'Ora e Astritit' një konkurs i suksesshëm poezie

Kultura June 15, 2017 - 08:57

Në konkursin letrar për poezi, të shpallur nga klubi letrar "De Rada", në Ferizaj, (prej 15 deri më 25 maj) kanë arritur krijimet poetike të 51 krijuesve nga të gjitha hapësirat shqiptare. Juria profesionale e përbërë nga Zyrafete Shala, studiuese e letërsisë, Ramadan Musliu, poet dhe kritik letrar dhe Bardh Frangu, shkrimtar dhe publicist, ka vlerësuar se konkursi ishte i suksesshëm, ndërsa në të vlerësohet se kanë konkurruar poetë të dëshmuar në fushën e krijimit të poezisë.

Juria profesionale, nga 51 krijimet e autorëve konkurrues ka veçuar 26 poezi si më të mirat, të cilat do të botohen në një panoramë poetike, të shoqëruara me piktura nga anëtarët e shoqatës së piktorëve "Zef Kolombi" të Ferizajt. 

Panorama do të shpërndahet ditën kur do të mbahet "Ora e Astritit", kur edhe do të publikohen çmimet për poezitë më të mira. Njoftohen konkurruesit se këto 26 poezi të përzgjedhura për panoramë, njëkohësisht janë përzgjedhur edhe për t'u lexuar, prandaj autorët e poezive të përzgjedhura ftohen të jenë prezent në "Orën e Astritit", më 20 qershor, për t'i lexuar krijimet e tyre, të cilat njëkohësisht janë edhe krijime konkurruese për çmimet që do të ndahen me këtë rast.

LEXO EDHE: Poezia si kërkim i diçkaje që mungon

Poezitë e përzgjedhura për orën poetike janë të autorëve: Rrahman Hyseni - Dashuri nëpër kohë , Ariana Bytyçi - Fazliu - Si ta ndal lotin,  Naxhije Kastrati – Gegnisht, Puntorie Ziba – Muça - Dert motrash,  Farida Ramadani - Thyej ndjenjën, Mirlinda Koxha - Murosje shpirti, Imri Musliu – Pështyma, Kozeta Zavalani - Ti ëndrra e pavdekësisë, Dijana Toska - Dhembja e plakut, Xhevat Latifi – Shkupi, dhembja që s’po pran, Diella Çitaku - Gërvish qiellin, Petrit Nika – Ende (Sime bije),Lulzim Hajdari - Me mendje, Ardit Rushiti – Copëza parajse, Ragip Sylaj - Letër e padërguar, Rami Kamberi - Nuk ua jap poezinë, Zejnepe Rexhepi - Mall për baladën tonë,Doruntina Aliu – Hamleti i shekullit Drita Gera – Mediti, Mevlyde Saraçi - Syri yt, Alketë Spahiu - Kontuzioni i zemrës, Behare Shabani – Neziri - Pa dashje, Fahri Sejdiu - Nuk e pyetën, Anila Kruti - Të rrisim dashurinë,Ramadan Asllani – Vetëvarja e fjalës, Vita Gashi – Halili – Kotësi.

“Ora e Astritit“ do të mbahet më 20 qershor, në ora 15:00 në Qendrën e Kulturës në Ferizaj.

Sipas nënkryetares së klubit letrar"De Rada" Zyrafete Shala, konkursi ka të bëjë edhe me 50 vjetorin e themelimit, Klubi letrar “De Rada”, në kuadër të aktiviteteve që shënojnë Ditët e Kulturës në komunën e Ferizajt, ndërsa  “Ora e Astritit” do të jetë manifestim tradicional dhe një nga aktivitetet kryesore letrare të qytetit të Ferizajt.

"Siç u dëshmua edhe me interesimin e madh të krijuesve, ky konkurs do të mbledhë çdo vit poetë nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët do të garojnë me krijimet e tyre. “Ora e Astritit” mbahet për nder të poetit - dëshmor, Astrit Bytyçi dhe përmes këtij aktiviteti synohet veç tjerash edhe afirmimi i poetëve të rinj, për çka për më të dalluarin prej tyre do të ndahet çmimi “Pena e Re”", ka thënë Zyrafete Shala. /ZËRI/