Fatime Kosumi, performancë të nivelit botëror në Prishtinë

Kultura May 24, 2017 - 13:34

Artistja Fatime Kosumi u kthye në Prishtinë pas një kohë të gjatë. Kosumi, që prezanton muzikën e saj nën emrin artistik “Andrra”, solli në Teatrin “Oda” të kryeqytetit mbrëmjen e së martës një koncert që duket se publiku prishtinas do ta mbajë mend gjatë, shkruan zeri.info.

Pas shtatë vitesh Kosumi u kthye për një projekt të veçantë. “Andrra” përmes këtij koncerti live  prezantoi albumin e saj të ri, të titulluar “Palinë”, e shoqëruar prej muzikantëve nga Berlini.

Si paralajmërim për këtë album “Andrra” muaj më parë publikoi këngën “Kalle Llamen”.

Kjo këngë tregon historinë e vajzës 14 vjeçare e cila po martohet nga familja e saj, ndërsa teksti i këngës vjen prej historive të grave që vetë kanë përjetuar martesën në një moshë fëmijërore.

“Pasi nëna ime vetë e ka përjetuar një gjë të tillë, për videoklipin e këngës shkova në Bajqinë, në Podujevë. Vajzat në videoklip janë kushërirat e mia dhe ishte kënaqësi të punoja me to”, pati deklaruar Kosumi kur u promovua kënga.

Së fundi “Andrra” interpretoi edhe në Shqipëri. Ajo prezantoi këngën “Kalle Llamen” live në emisionin e zbulimit të talenteve “The Voice of Albania”.

Kjo këngë në Shqipëri është pëlqyer shumë së fundmi dhe këtë e dëshmon fakti se kënga është ranguar mirë në toplistat muzikore. Zëri