FemArt, nga Prishtina e deri në Mitrovicën Veriore

Kultura May 24, 2017 - 09:11

Edicioni i pestë i Festivalit më të madh feminist në Ballkan, FemArt, do të nisë me 25 maj në Prishtinë dhe në Mitrovicën Veriore, nën organizimin e Artpolisit – Qendrës për Art dhe Komunitet.

FemArt edhe këtë vit do të ofrojë një javë të tërë me aktivitete të realizuara nga artiste dhe aktiviste nga Kosova, rajoni dhe mbarë bota.

Këtë vit pritet një agjendë e kombinuar me më shumë se 40 aktivitete artistike, prej tyre shumë premiera, si: shfaqje teatrale, dans teatër, stand up, koncerte, ekspozita, slam poezi, panele diskutimesh, tribunë, punëtori dhe filma nga Kosova dhe më gjerë, të gjitha falas për publikun.

Jeta Berisha, koordinatore në Festivalin FemArt, tregon për gazetën “Zëri”, se të gjitha aktivitetet e Festivalit do të flasin për diversitetin, për integrimin pozitiv të gruas në shoqërinë patriarkale, sfidat e mundësitë.

“Organizimi po shkon për mrekulli, gjithçka është në kohë dhe po shpresojmë që këtë vit do të sjellim një frymë të re ndryshimi pozitiv, duke aktualizuar shumë tema të ndjeshme, duke treguar për sfidat e grave në Ballkan dhe me gjerë.

Problem fatmirësisht s'kemi pasur deri më tani. Gjithçka po ecën sipas agjendës së planifikuar të FemArt-it, por ia vlen të ceket që kemi hasur në vështirësi kur kemi filluar planifikimin e Festivalit, tek pjesa e fondeve, për shkak, siç e dimë të gjithë që në Kosovë, në art dhe kulturë shumë pak investohet”, thekson Berisha.

FemArt – Festivali i artisteve dhe aktivisteve, çdo vit angazhon mbi qindra artiste dhe aktiviste nga mbarë bota, të cilat shfaqin punën e tyre kreative.

Sivjet aktivistja Agnesa Qerimi sjell Stand Up Komedi, duke zbërthyer aktualitetin dhe riaktualizuar tema të ndjeshme të shoqërisë sonë. Koreografja Rreze Qerreti për herë të parë në Kosovë shpalosë punën e saj artistike, duke thyer heshtjen mbi femicidin me dans teatër. Dj Jehonë bashkëngjitet për t’i dhënë ngjyrë muzike Festivalit, kurse poetesha Qibrije Demiri – Frangu ndanë eksperiencës e saj me mikeshat, Naime Beqiraj, Melihate Qena dhe Anisa Ismaili.

Camilla Sandri nga Italia do të performojë “Zarët” dhe një ditë do të realizojë art në rrugë me titull “ Fearless”; koncerti nga grupi “The Lovers” pritet të ndezë atmosferën.

Një natë kushtuar muzikës klasike me koncertin e “Triodesopranosë” së Alberta Tronit, Erëmira Çitakut dhe Jeta Çitakut. Prezantohet gjithashtu shfaqja teatrore “Vetë e ka lypë”, nga Serbia, për të përshkruar situatën e grave dhe ndikimin e patriarkatit në jetët e tyre.

Elsa Rraqi sjell koncertin “Unë jam dritë”, kurse mbahet edhe një ekspozitë fotografie e gjithashtu edhe joga me instruktore Suada Pajazitin në parkun e Gërmisë.

Në skenën e FemArt-it prezantohet edhe shfaqja “Burrnesha” e regjisores Valbona Xibri, Slam Poezi – “Nuk tutna ma!”, nga  Adelina Tërshani, sikundër dhe një performancë teatrore “Smells like ëomen” dhe një ekspozitë personale, “Unë jam vajzë nga fshati”.

Pikë e rëndësishme e programit të FemArt-it është edh rikthimi i muzikantes Vjollca Robelli- Mripa në muzikë pas shumë vitesh me koncert live dhe këngë premierë.

Në anën tjetër, filmat të cilët do të shfaqen gjatë këtyre ditëve janë përzgjedhur nga selektuesja e Festivalit, regjisorja More Raça.

Ndërsa e ftuara speciale e Festivalit është Farah Siraj, e cila do të sjellë JAZZ Spiritual me Motive Flamenko dhe Arabe. Ajo është e emëruar si ambasadorja muzikore e Jordanit, virtuozja Farah Siraj, balancon një karrierë që përfshinë Shtetet e Bashkuara, Evropën, dhe Lindjen e Mesme.

Ky edicion i FemArt-it përkrahet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Kvinna till Kvinna, UNFPA, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ambasada Amerikane në Prishtinë, UNËOMEN, Komuna e Prishtinës, Koalicioni K10, Unë e du Kosovën, Ipko Foundation.

Partnerët Institucional: Teatri Oda, Qendra Informative dhe kulturore e BE (EUICC), Teatri Dodona, PEN, Galeria Monet dhe JCoders Academy.