Aktivitete të dendura në takimet letrare "Azem Shkreli"

Kultura May 19, 2017 - 09:16

Në Pejë, fundi i majit do tëjetë i pasur me aktivitetet në kuadër të Takimeve Ndërkombëtare Letrare "Azem Shkreli". Më 23 maj do të jetë dita e parë e takimeve. Sipas organizatorëve të takimit mëngjesin e 23 majit do të organizohen homazhe tek varri i poetit në Prishtinë. Manifestimi do të vazhdojë me ceremoninëe hapjes së takimeve letrare dhe me ndarjen e çmimit "Bulëzat", ngjarje kjo e cila do të zhvillohet në galerinë e arteve në Pejë.

Pasdite mbahet tribuna tematike "Dukagjini dhe roli i vendlindjes në krijimtarinë e Martin Camajt", ku si ligjërues do të jetë profesor Primo Shllaku, aktivitet ky i cili do të mbahet në sallën e Kuvendit Komunal. Në mbrëmjen e ditës së parë bëhet promovimi i librit të Çun Lajçit "Përfitim n'andrra t'thyeme", ngjarje kjo që do të mbahet gjithashtu në Sallën e Kuvendit Komunal të Pejës. Pastaj Baleti kombëtar vazhdon me disa pika në sallën e teatrit të qytetit "Istref Begolli".

Dita e dytë, përkatësisht më 24 maj, vazhdojnë takimet letrare. Manifestimi qendror nisë me disa pika artistike nga kori i Fakultetit të Arteve të UNHZ, ku njëherazi ekzekuton kitaristi Luan Sapunxhiu. Pastaj punimet e tyre letrare i lexojnë 20 poetë të përzgjedhur për këtë manifestim. Manifestimi vazhdon me ndarjen e çmimit "Azem Shkreli", ngjarje kjo e cila zhvillohet në sallën e tetarit të qytetit "Istref Begolli"

Pasdite bëhet hapja e ekspozitë së Afërdita Cakës,ku edhe vazhdohet me leximet poetike si dhe bëhet ndarja e çmimit ndërkombëtar "Lirika Poetike".

Gjatë mbajtjes së manifestimit, mysafirët do të kenë rastin të vizitojnë edhe monumentet kulturore në këtë qytet. Nga ora 21 e kësaj dite do të zhvillohet manifestimi përmbyllës, ku pritet të zhvillohet një spektakël nga Ansambli Folklorik Autokton "Rugova", me flakadan dhe valle rugovase. Në këtë kuadër vazhdojnë edhe leximet letrare si dhe ndarja e mirënjohjeve për pjesëmarrësit. Në këtë kuadër bëhet edhe ndarja e çmimit "Poezia më e mirë e takimeve letrare "Azem Shkreli".Mbyllja e takimeve bëhet në sheshin e qytetit të Pejës.

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë vazhdoi shkollën e mesme, për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosovafilmit.

Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim "Zogj dhe gurë", botuar më 1997. Vdiq në pranverën e vitit 1997.