Tirana nderon Prishtinën, Musa Ramadanit i jepet 'Çmimi Kadare'

Kultura May 28, 2017 - 12:14

Shkrimtari nga Kosova, Musa Ramadani është fituesi i edicionit të tretë të “Çmimit Kadare” me romanin e tij “Profeti nga Praga”. Çmimi “Kadare”, i kthyer tashmë në traditë në letërsinë shqipe, u akordua gjatë Ditëve Letrare të Razmës, shkruan zëri.info.

Ky çmim u shpall nga ish-ministri francez i Kulturës, Frederica Miterrand  me motivacionin: “Musa Ramadani me ‘Profeti nga Praga’ ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, ‘Profeti nga Praga’ shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”.

Në listën finale të jurisë ishin 6 autorë me veprat e tyre, nga 36 dorëshkrime nga autorë të ndryshëm nga të gjitha trevat shqipfolëse, që janë dorëzuar gjatë muajve të aplikimit për këtë çmim.

Juria prej pesë anëtarësh, e drejtuar nga shkrimtari dhe përkthyesi Bashkim Shehu, u mblodh për herë të fundit gjatë Konferencës Shkencore “Kujtesa dhe Letërsia”, e cila u organizua nga Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun të Universitetit Europian të Tiranës.

Rikujtojmë se në anën tjetër në prill të këtij viti Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit në Kosovë i ndau shkrimtarit Ismail Kadare Çmimin Ndërkombëtar “Letërsia shqipe”./Zeri/