Kultura

Përfundon Panairi i Librit 2017

Përfundon Panairi i Librit 2017
12 qershor 2017 • 11 : 31

Ngjarja më e madhe e librit në vend, Panairi i Librit 2017, ka mbyllur dyert të dielën.Pas një maratone gjashtëditore me shitje librash, promovime, përkujtime shkrimtarësh e diskutime, ky panair ka përfunduar me sukses edicionin e 19-të.

Sipas organizatorëve sivjet këtë ngjarje e vizituan 40.000 persona dhe pati ngritje të shitjeve për 30%, në krahasim me vitet e kaluara.

Në mbyllje të Panairit të Librit u shpallën edhe librat dhe autorët më të kërkuar, vendorë e ndërkombëtarë. Nga shkrimtarët shqiptarë më së shumti u kërkua Veton Surroi me librin e tij “Gorillat që s’i pamë”, duke zënë kështu në vendin e parë, pas tij poetja Flutur Mustafa me librin “Na dy”, Arber Xhaferi me “Vepra”, Agron Alibali me “Dritëhijet e një diplomati - Faik Konica” dhe Ndriçim Ademi me romanin “Pa heronj, pa bujë”.

Në anën tjetër nga ndërkombëtarët u kërkuan Malala Yousafza dhe autobiografia e saj “Unë jam Mala”, Elena Ferrante dhe romani “Mbiemri i ri”, Svetlana Alexievich me “Lufta nuk ka fytyrë gruaje”, Youval Harari me “Një histori e njerëzimit” dhe Michael Hollepek me “Harta dhe territori”.

Në këtë edicion të Panairit të Librit shkrimtari dhe ish-politikani nga Shqipëria, Besnik Mustafai, është shpallur autori i vitit për librin “Ëndrra e doktorit”. Çmimin e veçantë për eseistikë, kritikë dhe publicistikë e ka marrë Klara Buda për përkthimin në frëngjisht të Mitrush Kutelit, kurse romani më i mirë i Panairit u zgjodh “Shtrati 13” nga Petrit Palushi.

Një çmim special të Panairit e ka marrë Lucie Leanne, shkrimtare franceze, e cila erdhi në shqip me anë të shtëpisë botuese “Buzuku”, me veprën e saj “Kufiri”. Për vepër kapitale çmimi i Panairit të Librit shkoi për Shyqri Nimanin.

Tenda më e vizituar gjatë Panairit u shpall “Argeta LMG”, ndërsa Flutur Mustafa me veprën “Na dy” mori çmimin special të Panairit, i cili shërben në të njëjtën kohë edhe si motivim për shkrimtarët e rinj.

Panairi i Librit në Prishtinë organizohet çdo vit nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Edicioni i parë i tij është mbajtur në datat 17-22 nëntor të vitit 1999, ndërsa të tjerët janë organizuar çdo herë gjatë muajve maj-qershor.

© zëri.info