'Pegi' sjell dy libra të shkrimtares Elena Ferrante në Prishtinë

Kultura June 08, 2017 - 16:06

Shtëpia Botuese “Pegi” ka sjellë në Panairin e Librit në Prishtinë për lexuesit e Kosovës dy tituj mjaft të kërkuar të shkrimtares së mirënjohur Elena Ferrante, shkruan zeri.info.

“Mikesha gjeniale” wshtw një projekt i madhërishëm, një sagë me katër libra ku rrëfehet miqësia femërore, ajo midis Lilës dhe Elenës, që nga fëmijëria, në Napolin e pasluftës, e deri në ditët tona. Vrazhdësia, ashpërsia dhe kontradiktat e personazheve dhe të rrëfimit shpalosin, si rrallëherë, atë qenie komplekse që quajmë njeri dhe të vërtetat e parehatshme që e shoqërojnë atë, si për shembull: që miqësia midis grave ka të bëjë jo vetëm me dashurinë, por edhe me zilinë, xhelozinë e urrejtjen; që imagjinata jonë na përcakton pothuajse aq sa ndodhitë e vërteta; që ne e mbartim me vete dhe pashmangshmërisht origjinën tonë, kudo, deri në varr.

Një roman jashtëzakonisht aktual pasi, ndër të tjera, rrëfen jetën e mundimshme dhe të pashpresë të shtresave popullore në një vend të varfër, i cili kontrollohet gjithmonë e më shumë nga klanet mafioze. Çdo aspekt i historisë tingëllon i parë, i përjetuar: dhuna në familje (midis prindërve, nga prindërit te fëmijët), zhvlerësimi i gruas dhe i aftësive të saj, stërlodhja e përditshmërisë, pamundësia për të gjetur një punë me pagë dinjitoze, vështirësia për të arritur në fund të muajit, zhytja në borxhe, mpleksja e pazgjidhshme e ndjenjave me interesin, pafuqia e dashurisë pa kushte, mendjemadhësia boshe e padronëve të rinj, dhuna e të sapo pasuruarve mbi të varfëritë, shpresat për të vënë pasuri shpejt e pa punë dhe smira kundrejt atyre që kanë arritur të shkëputen nga llumi i origjinës.

Në anën tjetër, “Mbiemri i ri” është vëllimi i dytë i sagës napolitane, e cila fillon me romanin jashtëzakonisht të suksesshëm, “Mikesha gjeniale”. Elena rrëfen historinë e jetës së saj e, në mënyrë të tërthortë, edhe atë të Linës, me të cilën është njohur e shoqëruar që në klasë të parë. Lina Çerulo, e sapomartuar, është tashmë një grua në grackë, e tradhtuar, e poshtëruar, e njëkohësisht e paharrueshme për lexuesit, si një Bovari moderne. Lagjja e varfër dhe e ndotur ku ajo dhe Elena janë rritur bëhet një prani gjithnjë e më e dhunshme, një personazh në një sagë që drithëron me personazhet plot jetë e vërtetësi. Libri i dytë fillon me martesën e Linës në moshën 16-vjeçare.

Në disa skena të hershme e tronditëse, mësojmë se si Lina shndërrohet në Zonjën Karraçi, përmes dhunës e mashtrimit. Fillimisht, Elena mendon se “statusi i bashkëshortes e kishte mbyllur në njëlloj ene të qelqtë”. Më pas, kur burgimi i saj bëhet i qartë, ajo vëren se si gratë e lagjes “hiqeshin zvarrë eshkë të thata, sy e faqe zgavruara, ose më vithet e gjera, noçkat e këmbëve të buhavitura, gjokset e rënda, torbat e pazarit, vocërrakët që u vareshin pas fundeve dhe që u kërkonin t’i merrnin hopa.” Ajo pyet veten se “Kur zinte fill vallë ai shndërrim? Me punët e shtëpisë? Me barrën? Me dajakun?” “Mbiemri i ri” i referohet shndërrimit të Linës në zonjën Karraçi, por jo vetëm. Siç ndodh rëndom me Ferranten, titulli i referohet edhe Elenës dhe zgjedhjeve të jetës së saj, fort të ndryshuar, larg qytetit të lindjes.

Kompromiseve që do të bëjë për të ruajtur një status të ri, aq fort të kërkuar e të ëndërruar, sakrificave shpirtërore që do t'i kërkohen si flijim i ruajtjes së sekreteve e njëkohësisht edhe pamjaftueshmërisë së brendshme që do ta shtyjë gjithmonë drejt Linës, në një ekuilibër rrëqethëses rolesh e modelesh, nga të cilat duket se asnjë nga personazhet nuk mund të çlirohet. Saga napolitane është botuar në 40 vende të botës dhe deri më sot, ka shitur rreth tre milionë kopje. Të dy librat i gjeni në stendën e “Pegit” në Pallatin e Rinisë. Zëri.