shënim për rrugëtimin e gjatë të shkollës normale. Me aforizmën që i preferohet popullit: “Sa ka nevojë për shtet, për bukë e ujë, populli po aq ka nevojë për mësues” (Ruso). Prandaj, pason shënimi i autorëve të monografisë, duke bërë fjalë për Shkollën Normale të Elbasanit, e themeluar në vitin 1909, drejtor i së cilës ishte Luigj Gurakuqi, një figurë e ndritur e kombit shqiptar. Bën fjalë për ministrin e arsimit, Ernes Koliqin, i cili, në vitin 1941-42, kishte dërguar në Kosovë mbi 200 muësues për përhapjen e dritës e diturisë nëpër shkollat fillore të Kosovës. Më vonë shohim se shkolla Normale hapen në Gjakovë (1946-53), Prishtinë (1953-1974), Prizren, Pejë, Vushtrri, Ferizaj e Gjilan.

Në monografinë në fjalë të tre autorëve gjilanas shkruhet edhe për emërtimin e shkollës Normale me emrin “Skënderbeu”, mandej, siç thuhet nga autorët, “për shkak të ruajtjes së kontinuitetit (Shkolla Normale, shndërrohet në Shkollë të Lartë, më vonë shndërrohet në Fakulteti i Edukimit dhe Universitet). Në monografi flitet për kushtet nëpër të cilat punoi Shkolla Normale e Gjilanit, aktivitetet e saja jashtëmësimore në Shkollën Normale, mësimi praktik e të tjera. Po ashtu, në këtë monografi flitet për drejtorët  e shkollës në fjalë, biografitë e tyre, etj. Në fund të kësaj monografie janë 26 fotografi autentike të kësaj kohe të mësimdhënësve dhe të shkollarëve të saj.