Rrënuesit po e mbajnë kokën lart

Kultura May 20, 2017 - 08:43

Në rubrikën “Jepi Zërit” kësaj radhe sjellim këngëtarin e njohur nga Kaçaniku, Osman Shehun, i cili me grupin e tij “Fontana” nga ky qytet, e veçmas me hitin “Shkëmbi i kujtimit” është bërë i njohur në të gjitha hapësirat shqiptare. Është edhe fitues i Festivalit “Zambaku i Prizrenit”, madje i shpërblyer edhe nga jria, edhe nga publiku, njëkohësisht. 

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Shpesh i bëj pyetje vetes se a thua jam këngëtar përnjëmend, kur në vendin tonë ka nga dy këngëtarë për kokë të banorit! I bëj pyetje vetes se përse dikur kënga identifikohej me mua, ndërsa tash unë identifikohem me këngën; njerëzit më thonë qe ky i shkëmbit të kujtimit. Kur më pyeste djali pesë vjeçar se përse babi ti nuk merr rrogë, nuk do të mund ta besoja se edhe pas kaq vitesh as unë, as djali të mos marrim rrogë, ndaj këtë pyetje shpesh ia bëj vetes se pse ndodhi kështu. Atëherë isha këngëtar i anatemuar, ndërsa tash...

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Gati veproj sipas instinktit. Dita me kafe, nata me shoqëri “Te Nehati”, në klubin e njohur të artistëve dhe sportistëve. Një kohë të mirë të ditës e kaloj me kitarë, me mjetin tim të shpirtit he të punës. Shpesh me mikun dhe kolegun tim Veli Sahiti dalim dhe ia marrim maleve të Jezercit. Një copë kohë e kaloj edhe me lojën e shahut në internet, sepse ky është një sport, të cilin ikur e kam dashur shumë, madje e kam luajtur në mënyrë aktive, ndërsa për shumë vite isha pjesë e klubit “Lepenci”, të Kaçanikut, i cili bënte gara në elitën e shahut të Kosovës. Një copë kohë e harxhoj edhe nëpër rrjetet sociale.  

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Libri që më ka bërë përshtypje më shumë është ai i Sami frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Kemi ardhur në një kohë kur malli më i kërkuar është antivlera. Kjo gjë reflekton në të gjitha sferat e jetës. Është rrënuar plotësisht sistemi i vlerave, ndërsa rrënuesit tash mbajnë kokën lart. Dihet që kriza morale përcillet edhe me krizë identitare. Jetojmë në një kohë kur as redaktori i programit muzikor në televizionet nacionale nuk të njeh as si emër, le më të din diçka më tepër! Nuk është vetëm muzika tallave që mbulon këto hapësira, tallave është bërë edhe politika, edhe jeta jonë në përgjithësi. Dihet se kultura identifikon më së miri identitetin e një populli, nëse përdhosim kulturën, kemi përdhosur edhe identitetin. Dhe këtë po e bëjmë, për fat të keq.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Institucionet janë të pushtuara nga injorantët dhe mediokrit. Ata vendosin për kulturën dhe zhvillimin e saj. Ata vendosin edhe për tepihun e kuq se cili nga krijuesit do të shkel mbi të. Është festivalizuar jeta kulturore tek ne. Kjo është një dëshmi se nuk bëhet fjalë për vlera, por për improvizim të tyre, nga të cilat përfitojnë individë dhe grupe të caktuara. Emrat më të rëndësishëm nga cilado fushë e kulturës nuk mund t’i shohësh nëpër televizionet tona, madje as nëpër ato nacionale. Fakti që muzika tash nuk dëgjohet, por shikohet, flet më së miri se deri ku jemi katandisur. Mjafton ta errësosh televizorin dhe ta dëgjosh zërin! Përpara kishte një konkurrencë që ndikonte për të mirë në kultivimin e vlerave. Më kujtohet që një vit e kemi pritur ftesën për incizim të këngëve në RTP. Reshat Randobrava, atëherë kryeredaktor i programit muzikor në RTP, pat ardhur në klubin tonë në Kaçanik, ku ushtronim se si AVI “Fontana” dhe i dëgjoi këngët që kishim për t’i incizuar në radio. Pas incizimit këngët shkonin në verifikim si muzika, ashtu edhe teksti. Kjo bëhej në kuptimin e vlerave. Pas gjithë kësaj, këngët futeshin në fonotekën e radios. Kështi pat ndodhur me këngët “Shkëmbi i kujtimit” dhe “Më dëgjo, moj më dëgjo”, të cilat edhe sot kanë mbetur si letërnjoftim i grupit “Fontana”.  

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Dikur punonim me më shumë pasion, ndërsa sot ka më shumë teknikë. Për nesër nuk mund të them gjë, pos të vë një pikëpyetje me një pikë çuditëse.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Nga piktura “Gernika” e Pikasos, nga poezia “Ushtar i vjetër” e Frederik Reshpjes, nga kënga “Valësi i lumturisë” nga Vaçe Zela dhe nga filmi “Odiseu” me Bekim Fehmiun.