Suksesi përherë qëndron afër guximit për të bërë ndryshime

Kultura May 27, 2017 - 11:07

Në rubrikën e rregullt të së shtunës “Jepi Zërit” prezantojmë Antigona Qena- Kaçanikun, e cila është bija e vetme e qiftit artistik, Melihate Ajeti dhe Muharrem Qena. Ka lindur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Akademinë e Arteve, dega për pikturë, te profesor Nysret Salihamigjiqi. Karrierën si këngëtare e filloi shumë herët, në moshën 16-vjeçare, kur edhe filloi së punuari në programin e dytë të Radio Prishtinës, pastaj punoi në TV Prishtina si gazetare-spikere, deri në momentin kur u përjashtuan nga puna, të gjithë punëtorët e Radio Televizionit të Prishtinës, më 5 korrik 1990. Me të kthyer në vendlindje nga Norvegjia, ku qëndroi me familjen një kohë të gjatë, vazhdimisht duke mbajtur lidhjen me ekipin e televizionit kosovar, si korrespondente, më 2006-ën, filloi edhe ta përgatisë emisionin “Pa skenar”, ku prezanton vlerat dhe krijuesit e dikurshëm, që t'i njohë gjenerata e re dhe të mos harrohen, ngase, siç thotë në njërin nga emisionet, kush nuk e njeh të kaluarën, nuk mund ta çmojë as ardhmërinë.

Cilën pyetje më shpesh ia bëni vetes?

Ka kohë që nuk i parashtroj pyetje vetes, ngase përgjigjet i kam të njohura, qëllimet e arritura, dëshirat shumë të pakta, çdo gjë, si në një mozaik i madh jetësor, po paloset në vendin e vet, ashtu siç e cakton fati, vullneti e angazhimi im ende shpresëdhënës.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Në Kosovë, Prishtinë, çdo gjë fiton një rutinë të zakonshme. Unë e burri im, Shukri Kaçaniku, jemi në banesën tonë në Prishtinë, djemtë tanë, Fidanin e Jetonin, i kemi në Oslo. Unë ende punoj në RTK, në TV përgatis emisionin “Pa skenar”, kurse në Radio Kosovë “Perlat e muzikës shqiptare”, të dyja emisionet janë si pastrim shpirtëror i pluhurit të harresës nga vlerat dhe krijuesit e këtyre vlerave. E mira e së mirës është se jam shumë kokëfortë dhe nuk më ndalin pengesat e çfarëdo lloji qofshin ato.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Në kujtesë kam disa libra, që lexuar i kam në një kohë e disponim të caktuar dhe kanë mbetur më tepër si dëshmitarë të asaj kohe, e atyre ndjenjave. Dikur qëndronin të radhitura librat e poezive më të bukura botërore, e shkrimtarëve të mrekullueshëm, sado që përherë e freskoj të sotmen, duke u përvjedhur në të kaluarën, qoftë me një fotografi, melodi apo libër. Tash në vitrinë dukshëm gjendet libri për vegjetarianët, meqë ka 4 vjet që jam vegjetariane.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Sikur të ishte vetëm krizë morale!? Çka mund të them e që ta shprehë saktësisht atë që ndiej që nga çasti i kthimit në Kosovë nga mërgimi, ndërsa kishim aq shumë shpresë, vullnet, inspirime e plane!? E kam thanë edhe në një rast, se është plotësisht e kuptueshme që okupatori, çfarëdo qoftë ai, tenton dhe do me çdo kusht të na humbë identitetin, historinë, kulturën, qytetërimin, por që edhe ne vetë kontribuojmë dhe fshijmë një periudhë të tërë krijuese, me të gjitha ato vlera të krijuara, me shumë mund e në kushte të jashtëzakonshme. Është e dhembshme, të mos them e turpshme.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Mu ngase na e kanë ndërprerë vazhdimësinë krijuese, kemi një zbrazëtirë vështirë të kapërcyeshme, në çdo lëmi. Dhe përderisa ne nuk e plotësojmë këtë zbrazëtirë, në një vazhdimësi dhe të fillojmë me mburrje t’i shënojmë 70-vjetorët e institucioneve e krijimtarisë sonë kulturore nga njerëzit tanë, të kësaj treve, në gjuhën tonë shqipe, nuk do të mund të lavdërohemi me 10 apo edhe 17-vjetorin e qytetërimit. Asgjë, ashtu edhe kultura, nuk mund të zhvillohet pa një traditë të rrugëtimit të vazhdueshëm, që i përshtatet e frymon me kohën.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Ndoshta nga nostalgjia fëmijërore e rinore e kaluara na duket më e bukur se e sotmja. A është vërtet kjo, varet nga jeta e secilit, kur dhe si e jetoi. Unë mundem të dëshmoj si ishte dje, nga përvoja ime jetësore, por ajo mund të jetë subjektive, shpresoj dhe uroj që rinia ta gjejë lumturinë e çastit në të cilin frymon, me sinqeritet së pari dhe mbi të gjitha ndaj vetes të udhëhiqen nga zemra në rrugëtimin e tyre jetësor, ngase suksesi përherë qëndron afër guximit për të bërë ndryshime.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Edhe piktura, edhe poezia, edhe kënga, filmi, shfaqja teatrore, emisioni televiziv, arti në përgjithësi, duhet të zgjojnë ndjenja të këndshme, që pasurojnë e ushqejnë shpirtin, mund të them se bukuria qëndron në thjeshtësi, padjallëzi e sinqeritet. Sot rrallë diçka mund të më pëlqej me aq ndjesi si dikur, por jam mësuar të kënaqem me copëza kujtimesh të bukura.