Kultura

Ura artistike e Beqirit

Ura artistike e Beqirit
14 qershor 2017 • 19 : 33

Sokol Beqiri është kujtuar që të bëjë një lidhje speciale në mes të dy ambienteve të ekspozitës: atij në Kasel me atë në Athinë. Për të bërë këtë, ai ka pasur një ide origjinale, shkruan albinfo.ch

Njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme në fushën e arteve pamore në botë është ekspozita “Documenta”, e themeluar në vitet `50 të shekullit të kaluar, në Kasel të Gjermanisë.

Për herë të parë, edicioni i sivjetmë është menduar të mbahet, përveç si zakonisht, në Kasel, edhe në Athinë, Greqi. Kështu, “Dokumenta” në prill të këtij viti ka hapur portat në Athinë. Por ky edicion nuk u ka shpëtuar kritikave, sidomos nga ana greke, transmeton albinfo.ch portalin gjerman deutschlandfunk.de.

Por, ka edhe nga gjermanët që ekspozitën “e shtegtuar” e quajnë “turizëm krize”.

Për publikun shqiptar ndërkaq ka rëndësi pjesëmarrja në këtë ekspozitë të artit botëror, e artistit nga Kosova, Sokol Beqiri. Dhe, kjo nuk është pjesëmarrje dosido.

Beqiri është kujtuar që të bëjë një lidhje speciale në mes të dy ambienteve të ekspozitës: atij në Kasel me atë në Athinë. Dhe, për të bërë këtë, ai ka pasur një ide origjinale: ka marrë një fidan lisi nga njëri prej 7000 lisave në parkun e mbjellë nga themeluesi i ekspozitës (Joseph Beuys) në Kasel dhe atë e ka bartur në Athinë, ku e ka shartuar në një lis para Universitetit Teknik në Athinë.  Në këtë mënyrë, artisti shqiptar ka vendosur një lloj “ure artistike” në mes të dy qyteteve dhe dy ambienteve.

 

© zëri.info