7 vjet pa Bekim Fehmiun

Kultura June 15, 2017 - 14:33

Më 15 qershor të vitit 2010 aktori i mirënjohur Bekim Fehmiu u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Beograd. Të enjten u mbushën shtatë vite që kur aktori i famshëm me prejardhje shqiptare ka vdekur, shkruan zeri.info. Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore. Pas filmit “Mbledhësit e Puplave” disa nga filmat e tjerë ku ai u prezantua janë “Gethi i Gjerë”, “Kurthi për Gjeneralin”, “Era”, etj.

Ndonëse në 2010, kur artisti vdiq, Parlamenti i Kosovës nuk denjoi të mbajë një minutë heshtje për vdekjen e tij, prej vitesh në Kosovë e Serbi organizohet festivali “Mirëdita Dobar dan”, që mëton t’i shkëmbej kulturat e Kosovës e Serbisë dhe aktivitetet e artistëve më të mirë të të dyja vendeve. “Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri- tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen”, pati thënë Bekim Fehmiu. Gjashtë ditë pas vdekjes së tij në Kinemanë ABC në Prishtinë u mbajt një mbledhje komemorative. Aty djali i tij Uliksi, duke plotësuar amanetin e të atit, recitoi baladën antologjike.

“Njeriu këndon pas luftës” të poetit serb Dušan Vasiljev. Ishte testamenti i fundit i Bekimit që kjo baladë të recitohej pas shuarjes së tij. Balada u krijua në fillim të shekullit të kaluar. Ish-ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë asokohe Ivica Dačić, pati thënë se Fehmiu u gjet i vdekur në apartament dhe revolja ishte e regjistruar në emrin e tij. Ai vdiq në moshën 74 vjeçare. Rolet e tij në “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, përmenden si kryevepra. Për tu rrëfyer edhe më mirë jeta dhe veprimtaria artistike e Fehmiut “Samizad B92” ka botuar librin e tij “Shkëlqim dhe tmerr”. Aktualisht, i biri i tij, Uliks Fehmiu po vazhdon rrugën e aktrimit. Ai ka mbi 20 vite që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Zëri/