Më në fund pak shpresë për 'Dodonën'

Kultura April 26, 2017 - 08:21

Në ambientet e Teatrit “Dodona” është zyrtarizuar përbërja e re e Këshillit Drejtues të Teatrit të Qytetit. Këshilli Drejtues përbëhet nga emra të njohur të kulturës dhe artit.

Anëtarët e këtij këshilli janë: Drita Rudi, përfaqësuese e Komunës, aktori dhe producenti Besnik Krapi, regjisori Ismet Sijarina, aktorja Dardane Mehmeti dhe dramaturgia Albena Reshitaj.

Bazuar në statutin 01.nr.110-50578, i datës 11.04.2013 për Teatrin e Qytetit të Prishtinës “Dodona”, përcaktohet edhe struktura drejtuese e teatrit.

Mandati dhe misioni i Këshillit Drejtues të Teatrit definohet tek neni 12 “Statuti i Dodonës” si vijon:

1. Këshilli i Drejtues i Teatrit, përbëhet prej pesë anëtarëve, të cilët duhet të jenë persona me autoritet dhe me përgatitje profesionale në fusha e teatrit, kulturës, rinisë dhe arsimit;
2. Mandati i këshillit Drejtues të teatrit është katër vjeçar.
3. Njëri prej 5 anëtarëve të këshillit drejtues duhet të jetë përfaqësues i Kryetarit të Komunës.
4. Anëtarët e këshillit Drejtues të Teatrit i emëron dhe shkarkon Kryetari i Komunës;
5. Çështjet që kanë të bëjnë me konstituimin e këshillit, mbajtjen e mbledhjeve, votimin dhe çështjeve tjera me rëndësi do të rregullohen me akt të veçantë.

Komuna e Prishtinës ka bërë publike edhe kontratën për renovimin e Teatrit “Dodona”.

Ndonëse ka pasur ankesa të vazhdueshme nga ana e menaxhmentit të “Dodonës” për mungesë të përkrahjes nga ana e këtij institucioni që tash e tri vite udhëhiqet nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, drejtori i Departamentit për Kulturë, Rini dhe Sport, Besart Vllahinja, zotohet se viti 2017 do të jetë viti i “Dodonës”.

“Edhe një lajm i mirë që i përket ‘Dodonës’. Më poshtë është njoftimi për kontratë, i cili synon që Teatrin e Qytetit brenda këtij viti ta gjej me portën hyrëse, biletoren dhe foajenë e rikonceptuar dhe renovuar, skenë të re, krejtësisht moderne, sallë me disa nivele dhe me ulëse të reja të standardizuara, revitalizim i nyejve sanitare dhe sistemit të ventilimit, izolimi i bodrumit, pjesës së liftit dhe kulmit dhe jo vetëm kaq! Këto janë disa prej punëve”, shkruan Vllahinja në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Teatri i Qytetit të Prishtinës, “Dodona”, i njohur në fillim të themelimit të tij si Teatri i të Rinjve, e pastaj edhe i Fëmijëve dhe i Kukullave, ka shkel dekadën e tretë të punës së tij, por ende ballafaqohet me problemin e statusit të tij dhe të lokalit.

Viti 2016 nuk ka qenë vit fort i mirë për “Dodonën”. Siç ka treguar për gazetën “Zëri” regjisorja Melihate Qena, e vetmja premierë që ata kanë vënë në skenë është shfaqja “Fustani pika-pika”, me tekst të shkrimtarit të mirënjohur Rifat Kukaj, që ka rezultuar e pëlqyer nga fëmijët.

“Kjo shfaqje është pëlqyer shumë, sidomos nga fëmijët që kërkojnë diçka përtej lojës në teatër. Sepse teatri është lojë, por jo vetëm lojë. Teatri megjithatë e ka një mision të vetin, që kur del nga dyert e teatrit me pas njëfarë shije, me qenë ndoshta një moment kur mendon për diçka, që t’i bësh vetës një pyetje, apo të gjesh një përgjigje. Teatri e ka një detyrë pak më të thellë, sesa të jetë vetëm argëtim”, thekson Qena, duke shtuar se shtyllat kryesore të “Dodonës” vazhdojnë të jenë dashuria dhe vullneti.

Në kryeqytetin e Kosovës Teatri “Dodona” e mban primatin e teatrit të vetëm të Prishtinës, ndërsa në Kosovë e mban primatin e teatrit të vetëm të kukullave. Me punën dhe angazhimin vetëmohues të stafit të tij që nga themelimi tash e 29 vjet, është shndërruar në një institucion të veçantë të Prishtinës që ngjall edhe nostalgji për secilin, i njohur gjithmonë si një derë e hapur për çdo krijues mes artistësh dhe për spektatorë të të gjitha moshave.

Teatri i Qytetit të Prishtinës, “Dodona”, më parë i njohur si Teatri i të Rinjve, Fëmijëve dhe i Kukullave – “Dodona”, është themeluar me 12 nëntor 1986, me vendim të Komunës së Prishtinës. Që nga themelimi e gjerë më sot janë shfaqur mbi 34 premiera në skenën e teatrit të kukullave dhe mbi 70 premiera në skenën për të rritur.