Ajo u kthye

Kultura June 01, 2017 - 14:23

"Ajo, ecën qetë dhe koha se prek. Ajo, i kthen buzëqeshjen edhe pse e ndjek". Këto vargje të këngës së njohur "Ajo" i solli sërish në Prishtinë muzikantja Vjollca Robelli.

Këngëtarja dhe tekstshkruesja u kthye gati pas një dekade në Prishtinë, me një koncert, në kuadër të Festivalit më të madh feminist në Ballkan, FemArt.

Kështu, mbrëmjen e së martës, Teatri “Oda” u mbush plot me dashamirë të muzikës, të të gjitha moshave, miq të këngëtares e muzikantë që e vlerësojnë krijimtarinë e Robellit.

Ajo interpretoi për herë të parë dy këngët e saj të reja, “Burrnesha” dhe “Zare”.

Kënga “Burrnesha” është tregim prekës, por në të njëjtën kohë është edhe tregim inspirues për karakterin e gruas së fortë, e cila hedh poshtë marrëveshjet fisnore të një martese të aranzhuar për të fituar lirinë personale, përderisa sakrifikon mundësinë që të ketë fëmijë e të ndërtojë familjen e saj, ajo vendos të jetojë si Burrneshë.

Ndërsa, kënga “Zare” është një riinterpretim i një kënge shumë të dashur folklorike, me një ngjitje eklektike të përzierjes së influencave, duke mbajtur shqiptimin melodik të origjinalit, shkruan "Zëri".

“Koha është që të sfidojmë qëndrimet tradicionale ndaj gjinisë dhe statusit të femrave në shoqëri”,  është shprehur Vjollca Robelli ditë më parë duke folur për këngët e reja.

Për të ishte shumë e rëndësishme që këngët e para të albumit që do ta kthejë sërish në skenë t’i interpretoi së pari në vendlindje. Albumi i parë i saj pritet që të dalë gjatë vitit 2017.

Këto këngë Robelli i ka punuar me muzikantët e njohur Aram Zarikian dhe Dany Rico. Ajo zotohet se këto këngë do të sjellin një frymë të re në muzikën tonë.

“Jam shumë e lumtur që këngët e para të albumit tim do të kem rastin t’i performoj së pari në vendlindjen time. Kam bashkëpunuar me muzikantët e njohur Aram Zarikian dhe Dany Rico të cilët kanë punuar në të gjithë Evropën, e gjithashtu edhe në SHBA. Ata kanë pasur performanca live me bende, orkestra muzikale, produkcione teatrale, duke u paraqitur në skena të të gjitha madhësive. Gjithashtu kanë performuar edhe në radio dhe televizion, si Later Will Jools Holand, Glastunbury, Royal Albert Hall, dhe shumë vende të tjera të njohura. Me këtë bashkëpunim shpresoj të ju sjell një frymë të re në muzikën tonë”, tregoi Robelli, në lidhje me muzikantët me të cilët ka bashkëpunuar.

Krahas këngës- hitit “Ajo” dhe këngëve të reja, Robelli, interpretoi para të pranishmeve edhe disa këngë të vjetra shqipe, siç janë “Moj e bukura More”, apo “Vajta kalova gjithë Kalabrinë”

E kënaqur për mbarëvajtjen e koncertit të parafundit të këtij edicioni të festivalit “FemArt” u shpreh për gazetën “Zëri” edhe koordinatorja e festivalit, Jeta Berisha.

“Koncerti i Vjollca Robellit ka mbledhur qindra qytetarë në Teatrin Oda, duke krijuar një natë mjaft ekskluzive dhe të paharruar për shumë kënd. Jemi shumë të kënaqur nga magjia që u nda mbrëmë për publikun dhe njëherësh jemi të lumtur që rikthimin e këngëtares e mundësoi festivali FemArt. Pas një dekade pauzë të këngëtares Vjollca Robelli është nder dhe privilegj që festivali FemArt të jetë shtysë për një rikthim gjigand të muzikës së mirëfilltë shqipe”, tha Berisha.

Këngëtarja Vjollca Robelli u bë e famshme në vitin 2002 me hitin e saj “Ajo” duke qëndruar në vendin e parë të top listave të radiove dhe televizioneve si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

“Ajo” ishte hiti numër një në Top Albania Radio dhe fitoi çmimin e festivalit Video Fest në kategorinë “Best Rock Video” në vitin 2002. Kënga fitoi edhe vendin e dytë në koncertin e BBC-së “Top of the Pops” në Prishtinë.

Në të njëjtin vit Robelli ishte “Youth Music Ambassador” në Prishtinë. /ZËRI/

 

Image