A do ta nderojë Tirana Musën me çmimin "Kadare"?

Kultura May 23, 2017 - 09:36

Shkrimtari Musa Ramadani tashmë është ndër kandidatët kryesorë për çmimin ”Kadare”. Siç merret vesh, në rrethin e ngushtë ka hyrë me romanin e tij në dorëshkrim “Profeti nga Praga”, dhe nga studiuesit nga Prishtina po cilësohet si një ndër kandidatët më seriozë që prej se ekziston ky çmim.

Kandidatët për këtë çmim do të vlerësohen nga një juri, në përbërje të së cilës janë emra si Ylljet Aliçka, Mirela Oktrova, Ledia Dushi dhe Agim Baçi dhe Bashkim Shehu i cili është dhe kryetari i jurisë. Ledia Dushi, koordinatore e çmimit Kadare, duke folur mbi punën e jurisë dhe prurjet e këtij viti në konkurrim tha se “në fazën e parë u përzgjodhën 36 vepra nga të cilat 7 vepra ishin nga autore femra. Pas votimit të fshehtë të jurisë u selektuan 6 autorë, disa prej tyre të njohur tashmë dhe autorë të rinj në letërsinë shqipe”.

Çmimi i madh do të shpallet gjatë ditëve letrare të Razmës, që mbahen më 26-27 -28 maj. Këtij evenimenti këtë vit i bashkëngjitet edhe konferenca shkencore për letërsinë, me temë “Kujtesa dhe letërsia”, organizuar nga Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve për Publikun në UET. Vlen të theksohet se ky çmim asnjëherë nuk i është dhëne ndonjë autori nga Kosova.

Më 1972, Musa Ramadani e dërgoi për botim në “Rilindje” dorëshkrimin e librit “Neurosis XX”, por iu refuzua me arsyen se ishte vepër “pesimiste” dhe “nihiliste”. Libri në fjalë u botua një vit më vonë nga vetë autori, i cili i dha epitetin e shkrimtarit avangardist dhe prijësit të poetikës voko-vizuale dhe sinjalistike në letërsinë e Kosovës. Që nga viti 1970 ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe tash i PEN Qendrës së Kosovës. Poezia e Musa Ramadanit është prezantuar në disa antologji shqipe në Kosovë, në Shqipëri, po edhe në gjuhë të ndryshme. Është laureat i çmimit “Hivzi Sylejmani” për librin “Satana ma vodhi gurin e urtisë” më 1987, i çmimit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin “Inamor: 55” në vitin 2000, i Çmimit “Beqir Musliu” për vepër karriere më 2006 dhe i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” më 2013.

Shkrimtari Musa Ramadani, me poezinë e tij herë me shenja biografike, herë me finesa filozofike, shënjon një hap më tutje drejt një avancimi të gjuhës poetike. Kjo dëshmohet te veprat e tij poetike: “Mëkatet e Adamit” (1969),“Thirravaje” (1971),“Neurosis” (1973),“Muzat nuk flenë” (1976), “Alfabeti i neurozave” (1982), “Eugjenika e tri deteve” (1986), “Nostalgjia antike” (1990)  dhe “Mëkatet e E(ha)vës” (2010).

Proza e tij është letërsi e erudicionit të thellë me elemente të theksuara moderne dhe postmoderne. Veprat e tij në prozë janë: “Romani pa Kornizë”, roman (1975), “Fluroma”, tregime (1978), “Zezona”, roman (1978), “Ligatina”, roman (1983), “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, tregime (1987), “Vrapuesja e Prizrenit”, roman (1995), “Antiprocesioni”, roman (1997), “Inamor: 55”, minitregime (2000).