'Chopin Piano Fest' mbyll edhe një edicion të suksesshëm

Kultura April 29, 2017 - 08:35

Festivali “Chopin Piano Fest” u mbyll në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë me Filarmoninë e Kosovës dhe solistët e Festivalit, pianistët Johannes Piirto dhe Shkëlzen Baftiari, nën dirigjimin e japonezit Toshio Yanagisaëa, shkruan sot gazeta Zeri

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se për shkak të programit dhe faktorëve të tjerë që kanë ndikuar në përpilimin e tij, koncertin e fundit të këtij Festivali e bënë shumë dimensional.

“Veçantia e këtij projekti koncertal konsiston në bashkëpunimin me festivalin ‘Chopin Piano Fest’, i cili vit pas viti sjellë emra të rinj dhe pianistë me zë dhe karrierë, veçanërisht gjeneratat e reja. Kësaj radhe në programin e Orkestrës së Filarmonisë kemi dy koncerte për piano dhe orkestër, në marrëveshje me Festivalin”, ka thënë Jashari në konferencën që i parapriu koncertit.

Sipas dirigjentit Toshio Yanagisawa, secila vepër që ata interpretuan kishte një karakter të veçantë.

Mes datave 10 e 28 prill Amfiteatri i Bibliotekës Universitare u bë nikoqir i mysafirëve që kishin rastin të ndjekin në kuadër të këtij edicioni gjithsej 13 mbrëmje muzikore.

Maratonën e koncerteve e “Chopin Piano Fest” e hapi më 10 prill pianisti kroat Aljosha Juriniq, për ta vazhduar pastaj Christopher Hinterhuber nga Austria.

Por krahas programit muzikor, “Chopin Piano Fest” solli edhe ligjërata, punëtori, masterklasa dhe një çmim i cili do të ndahet për herë të parë.

Për dallim nga viti i kaluar kur Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit këtë festival e përkrahi më 10.000 euro, sivjet “Chopin..” ju ndanë vetëm 7.000.

Njëra nga organizatoret, Besa Luzha, nga ky Festival i tha ditë më parë gazetës “Zëri” se festivali “Chopin Piano Fest” tashmë është bërë brend ndërkombëtar dhe shpreson se bashkë me cilësinë do rritet edhe përkrahja institucionale.

“Në përgjithësi përkrahja është e pakët për nivelin e Festivalit, organizimin, artistët qe ne sjellim, por na mbetet vetëm të shpresojmë se përkrahja do të rritet, sepse nga ana jonë po vërehet rritja në cilësi dhe në sasi të programit, publikut dhe gjithë parametrave të tjerë. ‘Chopin Piano Fest’ tashmë është bërë brend ndërkombëtar, kështu u shpreh në një nga mbrëmjet, një ambasador në Kosovë, i cili nuk ka munguar pothuajse në asnjë mbrëmje”,tha për Gazetën “Zëri” Besa Luzha.