'Show Must Go On' për Florent Abrashin

Kultura May 22, 2017 - 09:13

Ketë javë në rubrikën javore të gazetës “Zëri”, të titulluar “Rrëfej përmes muzikës”, prezantojmë muzikantin Florent Abrashi. Fitues i programit për talente muzikore “The Voice Of Albania 2014” ju tregon se cilat janë këngët që siç shprehet Abrashi, kanë lënë gjurmë në jetën e tij. Çuditërisht rokeri e nis listën e tij me Vivaldin, por natyrisht se këtij rrëfimi nuk i mungojnë as Metallica, Bon Jovi e Queen.

Vivaldi – Katër stinët

Fillova me Vivaldin, edhe pse muzikë klasike, por është ndër kujtimet më të hershme të ndikimit muzikor nga babai. Kjo vepër gjithmonë me asocionon me fillimin e dashurisë për muzikën dhe do të më mbetet gjithmonë në mendje si e tillë.

Concierto de Aranjuez, Adagio – Joaquin Rodrigo

Prapë një pjesë klasike, por kjo është e rëndësishme, sepse mban në vete momentin kur unë jam dashuruar marrëzisht me tingullin e kitarës, kur e dëgjova për herë të parë. Versioni i preferuar është luajtur nga kitaristi Paco de Lucia.

Metallica – Master of Puppets

Kjo këngë mbërthen në vete arsyen pse unë vendosa që t’i futem muzikës. Ishte një rast shumë i veçantë. Kur unë isha 12 vjeçar, morra CD player-in e vëllait të madh, dhe aty si për fat ishte CD-ja e Metallica S&M dhe kur kam dëgjuar “Master of Puppets” për herë të parë kam thënë kjo është ajo çka unë duhet të bëjë dhe ajo çka unë dua të bëjë.

Sade – No Ordinary Love

“No ordinary love” përbën një prej kujtimeve më të hershme të fëmijërisë, qe mbaj mend, video klipin tepër të veçantë të kësaj kënge. Vite më vonë, e gjeta prapë këtë këngë dhe gjeta edhe 100 arsye tjera për ta dashur edhe më shumë. Këtë këngë e dëgjoj kur ndihem melankolik.

Level 42 – Love Games

Kjo këngë është shumë e rëndësishme për mua, sepse në të kam gjetur inspirimin sa i përket instrumentit tim, bas kitares. Mark King, një nga basistët më të mirë në botë, ka një vend të veçantë në formimin tim muzikor. E adhuroj ritmin si dhe vijën e bas kitarës në këtë këngë.

Bon Jovi – You Give Love A Bad Name – Live at Wembley

Kjo këngë përveç se është shumë e dashur për mua, ishte shume e rëndësishme për ta ndërtuar ëndrrën time. Unë ëndërroj të performoj para 70.000 njerëzve në një stadium të mbushur, dhe ata të këndojnë  bashkë me mua. Kur e kam parë këtë video, e kam kuptuar aftësinë e muzikës për të bashkuar dhe përçuar një energji te mahnitshme.

Shkëlzen Jetishi - Mos më lerë në vetmi

Kjo këngë është një ndër më të dashurat për mua, sa i përket muzikës popullore, për disa arsye: Përfshin në vete një ritëm (5/8) shumë të veçantë dhe të rrallë në përgjithësi. Gjithashtu mban në vete violonistin Shkëlzen Dolin, i cili e ka ngritur këtë këngë në nivel botëror.

Aerosmith – Dream

Një ndër këngët më të rëndësishme në jetën time, për disa arsye: Me këtë këngë u paraqita në shfaqjen “The Voice Of Albania”, ku arrita të dal fitimtar. Gjithashtu kjo këngë mban në vete një mesazh tepër të rëndësishëm, ku thotë që asnjëherë nuk duhet të ndalemi së ëndërruari, deri sa t’i realizojmë këto ëndrra. Së shpejti, titullin e kësaj kënge do ta kem si tattoo në trup.

Steelheart – She’s Gone

Kjo këngë paraqet një prej sfidave më të mëdha në jetën time dhe kam vendosur që të mos ndalem deri sa një ditë të jem në gjendje ta këndoj. Duke qenë se është një këngë shumë e vështirë, më shërben gjithmonë si një lloj matësi i përparimit sa i përket zërit.

Queen – Show Must Go On

Kjo këngë zë vend shumë të veçantë në jetën time, për shkak se përmban një mesazh tepër të veçantë, si dhe kushtet se si është kënduar, vetëm ja shtojnë bukurinë dhe dhimbjen. Freddie Mercury, këngëtari i grupit Queen, ka incizuar këtë këngë ne momentet e fundit të jetës se tij, pasi që ishte infektuar me HIV. Kënga paraqet luftën e tij me sëmundjen  si dhe këmbënguljen e tij për të jetuar, duke mos e hequr në asnjë moment buzëqeshjen nga fytyra e tij.

Pjesa më e bukur e kësaj kënge për mua është kur Freddie e paraqet vullnetin e tij për t’u përballur me gjithçka me vargjet “I’ll face it with a grin/ I’m never giving in/ On with the show”.