Kultura

“Lighthouse”, ninulla e Elsa Rraqit

 “Lighthouse”, ninulla e Elsa Rraqit
12 qershor 2017 • 11 : 29

Në dhjetorin e vitit të kaluar, kur kantautorja e re Elsa Rraqi debutoi në skenën vendore të muzikës, arriti që me këngët që ajo prezantoi të bëjë për vete shumë adhurues të muzikës. Asokohe ajo u prezantua krahas muzikantit të mirënjohur Shpat Deda, duke paralajmëruar kështu një frymë tjetër të re të muzikës, mjaft unike, që po vinte në skenën tonë.

Këtë javë në rubrikën javore të “Zërit”, të titulluar “Rrëfej përmes muzikës”, Rraqi na prezanton top 10 këngët e saj të preferuara. Ajo na flet për muzikantët që e frymëzuan e këngët që e shoqëruan në periudha të ndryshme të jetës dhe lidhjet e tyre me Elsën. 

Derisa kënga “Kopshti” e Hana Cakulit dhe Kushtrim Hoxhës ia kujton kohën e shkollës së mesme, adoleshencën, “I’m Still Here”, e Tom Waits, i ngjall asaj nostalgji. E si për shumicën prej nesh kënga “E duam lumturinë”, e Parashqevi Simakut, është kënga ikonike e fëmijërisë.

1. Hope- “The Rain Don’t Last”

Gjithmonë e kom dashur shiun. Ndoshta pse jam pak melankolike si tip, po edhe pse besoj në efektin e tij pastrues të shpirtit. Kjo është njëra ndër këngët e mia më të preferuara prej gati një dekade.

2. Regina Spektor – “Dance Anthem Of The ’80s”

Kjo është njëra prej këngëve qe m’i kujton disa momente shumë të bukura të jetës time, që ngërthen në atë flluskën e kujtimeve në to njerëzit e mi më të dashur, gatimin (njërin prej hobeve të mi) dhe vallëzimin. Ndonëse tematika e saj është përtej asaj që e percepton.

3. Hana Cakuli & Kushtrim Hoxha – “Kopshti”

Gjatë kohës së gjimnazit kjo ka qenë ndër hitet e gjeneratës sonë. Është njëra ndër krijimet artistike shqiptare që e vlerësoj më së shumti.


4. Incubus – “Monuments And Melodies”

Vitin e kaluar më kanë ndodhur shumë ndryshime në jetë, e njëra ndër to ka qenë që kam takuar njerëz të cilët më kanë bërë të besoj që mundesh me e pa gotën gjysmë të mbushur e gjysmë të zbrazët edhe të argëtohesh me jetën dhe senet që të vijnë rrugës në të njëjtën kohë.

5. Ravel- “Pavane For A Dead Princess”

Unë e kam një dashuri të jashtëzakonshme për muzikën klasike. Kjo vepër është ndër të parat që e kam vlerësuar më së shumti për ngjyrimin dhe ndjenjën, e për atë arsye e mbaj në këndin e muzikës më të preferuar.

6. Jeff Buckley- “Opened once”

Jeff Buckley është njëri ndër muzikantët e mi më të preferuar, për atë çka simbolizon dhe përçon përmes muzikës së tij. “Opened Once” është kënga që e dua më së shumti.

7. Patrick Watson – “Lighthouse”

Kjo është njëra ndër këngët më të njohura të tij, por krijimet e tij konsistojnë në shumë më shumë. Patrick Watson është një artist (bashkë me grupin e tij) inovativ, padyshueshmërisht i veçantë e me këmbë në tokë, i cili i trajton çështjet e brendshme të njeriut shumë bukur dhe vërtetësisht. Kjo këngë për mua është si ninulla për në shpi.

8. Tom Waits – “I’m Still Here”
Tom Waits është pa dyshim njëri ndër muzikantët më frymëzues dhe më i afërt me atë çka unë shpresoj ta arrij një ditë artistikisht. Kënga “I’m Still Here” është një këngë që më ngjall shumë nostalgji për ndjesi të mëhershme, e thjeshtë dhe sublime siç është.

9. India Arie – “I am light”

Kjo këngë për mua është himni i shpirtit, gjithmonë aty për të ma kujtuar natyrën tonë të vërtetë dhe dashurinë edhe respektin që duhemi ta kemi për veten.

10. Parashqevi Simaku – “E duam lumturinë”

Mami ma ka kënduar gjithmonë këtë këngë, edhe unë e kam kënduar shumë herë kur kam qenë e vogël, e dashuroj mesazhin që përçon si dhe ma kujton një kohë shumë më të thjeshtë e më të lumturën e jetës sime.

 

© zëri.info