Të rinj të interesuar për librin dhe kërkesat për letërsi feministe

Kultura June 09, 2017 - 13:11

Zbritja deri në 30% e librit në panair, i shtyn lexuesit kosovarë që librat, të cilëve ua kanë vënë syrin gjatë vitit, t’i blejnë në kuadër të Panairit të Librit, që mbahet çdo qershor në Prishtinë.

Arianit Uka, student nga Prishtina, ka ardhur në Pallatin e Rinisë në Prishtinë me një listë librash, të cilat i kërkon për t’i blerë. Për të përfituar një zbritje të konsiderueshme duke i blerë të gjitha përnjëherë në panair, ai nuk i ka blerë ato deri tash. Kjo sipas tij, luan rol në buxhetin e përgjithshëm që e ka për vete si student. Ai tregon për gazetën “Zëri” se me 12 euro ka blerë tri libra të shkrimtarit të mirënjohur rus, Dostojevski.

“Kjo është ngjarja më e madhe librit tek ne dhe mundësia më e mirë për të blerë libra. Zbritja prej 30% nuk është pak kur një person blen, ta zëmë, mbi 10 libra. Unë kam një listë qe e kam përpiluar ndërkohë. Bleva për 12 euro tri libra të Dostojevskit, pas disa negociatash me një shitës nga Shqipëria. Këtu në listë kam edhe ‘Legjenda e vetmisë’ të Ridvan Dibrës, “Ankimi i Portnoit” nga Philip Roth, biografinë e Malala Yousafzai, shënimet autobiografike të George Orwell, e disa të tjera”, tregon ai.

Uka thotë se është i kënaqur deri diku me zbritjet, por si student i Ekonomisë që është, thotë se ka vend edhe për zbritje më të mëdha. Si shembuj merr edhe panairet në vendet perëndimore.

Në anën tjetër, deri sa mban në dorë librin “Sexi i dytë”, nga Simone de Beauvoir, Shqipe Rushiti kërkon edhe librat “Feminizmi është për të gjithë” nga Hell Hooks dhe “Ne të gjithë duhet të jemi feminist” nga Chimamanda Ngozi Adichie.

“Këta libra feminist po i kërkoj me porosinë e vajzave të mia. Ato janë të reja dhe unë pajtohem plotësisht me përzgjidhen e tyre në literaturë. Letërsia i ka dhënë shumë dhe mund t’i jap edhe më shumë zë feminizmit. Ne duhet t’i edukojmë brezat me këtë frymë, të barazisë mes gjinive. Jam a lumtur shumë që sot po jetojmë në një kohë kur unë kam luksin të ju blejë fëmijëve të mi këto libra dhe ata kanë mundësinë t’i lexojnë në shqip. Të edukohen”, thotë Rushiti.

Si çdo vit tjetër, shumë botues nga Shqipëria kanë hapur stendat e tyre në Panairin e Librit në Prishtinë. Aida Baro, nga botimet “Pegi” thotë për gazetën “Zëri” se sivjet vëren një tkurrje të lehtë të vizitorëve, por për të është një befasi e mirë interesimi i madh i të rinjve të Kosovës për librin. Ajo thotë se ka vërejtur se në Kosovë interesim të madh ka edhe për letërsinë feministe.

“Mendoj që ka pasur goxha prurje dhe njerëzit kanë qenë të interesuar për të parë botimet e reja edhe të shtëpisë tonë botuese por edhe të të tjerëve. Mbaj mend që vitet e tjera ka pasur më tepër njerëz. Shikoj njëfarë tkurrje të lehtë dhe kjo më ka bërë përshtypje, ndryshe nga Tirana. Shpresoj që në ditët në vijim të ketë më shumë të interesuar dhe njerëzit të marrin sa më shumë libra. Vërej që letërsia feministe është shumë e dashur në Kosovë, edhe në Tiranë është gjithashtu, por në Kosovë e shoh më të zhvilluar ndjenjën e feminizmi, ” theksoi Aida Baro, nga botimet “Pegi”.

Në kuadër të botimeve “Pegi” sivjet ka ardhur edhe libri “Pa bujë, pa heronj” i shkrimtarit të ri kosovar që vjen për herë të parë në prozë. Libri rrëfen historinë e një të riu dhe fëmijërinë e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në stendën e “Pegit”, siç tregon Baro, po kërkohet shumë edhe libri “Mikesha gjeniale” e Elena Ferrantes me të dyja vëllimet e saj.

Në anën tjetër, Eni Myrtollari nga Shtëpia Botuese “Dituria” tha për “Zërin” se ata janë të kënaqur me interesimin e lexuesve nga Kosova për botimet e tyre dhe meqë ka shumë vite që prezantohen rregullisht në panairin e Prishtinës, tashmë këtu e ndjejnë vetën si në shtëpi.

“Jemi të kënaqur që lexuesit e Kosovës i njohin dhe i lexojnë botimet tona. Ata na ndjekin në të gjitha botimet e reja. Sivjet kemi mbi 20 tituj të rinj përveç atyre që janë klasikë tashmë dhe kërkohen vazhdimisht. Ne ofrojmë 20% zbritje, në mënyrë që të gjithë lexuesit të ngelen të kënaqur dhe të kenë mundësi të marrin më shumë se një libër. Për ne është diku hera e 6 ose e 7 që prezantohemi në Prishtinë dhe e ndjejmë vetën si në shtëpi”, tha ndër të tjera Myrtollari.

Krahas botimeve për të rritur, vend të veçantë në panair po zënë edhe botimet për fëmijë.

Siç tregoi për gazetën “Zëri” Klarita Demiri, në kuadër të Shtëpisë Botuese “Damo”, po ofrohen 10 tituj të rinj. Kjo shtëpi botuese po shet gjithë titujt me 30% zbritje.

“Panairi po shkon shumë mirë. Ka pasur numër të konsiderueshëm të vizitorëve dhe blerje gjithashtu. Botimet ‘Damo’ në këtë panair vijnë me 8 tituj të rinj. Kemi edhe serinë e klasikëve, që përbëhet prej 10 titujsh dhe kemi gjithashtu edhe dy seri të veçanta. ‘Pesëshja e famshme’ dhe ‘Shtatëshja e fshehët’”, theksoi Demiri.

Panairi i Librit do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë deri të dielën, nga ora 9:00-20:00, kurse hyrja për vizitorë do të jetë falas.