‘Fmitë e non-të-dhetave’ prezantohet në Tiranë

Kultura May 18, 2017 - 16:52

Ekspozita “Fmitë e non-të-dhetave”, në të cilën prezantohen gjashtë artistë të rinj kosovarë, do të udhëtojë për në Tiranë, shkruan "Zeri.info".

Jetë Dobranja, Engjell Berisha Jr., Era Buza, Meddy Huduti, Nita Qahili e Yll Xhaferi me punimet e tyre tregojnë periudhën në të cilën janë rritur, atë të viteve të 90-ta. Tiranasit do të kenë mundësi ta shohin punën e këtyre artistëve më 27 maj në Destil Hostel Albania. Kjo ekspozitë u hap gjatë muajit prill në ambientet e Galerisë Qahili në Prishtinë.

Për gazetën “Zëri” Nita Qahili, drejtoreshë e kësaj galerie, pati thënë se qëllimi i kësaj ekspozite ka qenë të mbledhë disa fëmijë të asaj periudhe që sjellin rrëfimet e tyre të ndryshme nga njëri-tjetri.

“Fmitë e non-të-dhetave” planifikohet të udhëtojë nëpër vendet e rajonit, por edhe më tej. Në shtetet e tjera, ku dallimi “para dhe pas luftës së fundit” ndryshe prej Ballkanit, nuk ekziston. “Planifikojmë që ekspozita të udhëtojë në disa vende. Ky ka qenë qëllimi qysh në nisje të kësaj ekspozite. Ne duam ta thyejmë tabunë e pamundësisë së udhëtimit. Nuk duam që mungesa e vizave të jetë pretekst. Është shumë e rëndësishme që kjo ndarja para dhe pas luftës që ekziston te vendet e Ballkanit, por jo edhe te pjesa tjetër e Evropës të përcillet përmes neve atje. Ne mendojmë të shkojmë në Paris, Romë ose Milano. Shpresojmë të shkojmë edhe në Islandë. Ne do t’i shfrytëzojmë kontaktet që kemi si galeri dhe ekspozitën do ta prezantojmë gjithsesi në rajon”, tha drejtoresha Nita Qahili. /Zëri/.