Bekimi ynë dhe Bekimi i atyre

Kultura May 22, 2017 - 10:12

Shfaqja e artistit të madh Bekim Fehmiu, në një pullë postare të Serbisë, me shenjën "Të mëdhenjtë e aktrimit serb", ngjalli reagime të shumta ndër ne, reagime këto që u shpërfaqën nëpër rrjetet sociale e më gjerë. Po nga këto reagime sigurisht duhet veçuar reagimin e Shoqatës së Artistëve të Kosovës, si një subjekt kulturor, i cili në këtë rast mund të thuhet se është shprehur më me kompetencë. Që në fillim duhet thënë se ky reagim ishte pa shije dhe pa takt. Është e vërtetë se figura e Bekim Fehmiut vazhdimisht ka qenë një figurë polarizuese, brenda së cilës janë përplasur konceptet kulturore dhe etnike. Mbase ky edhe është fati i artistëve të mëdhenj. Kjo më së mirë qe dëshmuar me rastin e vdekjes së tij, kur Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mbajti një minutë heshtje me rastin e vdekjes së tij. Mbase Kuvendi, si institucioni më i lartë i shtetit, me këtë gjest të tij, pa dyshim të pa hijshëm dhe madje të dënueshëm, hapi udhën e një debati, ku figura e artistit të madh u përplas mes koncepteve etnike, përkatësisht koncepteve të gjakut dhe konceptit kulturor, përkatësisht përkatësisë kulturore.

Dihet se njeriu nuk mund ta përzgjedhë përkatësinë etnike, ndërsa përkatësinë kulturor po. Mbase bota kulturore është e mbushur me shembuj të tillë. Këtij shembulli i takon edhe artisti ynë me famë botërore, Bekim Fehmiu. Po ta kundrojmë figurën e tij nga aspekti i përkatësisë etnike, lirshëm mund të themi se Bekimi e ruajti dhe e kultivoi me fanatizëm këtë përkatësi. Mbase ai e provoi në shumë raste këtë. Mjafton që me këtë rast të kujtojmë ofertat që iu bën për ndërrimin e emrit gjatë kohës sa luajti në filmin "Avanturierët", kur Bekimi nuk u hamend në asnjë rast, por në vend të ndërrimit të emrit, producentëve u ofroi ndërrimin e rolit. Po në kuptimin e përkatësisë etnike Bekimi u ngrit në metaforë, ndërsa me testament e kishte lënë porosinë që hiri i trupit të tij të hidhej në valët e Lumëbardhit, në qytetin gjithashtu metaforë të Prizrenit. Në këtë mënyrë Bekimi u kthye në djepin e tij, në mesin e njerëzve të gjakut. Po gjaku nuk është gjuha, prandaj në kuptimin e përkatësisë kulturore Bekimi ishte i tyre, i atyre në mesin e të cilëve edhe u ndërtua si aktor i madh. Dihet se gjuha është i vetmi mjet i gjallë në teatër, ndërsa Bekimi si mjet të tillë kishte gjuhën serbokroate, përkatësisht serbe. Dhe sigurisht që për artistin më me rëndësi është përkatësia kulturore sesa ajo etnike, sepse në këtë mënyrë ai mund të bëhet i të gjithëve, siç edhe u bë Bekimi.

Shikuar nga ky aspekt nuk duhet të brengosemi fare pse serbët e vendosën në pullë postare si njërin nga më të mëdhenjtë e skenës së teatrit të tyre, përkundrazi kjo gjë duhet të na bëjë krenarë edhe neve. Tjetër gjë janë motivet politike, me të cilat edhe mund të jetë mbështjellë ky veprim i shtetit serb, por në asnjë mënyrë nuk mund ta kualifikojmë këtë si një veprim kundër nesh, aq më pak si një përvetësim, siç pandehin etnonacionalistët tanë, në këtë rast edhe Shoqata e Artistëve të Kosovës. Në këtë kuptim maqedonasit do të mund të na e merrnin Sterio Spassen, mbështetur në përkatësinë e gjakut, por ne në asnjë mënyrë nuk ua japim, sepse përkatësia e tij kulturore është shqiptare.