Vlerat poetike të poezisë së Adonisit

Kultura June 13, 2017 - 08:56

Poezia e Adonisit është një poezi që përmes simboleve të thjeshta, të qarta, konkrete dhe brenditë të tyre muzikale, jep mesazh të fortë për të gjithë dashamirësit e poezisë.

E veçanta e kësaj poezie është mënyra e drejtpërdrejtë e të folurit, e shoqëruar me metafora që e zgjojnë kërshërinë e lexuesit, posa ai fillon të mendoj se gjithçka është duke shkuar në ritmin e të zakonshëm.

Ali Ahmed Said Esber, i njohur si Adonis, përkatësisht si Adunis, është poet sirian, eseist dhe përkthyes, i cili konsiderohet si një nga poetët më me influencë në epokën moderne.

Pra kur lexuesi mendon se poezia është duke shkuar rrjedhës së zakonshme, me një metaforë të mirëfilltë, poeti e ndryshon qasjen ndaj lexuesit. Sikundër që ndodh në poezitë lirike që një shprehje e vetme e reflekton gjithë poezinë e poetit. Poezia e Adonisit lexohet në ato ditë kur njeriu është i lodhur dhe i mërzitur, i rrahur nga melankolitë e ditëve të trishtueshme, lexuesi kap librin dhe përpara gjumit lexon disa poezi.

Adonisi në librin e tij  “100 poezi për dashurinë” është një vepër që në vete ka njëqind poezi të ndërtuara në cikle poezish që të gjitha ngërthejnë dashurinë ndaj gruas, që të gjitha kanë një lidhje të drejtpërdrejtë prej poezisë në poezi, dhe për t’u kuptuar dhe njohur ndjenja e autorit, duhet të njihet edhe secila poezi veç e veç dhe të bashkohet me rrjedhën e asaj, ku të gjitha poezitë bashkohen në një temë të përbashkët mbi dashurinë.

Kur lexohen të gjitha poezitë ne kemi përshtypjen se po lexojmë një histori në vargje, apo një ngjarje në vargje që është treguar nga autori; në anën tjetër kur lexojmë disa nga poezitë e veçanta hetohet se brenda tyre ka një seri ngjarjesh ku dashuria bashkohet me realitetin. Secila poezi tregon një çast të ndjenjës së veçantë, gjë që lë të kuptohet se edhe poezitë janë të ndërtuara dhe të renditura ashtu siç mund t i kujtojmë takimet  e dy çifteve të dashuruar.

Pra, këto njëqind poezi kanë rrjedhën e një cikli takimesh të dy personave në jetën e përditshme. Ajo që jetëson poezinë prej tekstit në tekst është mënyra e të organizuarit; gjë që  na bën të mundur ta kuptojmë më lehtë dhe më qartë, dhe të duket sikur je duke shikuar një film mbi dashurinë në kinema, dhe gjithë ajo që je duke menduar momentalisht është ngjarja që ke parasysh.

Në veprat e shumë autorëve të ndryshëm jemi mësuar që vetëm përmes shprehjeve të komplikuara ta kapim tekstin, dhe shpesh themi se vetëm autorët me struktura të asillojta kanë vlera. Me Adonisin lexuesi ka edhe shprehjen universale, edhe simbolin, edhe metaforën, edhe krahasimin; dhe çka është më e rëndësishme ai këto figura i paraqet me një gjuhë tepër të zakonshme e që i përshtatet secilit lexues.

Kur themi se një autor është universal, kemi në mendje disa gjëra: së pari shprehja e tij është universale për të gjithë; së dyti forca e tij shpirtërore bashkëjeton me të gjithë popujt; së treti ai mund të lexohet edhe për elitën edhe për njerëzit e zakonshëm. Pikërisht kjo pikë e bën atë më universal sesa shumë autorë të tjerë të elitës e që asnjëherë nuk kuptohen nga lexuesit, ose kuptohen nga një numër i vogël i lexuesve.

Një figurë tjetër për të cilin ky autor njihet është edhe inversioni. Kjo figurë është një nga më përfaqësueset te ky autor. Shpeshherë shprehja inversive e përfshin krejt poezinë, duke qenë fundi në fillim, e fillimi në fund, gjë që e bën poezinë tepër interesante dhe na bën të rikujtojmë në retrospektivë si ka ndodhur ngjarja.

Shprehjet e tilla janë të ndërtuara nga metafora që vijnë pas një fraze të zakonshme dhe në vendin ku thyhet shprehja e zakonshme në njërën anë, kjo shprehje është inversion, ndërsa në anën tjetër është metaforë dhe simbol, varët prej rastit dhe poezisë.

Poeti në anën tjetër është edhe krahasues i shkëlqyeshëm. Ai përmes imazheve të gjalla e krahason bukurinë e Lejlasë me objektet që gjenden përreth. Shpeshherë i bëhet një aluzion që i ngjason pikë për pikë me dukuritë natyrore e figurave mitike të pavërteta. Që së fundi pikëtakimi i këtyre hijeve që krijon poeti është përmes lidhjeve imagjinare të fantazisë.

Përmes iluzionit lind dashuria dhe përmes dashurisë iluzioni, një realitet me të cilin autori e thotë në fund të kësaj poezie: Kështu njihet poezia në vendin tim. Sigurisht përmes kësaj poezie ne menjëherë kuptojmë mentalitetin psikologjik të një shoqërie, e cila ka shprehi dhe zakone të caktuara mbi dashurinë dhe jetën.

Ajo që e bën të veçantë këtë libër është saktësia në shprehje, konkretizimi i vargjeve, afritë me të zakonshmen, krahasimet e qëlluara, metaforat e gjalla, ritmi, stili i veçantë dhe i paparë ndonjëherë, dhe aftësia për të thënë shumë me pak vargje. Secila nga këto veçori e plotësojnë dhe e bëjnë libër me vlerë të lartë këtë vepër.

Do t’i shprehim disa nga veçoritë që do të përmenden. Autori e ka aftësinë që me pak vargje të plotësoj sfondin e një poeme të gjatë, të sjell prej një figure të vdekur një realitet të gjallë. Shpeshherë përmes personifikimesh ai ngjall nevojën e emancipimit dhe kujtesës së hershme për jetën e së kaluarës sikur befas të kuptojmë se e kaluara ka hap dyert kah ne.

Ritmi dhe muzikaliteti janë cilësi e poezisë së tij. Poezitë e Adonisit mund të lexohen dhe të përcillen me piano, apo me ndonjë muzikë të lehtë, me ndonjë instrument tjetër, ato ngjallin kureshtje për shkak të shkurtësisë dhe mesazhit dhe nuk e lodhin lexuesin.

Ajo që e veçon Adonisin nga shumë poetë të tjerë është se poezia e tij ka një stil jo të ngjashëm me llojin e poezive pa rimë; shpeshherë nis me fjalë të zakonshme dhe na del poezi, ndërsa poezitë pa rimë në shumë raste janë edhe më të gjata, edhe më të fiksuara drejt figuracionit pazbërthyeshëm. Prandaj poezitë e Adonisit dallohen për një strukturë jo të zakonshëm, për një stil origjinal e të bazuar në gjëra konkrete.

Adonisi bazën e poezisë së tij e merr nga Gijom Apolineri, ku çdo varg përpiqet të zbulojë një të vërtetë konkrete, ku çdo frazë përfshin në vete një imazh fotografik dhe të gjitha frazat e bashkuara e formojnë një imazh të veçantë, sidoqoftë prirja e këtillë është vetëm si ide fillestare e strukturës poetike.

Një veçanti tjetër në stil është se autori merr shumë nga simbolizmi, dhe poezia e tij është mikste e përzier prej dy rrymave: realizmit dhe simbolizmit. Në strukturën e përgjithshme poeti na del se është realist, ndërsa në ngjyrat që ia jep poezisë poezia e tij del me përplot simbolet mbi bukurinë dhe dashurinë.

Poezia e tij është e qetë, precize, relaksuese, e ndjeshme, e bukur, peisazhiste e shpeshherë edhe pasionante. Ajo na kujton ato serenatat spanjolle që ju kushtohen vajzave dhe ju këndohen përpara shtëpisë.