Prizreni kujton Bekim Fehmiun në 7-vjetorin e vdekjes

Kultura June 09, 2017 - 13:12

Ditën kur mbushën 7 vjet nga vdekja e aktorit të mirënjohur Bekim Fehmiu, më 15 qershor, në qytetin e Prizrenit do të mbahen një varg aktivitetesh në kujtim të aktorit.

Organizatat dhe aktivistët e kulturës në Prizren do të shënojnë  7 vjetorin e vdekjes së aktorit Bekim Fehmiu, duke filluar nga ora 12:00, ku do të nis tubimi në Sheshin e Lidhjes (te Ura e Arastës). Pas këtij tubimi, në orën 12:10 do të gjuajnë lule në lumë, ndërkaq pesë minuta më vonë do të mbahet një fjalë rasti nga Fahri Musliu dhe Veton Nurkollari.

Në orën 12:30 do të bëhet paralajmërimi i nismës “Bekimi i Prizrenit”, ndërsa në orën 21:30 në mbrëmje do të shfaqet filmi “Mbledhësit e puplave” në kejin e Lumbardhit.

Ky është programi i organizuar nga organizatat dhe aktivistët e kulturës në Prizren, me nismën ‘Bekimi i Prizrenit’.

Bekim Fehmiu është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë.

Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

Rikujtojmë se Fehmiu u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Beograd më 15 qershor të vitit 2010.