Plot reagime për subvencionet e MKRS-së

Kultura April 27, 2017 - 10:17

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bazë të thirrjes publike për projektet kulturore-artistike 2017, ka ndarë subvencionet e sivjetshme në fushën e kulturës. Për këtë fazë institucionet e kulturës dhe skena e pavarur kulturore do të ndihmohen me rreth 900 mijë euro. Vitin e kaluar MKRS-ja kishte ndarë 746 mijë euro për skenën e pavarur kulturore, përderisa këtë vit 880 mijë e 530 euro.

Projektet e përkrahura në fusha të ndryshme kulturore e artistike janë në funksion të promovimit dhe të njohjes së kulturës së Kosovës, nëpërmjet aktivitete të ndryshme, si: festivaleve, panaireve, ekspozitave dhe manifestimeve të ndryshme me karakter individual, kombëtar dhe ndërkombëtar. Publikimi i këtij raporti ka ngjallur menjëherë reagime si shenjë pakënaqësie nga ana e organizatorëve të këtyre festivaleve dhe aktiviteteve të tjera.

Pa përkrahje ka mbetur Qendra “Multimedia” dhe festivali “Polip”, që udhëhiqen nga dramaturgu Jeton Neziraj. Nëpërmjet një reagimi, kjo qendër thotë se ky është një vendim totalisht i padrejtë. “Të injorosh në tërësi aktivitetet dhe ekzistencën e Qendrës ‘Multimedia’ dhe të festivalit “Polip”, nuk na fyen ne, por i fyen ata. Por halabakët e Ministrisë nuk turpërohen, edhe këtë e dimë. Ministri Shala po e kryen këtë mandat si ministër dhe nga ne Qendra ‘Multimedia’ do të mbahet mend për këtë vendim të tij kaq të padrejtë dhe kaq skandaloz”, thonë ata, duke theksuar se trajtimin dhe qëndrimin e këtillë që MKRS-ka ndaj punës dhe aktiviteteve të Qendrës “Multimedia” e shohin si censurë dhe përpjekje për t’i shukatur.

Festivalet e muzikës, “DAM”, “Kamer Fest”, “Chopin Piano Fest”, e “Re Musica” kësaj radhe do përkrahen nga ana e MKRS-së vetëm me nga 7.000 euro, për dallim nga viti paraprak kur këto festivale u mbështetën më 10.000 euro secili. “Ne fillimisht u gëzuam që u publikuan rezultatet më në fund, se ne gati e përfunduam festivalin e nuk dinim sa mjete kemi. Në krahasim me vitin e kaluar kur na u kane ndarë 10.000 euro, 7.000 janë më pak, por s’kemi edhe çka të bëjmë.

Në përgjithësi përkrahja është e pakët për nivelin e festivalit, organizimin, artistët qe ne sjellim, por na mbetet vetëm të shpresojmë se përkrahja do të rritet, sepse nga ana jonë po vërehet rritja në cilësi dhe në sasi të programit, publikut dhe gjithë parametrave të tjerë. ‘Chopin Piano Fest’ tashmë është bërë brend ndërkombëtar, kështu u shpreh në një nga mbrëmjet, një ambasador në Kosovë, i cili nuk ka munguar pothuajse në asnjë mbrëmje”,tha për Gazetën “Zëri” Besa Luzha.

Një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në vend, festivali “DokuFest” edhe këtë vit do përkrahet me 30.000 euro. Nita Deda, drejtoreshë e festivalit, thotë për “Zëri” se ata mendojnë që përfitimet kulturore dhe ekonomike të festivalit që janë dëshmuar tash e sa vjet, janë në disproporcion me mbështetjen që e marrim nga shteti i Kosovës.

“Ne mendojmë që kultura duhet të jetë prioritet i shtetit tonë dhe se duhet të ketë strategji qeveritare për zhvillimin e saj dhe kritere të qarta për shpërndarjen e fondit vjetor për kulturën dhe të ketë një rritje të përkrahjes së skenës së pavarur të kulturës. Se kultura është ambasadori kryesor për prezantimin e vendit tonë si tregim suksesi në botë tregon edhe çmimi BAFTA që bashkë-produksioni i Dokufest ‘HOME’ fitoi këtë vit, duke u bërë produksioni i parë kosovar që fiton këtë çmim prestigjioz”, thekson Deda.

As organizatorët e “NGOM Fest”-it nuk janë ndarë të kënaqur nga lista e subvencioneve të MKRS. Përveç se është një shumë më e ulët se sa në edicionet e kaluara, kjo shumë e vështirëson edhe arritjen e qëllimeve të projektit që sivjet do të organizohet për herë të shtatë në Prizren. Rikujtojmë se disa organizata të kulturës, anëtare të Rrjetit të Organizatave të Kulturës në Prizren, i kanë refuzuar përmes një deklarate grantet e Komunës së Prizrenit.

Në reagimin e tyre thuhej se shuma totale e këtyre granteve nuk është aq sa gjysma e mjeteve që Komuna shpenzon për blerjen e veturave të reja, ndërsa ngjarjet kulturore çdo vit kontribuojnë miliona euro në ekonominë e qytetit. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe festivalet “DokuFest” dhe “NGOM Fest”. Për subvencionet ka reaguar edhe drejtori i Teatrit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj, Fatmir Hyseni, pasi që institucioni të cilin ai e drejton, e që për të 47-në herë me radhë mbanë Festivalin e Teatrove në këtë qytet, sivjet nga MKRS është përkrahur me vetëm 3.000 euro. “Festivalit më të vjetër në gjuhën shqipe, MKRS-ja ia ndan 3.000€ buxhet.

Nuk e di se kush janë ata ‘profesionistë’ që i vlerësojnë projektet, por me të vërtetë ‘Ju lumtë’, mbani për vete këtë shumë se ndoshta ju kryejnë punë”, shkruan Hyseni, në rrjetin social Facebook. Edhe sipas botuesit Abdullah Zeneli, me këto subvencione shumë aktivitete për librin zor se do të mbahen.

Sipas tij, rrezikohet edhe Panairi i Librit që mbahet në Prishtinë, pjesëmarrja në Panairin e Tiranës dhe prezantimi në Frankfurt. Përkundër pakënaqësive, MKRS-ja zotohet se po punon maksimalisht në konsolidimin dhe forcimin e mëtejmë të institucioneve të kulturës, si dhe në mbështetjen e skenës së pavarur kulturore, nëpërmjet përkrahjes dhe krijimit të lehtësirave të tjera, si në legjislacion bashkëkohor dhe nisma konkrete.