U dorëzuan Çmimet Vjetore në fushën e trashëgimisë kulturore

Kultura April 28, 2017 - 10:10

Në parkun arkeologjik “Ulipana” Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mbajtur ditën e enjten ceremoninë e dorëzimit të Çmimeve Vjetore në fushën e trashëgimisë kulturore, të publikuara ditë më parë.

Edi Shkuriut iu dorëzua Çmimi Vjetor për Veprimtari Jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore “Dea Dardanicae”.

Shukriu është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës. Veprimtarinë shkencore dhe profesionale e përqendroi në hulumtimet arkeologjike dhe të historisë antike, në mbrojtjen e integruar të trashëgimisë kulturore, të menaxhimit të saj dhe shfrytëzimit për zhvillime shoqërore dhe ekonomike. Në dhjetor të vitit 2012 u zgjodh anëtare korrespondente e Aka­demisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Nga 2014 është anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg.

Si shkencëtare vizituese në Universitetin e Harvardit (2002) mori pjesë në International Writing Program të University of Iowa (2005), në takime ndërkombëtare, shkencore, politike e letrare. Mori pjesë dhe në tubime shkencore si International Union for Prehistoric and Protohistoric Sciences, Sainsbury Institute for the Study of Japanese Arts and Cultures (UK), International Centre for Albanian Archaeology (UK), Cultural Heritage without Borders (CHWB); Instituti Arkeologjik (Shqipëri); Antwerp University (Belgium), Oxford University (UK), Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Prizrenit etj.

Në anën tjetër, çmimi vjetor për merita të veçanta në fushën e trashëgimisë kulturore “Shtjefën Gjeçovi” i ndahet prof. Jean-Luc Lamboley, çmimi vjetor për vepër shkencore në fushën e trashëgimisë kulturore “Zef Mirdita” i ndahet Jusuf Buxhovit ndërsa çmimi vjetor për menaxhim institucional në fushën e trashëgimisë kulturore “Muhamed Shukriu”  shkon për Arton Hoxhën.

Laureatët e çmimeve u shprehen të kënaqur me këtë vlerësim dhe e falënderuan ministrin Kujtim Shala për kujdesin që ka treguar për trashëgiminë kulturore, duke u shprehur se trashëgimia e kulturore ka një vlerë të posaçme për shtetin e Kosovës. 

Ministri Kujtim Shala u shpreh se dhënia e çmimeve në fjalë, përpos që është vlerësim dhe mirënjohje, është edhe një nxitje dhe kujdes për ekspertët të cilët merren me trashëgimi kulturore.

Bazuar në Rregulloren nr. 09/2016 për Dhënien e Çmimeve në Trashëgimi Kulturore, çmimet janë të shoqëruara me shpërblime financiare. Çmimi për Veprimtari Jetësore shpërblehet me pesë mijë euro ndërsa çmimet tjera shpërblehet me nga 2500 euro.

Juria profesionale ishte në përbërje të: Ukë Xhema, etnolog, Arben Hajdari, arkeolog, Florina Jerliu, arkitekte, Muhamet Mala, historian dhe Lajde Kolgjeraj, kryetare e ansamblit etnokulturor “Katarina Josipi”.