'Valsi i lumturisë', shpresë për të ardhmen e ndritshme

Kultura June 19, 2017 - 08:58

Këtë javë në rubrikën javore të gazetës “Zëri” të titulluar “Rrëfej përmes muzikës” ju prezantojmë muzikanten nga Prishtina, Besa Morina. Këngëtarja dhe mësimdhënësja Morina na sjell listën e saj muzikore, në të cilën gjejmë këngë të paharruara në antologjinë e muzikës shqipe. Këtu përfshihen këngët “O vendi im”, “Moj e bukura More”,  “Rrjedh në këngë e ligjërime”,“Valsi i lumturisë”, e këngë të tjera.

Këtij rrëfimi muzikor nuk i mungojnë as hitet e muzikës ndërkombëtare. “I Just Called To Say I Love You” e “We Don’t Need Another Hero” janë këngët e huaja që Morina i veçon.

“Vendi im”

Një këngë epike me një motiv të pasur  atdhetar dhe një dashuri përkëledhëse ndaj atdheut,  ndaj bukurive natyrore dhe mallëngjimit për të shijuar jetën, bukurit e  vendit të lindjes e ngrohtësisë familjare dhe rrethin e gjerë  të saj. Këngë kurbeti dhe këngë mallëngjimi  për vendin dhe familjen, dashurin për prindërit si dhe të afërmit.

Kënga e vjetër 600 vjeçare – “Moj bukura More”

Gjithashtu është  një këngë  kurbeti, largimi i më të afërmeve  nga atdheu, vendlindja  duke  përçuar  mesazhin  e mos largimit. Kjo këngë më ka bërë përshtypje  jo vetëm mua por të gjithë shqiptarët  ku tash e me shekuj vazhdohet të jetohet me tingujt e ëmbël të muzikës së lehtë dhe me një tekst  të përkryer  të shkruar shumë shekuj më parë. Kjo këngë është pasqyrim, dhimbje kombëtare,  familjare e nënave dhe baballarëve të largimit të të rinjve nga vendi pa dëshirën e tyre.

“Rrjedh në këngë e ligjërime”

Është përshkrim për Shqipërinë ashtu siç është dhe si duhet  për të bërë  një atdhe  më të mirë, më të dashur  me një bashkim shpirtëror kombëtar.

“Valsi i lumturisë”

Valsi është shpresë për një të ardhme të ndritshme që bashkon dhe nuk ndan e përçon  gëzimin dhe lumturinë.

Nexhmije Pagarusha – “Baresha”

Një këngë e bukur me  motive të dashurisë rinore, një këngë mbresëlënëse për gjenerata të tëra. Kjo këngë për mua ishte një motivacion për ta dashtë  atë që ofron jeta të madhërishmen, më të bukurën dhe të shenjtën  dashurin njerëzore që është virtyti  më i lartë njerëzor dhe një idil magjeps  e përshkruar në vargjet e kësaj kënge. Këngëtarja  Nexhmije Pagarusha  mbetet  këngëtarja  më madhështore  me një zë  të bukur hyjnor  dhe  këngëtarja më e mirë shqiptare.

“E dehur jam”

Për mua  tregon fuqinë e dashurisë, vuajtjet, zemërimin, krenarin dhe dinjitetin njerëzor  edhe pse herë duket e ithët e herë  hyjnore, njeriu atë që ka në këtë jetë është dashuria dhe kujtimi. Kjo këngë pasqyron fuqinë e dashurisë të lidhur për ekzistencën njerëzore dhe të bukurën. Këtë këngë e kisha  lidhur për një thënie të vjetër greke dashuria  dhe  arsyet.

“Male o  ju male”

Një këngë  e bukur e  kënduar  nga një këngëtar  dhe profesor i mrekullueshëm  që ka lënë gjurmë të pashlyera tek të gjitha gjeneratat, një këngë me një pasqyrim të jetës së rëndë  të  të rinjve të cilët për arsye sociale dhe ekonomike  janë detyruar të lënë pas ëndërrta rinore, familjen e dashurinë e jetës.

“We Don’t Need Another Hero”

E kënduar  nga  Tina Turner që përçon mesazhin për jetë më të mirë pa dhunë dhe për paqe anekënd globit njerëzor, një mesazh i fuqishëm që të mbizotëroj  dashuria e jo dhuna, lufta dhe e keqja.

“I Just Called To Say I Love You”

E kënduar nga Stevie Wonder një këngëtar i mrekullueshëm që fuqinë e vet njerëzore e shpreh përmes këngës  së tij me një tekst të mrekullueshëm dhe me një këndim  të shkëlqyeshëm pasqyron botën shpirtërore  edhe kur dikush  ju mungon  e s’mund ta keni pranë mjafton që së paku të iu merr në telefon për të  iu treguar   atë  më  të  rëndësishmen e jetës ndjenjën e dashurisë për  juve.