Besnik Mustafai- autori i vitit

Kultura June 10, 2017 - 08:22

Shkrimtari dhe ish-politikani nga Shqipëria, Besnik Mustafai, është shpallur autori i vitit për librin “Ëndrra e doktorit”, në Panairin e Librit në Prishtinë. Ky panair ka ndarë çmimet e këtij viti të enjten në mbrëmje. Adem Gashi ka marrë çmimin për librin më të mirë me poezi, ndërsa Xhevat Syla ka marrë çmimin si autori më i mirë i këtij panairi në zhanrin e letërsisë për fëmijë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Çmimin e veçantë për eseistikë, kritikë dhe publicistikë e ka marrë Klara Buda për përkthimin në frëngjisht të Mitrush Kutelit. Buda ka qenë e pranishme dhe është shprehur e emocionuar që po merr çmim në Kosovë, vendin me të cilin ajo ka një lidhje shumë të veçantë.

Ajo ka treguar se si është njohur me Kosovën gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, kur ajo ka punuar në Radio France, dhe se si i është refuzuar viza asokohe të vinte në Kosovë me një delegacion pune. Buda ka sjellë këtë vit në Francë një libër mbi Mitrush Kutelin, përkthimin e veprës “Fshati im e pi rakinë”.

Romani më i mirë i Panairit u zgjodh "Shtrati 13" nga Petrit Palushi.

Një çmim special të Panairit e ka marrë Lucie Leanne – shkrimtare franceze, e cila erdhi në shqip me anë të Shtëpisë Botuese Buzuku, me veprën e saj “Kufiri”.

Për vepër kapitale, çmimi i Panairit të Librit, shkoi për Shyqri Nimanin.

Tenda më e vizituar gjatë Panairit u shpall Argeta LMG, ndërsa Flutur Mustafa me veprën “Na dy” mori çmimin special të Panairit që shërben në të njëjtën kohë edhe si motivim për shkrimtarët e rinj.