Poezia si kėrkim i diēkaje qė mungon

Poezia si kėrkim i diēkaje qė mungon

SHPËRNDARJE

Isak Ahmeti • 15 Qershor 2017 • 08:53 •

Vëllimi poetik “Gjithmonë diçka mungon”, Prishtinë, 2017, fq. 110, i Ndue Ukajt, poet, kritik i letërsisë dhe publicist, tashmë i njohur në letrat shqipe, sjell një frymë të re, gjithsesi moderne, në poezinë e sotme shqipe.

Ky vëllim, i shkruar me një dell të veçantë poetik, me një pasion të madh për ”mbretëreshën e artit” sjell ide, imazhe, mesazhe sublime, shumë të forta, që, si tipar poetik të fascinon dhe emocionon tej mase edhe për faktin se, siç e ka vënë re edhe Dr. Beljfore Qose, fq. (105-110), është i mbushur me imazhe, me pikëllimin e fortë të qytetit, në shtresëzime të kohëve dhe dijeve të akumuluara të njerëzimit, me shqetësimin e mosnjohjes së vetes, tjetrit, shoqërisë, me nevojën e domosdoshme të komunikimit, dëng me pamundësi-të njohjes, të realizimit të ëndrrave, të arritjes së lirisë së vërtetë dhe mbi të gjitha,një poezi që shpreh me çdo mjet të vetin pushtetin e gjithhershëm të letërsisë (fq. 105).

Pak biografi

Ndue Ukaj (1977), shkrimtar, kritik i letërsisë dhe publicist. Si poet është përfshirë në disa antologji të poezisë, brenda dhe jashtë vendit. Poezitë dhe tekstet e tij janë përkthyer në disa gjuhë si: anglisht, spanjisht, italisht, rumanisht, finlandisht, kinezisht, suedisht, etj. Është autor i librave “Diskursi biblik në letërsinë shqipe”, 2004, “Ujëvarat e metaforave”, 2009, “Godo nuk vjen”, 2010, “Ithaca of the Word”, 2010, “Interpretime letrare”, 2010 dhe “Arka e shpëtimit”, 2012. Libri me poezi “Godo nuk vjen” është vlerësuar me çmimin kombëtar “Azem Shkreli” për librin më të mirë të botuar në vitin 2010. Në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” është lauruar me çmimin për poezinë më të mirë. Revista letrare The International Poetry Transation And Research Centre, e cila botohet në Kinë, e ka vlerësuar si një nga poetët më të mirë të botuar në këtë revistë në vitin 2013.

Po ashtu është fitues i Çmimit “Creativity prizes” në Naji Naaman’s Literary Prizes 2016″. Ndue Ukaj është edhe anëtar i PEN-it në Suedi.

Vëllimi poetik “Gjithmonë diçka mungon”, i poetit Ndue Ukaj, i strukturuar në mënyrë moderne, jo në cikle siç kanë bërë poetët tanë të traditës dhe jo vetëm të traditës, përmban gjithsej 79 poezi me tema nga më të ndryshmet, por më e rëndësishmja, siç e ka vënë re Dr. Belfjore Qose, është ajo që ka të bëjë me krizën e humanitetit, një temë që autori e mbart edhe nga vëllimet e mëparshme, një shqetësim i ankthshëm, një profetizim eliotian për njeriun modern dhe humanitetin e tij të gjymtuar, vetëdijen e tij të paralizuar dhe dorëzimin apatik kundrejt një të keqeje të një forme të re (aq sa mund të jetë e re e keqja e shprehur me imazhe biblike). Vlen të theksohet me këtë rast, madje në mënyrë të veçantë, se titulli i vëllimit nuk i referohet drejtpërdrejt mungesave që dje edhe sot mungojnë si qartësia, dashuria, shkëlqimi, drejtësia dhe mirësia.

E kjo ndodh pasi uni poetik i poetit në fjalë, Ndue Ukajt, është i mbushur me ndjesi, mendime, kujtime dhe ide, dhimbje e lumturi, melankoli dhe përpjekje për t’ i shpëtuar apatisë, është një shpirt përplasjesh dhe harmonish, dilemash dhe besimesh. Por ajo çka vlen të nënvizohet, është se këto mungesa lidhen me kërkimin e tyre, me tragjizmin e atij që gjithmonë kërkon diçka dhe gjen diçka tjetër. Për më tepër, Itaka e njohur e poetit është e ndryshme nga ajo e Odiseut, gruaja, femra është një e dytë me të cilën pafund kërkohet komunikimi sipëran, ai shpirtëror, që të bën të shohësh pastërtinë e marrëdhënies së re me të, ku trajta fizike shndërrohet(Dr. B. Qose, fq. 109). Kisha është diçka tjetër nga ajo e Kadaresë etj.

Duke u marrë me analizën dhe vlerësimin e poezive të vëllimit poetic  “Gjithmonë mungon diçka”, do kuptojmë se shumica e tyre, për nga vlera dhe substanca poetike – artistike, filozofike-biblike, dalin si kundërvënie ndaj poezisë që është krijuar në periudhën e soc-realizmit, madje edhe si kundërvënie e drejtpërdrejtë edhe ndaj poezisë së Kadaresë (Krahaso I. Kadare: Në kishë, te "Buzëqeshje mbi botë", Rilindja, Prishtinë, 1980 dhe N.Ukaj  “Në kishë”, fq. 63, ku, ndër të tjera, këndon:

 “Dhe kur hyj në kishë/Gjithë pushteti i mëshirës/Është në mua/Dhe shpallja e gëzimit/Duajeni njëri-tjetrin./Përnjëherë bie perdja/Dhe dëgjoj melodinë e jetës/S’bëj zë/Shkëputemi nga bota/Aty është mbretëria e qetësisë/Tisi i së cilës hapet/Sapo hapim zemrat/S ‘bëj zë/Shikoj kryqin/Dhe gjej kuptimin e pikëpyetjeve pafund/Ai na dëfton se e keqja mundet me dashuri”. (Në kishë, fq. 63).

Ndryshe nga poezia “Në kishë” e I. Kadaresë, poezia e poetit N. Ukajt sjell krejtësisht një frymë të re, filizofike-biblike, sa e vjetër aq edhe e re, moderne gjithsesi edhe një mesazh krejt ndryshe nga ai i Kadaresë, sjell një mesazh të fortë, sublim dhe universal, për shqiptarët dhe jo vetëm për ta. Kështu, prandaj, kemi te ky vëllim një botë të re poetike në kërkim të diçkaje që na mungonte, që na mungon, fatkeqësisht, edhe sot.

Krejt në fund, duke iu referuar një vlerësimi të Anton Gojçajt, le të theksojmë se poezia e N. Ukajt lidhet me traditën e trashëgimisë së kulturës evropiane madje duke filluar nga disa pika kryesore lidhëse, në radhë të parë referencat që burojnë në shkrimet biblike, pastaj poemat e Homerit dhe Komedia Hyjnore e Dantes.

Është e tillë për shprehjen e vet moderne, për vargun e lirë e ritmin e prajshëm, plot me dinjitet, për invencionin dhe pasurinë figurative… Prandaj, duke e lexuar me përkushtim këtë vëllim poetik të poetit N. Ukajt, lexuesi ndjen një kënaqësi të veçantë estetike.