Orkestra simfonike, kori dhe solistët e FA-së prezantojnë një koncert

Kultura May 17, 2017 - 09:41

Në kuadër të festivalit “Student Fest” klasa e profesorit Bajar Berisha, nga Departamenti i Artit Muzikor në Universitetin e Prishtinës, organizon një koncert provim. Mbrëmja muzikore do të mbahet të premten, me fillim nga ora 20:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Nën dirigjimin e Lirjona Sylejmanit studentët do ta prezantojnë veprën Simfonia nr. 9 “From The New World”, Allegro Con Fuoco nga Antonín Dvořák, kurse me Adelinë Ndreca Kolajn ata do të sjellin Mozartin. Gent Kumanova sjell “Koncertin për piano dhe orkestër nr. 20 në D-mol”, kurse në anën tjetër Kori dhe Orkestra e Fakultetit prezantojnë “Requiem në D-mol”. Solistët që do të interpretojnë në këtë koncert janë Ylberinë Avdyli, soprano, Gjylnaze Ademaj, alt, Granit Musliu, tenor dhe Harris Bajraktari, bas.

Partner i këtij koncerti është Pallati i Rinisë në Prishtinë. Festivali “Student Fest”, që do të zgjasë deri më 19 maj, ka nisur me datën 14 dhe gjatë këtyre ditëve publiku ka mundësi të shijojë vepra të ndryshme muzikore të interpretuara nga studentët e talentuar të muzikës, të përgatitura me mbështetjen e profesorëve të tyre.