Mitrovicës i kthehet edhe Rexhep Mitrovica

Kultura April 25, 2017 - 08:50

Prof. Dr. Jusuf Osmani dhe Mulla Asllan Murati, të cilët kanë hulumtuar në Arkivin e Kosovës, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në Arkivin Nacional të Londrës, në Arkivin e Institutit Historik në Beograd e gjetiu, kanë dalë me një projekt që ndriçon figurat historike të Mitrovicës. Pas Isa Boletinit, Mitrovicës i kthehet edhe Rexhep Mitrovica, shkruan sot, gazeta Zeri.

Komuna e Mitrovicës ka një projekt konkret për ndriçimin e figurave historike të saj, duke filluar nga Isa Boletini, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Ferat Draga e Sherif Voca.

Prof. Dr. Jusuf Osmani dhe imami i Mitrovicës, Mulla Osman Murati, kanë takuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, me të cilin kanë biseduar për projektin e tyre të fundit për ndriçimin e dy figurave të tjera të historisë së Mitrovicës, Ferat Draga e Sherif Voca. Prof. Dr. Jusuf Osmani, tha se për këto dy figura kishte hulumtuar disa arkiva në vend dhe jashtë vendit, madje edhe në Serbi.

Për këto dy personalitete të shquara të Mitrovicës kam hulumtuar shumë në Arkivin e Kosovës, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në Arkivin Nacional të Londrës, në Arkivin e Institutit Historik në Beograd e gjetiu. Kam hulumtuar edhe shënime stenografike në Mitrovicë, Prishtinë, Beograd e gjetiu, gazeta ditore e revista të kohës. Thënë shkurt, kam 300 dokumente që do të publikohen për herë të parë, që bëjnë fjalë për veprimtarinë për çështje kombëtare të këtyre dy figurave të çmuara të popullit shqiptarë”, tha ndër të tjera Osmani, duke folur për projektin e ndriçimit të figurave të Ferat Dragës e Sherif Vocës. Edhe Mulla Asllan Murati, tha se ka gjetur të dhëna të vlefshme që flasin për punën e madhe të këtyre dy personaliteteve në luftën e gjatë për të drejtat e shqiptarëve dhe lirinë e tyre. Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se  vlerëson angazhimin e profesor Osmanit dhe imamit Murati për të ndriçuar  dy figura të mëdha, atdhetarëve Ferat Draga e Sherif Voca.

“Kemi nevojë që personalitet që kanë dhënë shumë për çështjen kombëtare të ndriçohen, të shkruhet për ta dhe opinioni i gjerë të njoftohet për veprimtarinë e tyre në interes të kombit e atdheut. Komuna e Mitrovicës, i ka mbështetur në të kaluarën dhe do të mbështes edhe tani, aq sa lejojnë mundësitë buxhetore, projektet e këtilla me rëndësi të madhe”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Në anën tjetër, komuna e Mitrovicës ka marrë iniciativën për kthimin në Mitrovicë të mbetjeve mortore të ish-kryeministrit të Shqipërisë (5 nëntor 1943 – 16 qershor 1944), atdhetarit dhe patrioti nga Mitrovica, Rexhep Mitrovica (1887-1967). Nëse realizohet kërkesa e kreut të Mitrovicës, Agim Bahtiri, që eshtrat e tij, të cilët pushojnë në Stamboll të kthehen dhe të rivarrosen në vendlindjen e tij në Mitrovicë, atëherë pas heroit Isa Boletini, Rexhep Mitrovica do të jetë figura e dytë e rëndësishme historike që kthehet në Mitrovicës.

Kryetari Bahtiri, i ka thënë “Zërit” se me idenë e tij që synon të realizojë deri në përvjetorin e 50 të vdekjes së Rexhep Mitrovicës që është sivjet, ka marrë mbështetje të madhe nga qytetarët e Mitrovicës dhe për këtë arsye ka marrë iniciativën që bashkë me institucionet e Republikës së Kosovës dhe me ato të Turqisë të dakordohen për kthimin e eshtrave të Rexhep Mitrovicës në Mitrovicë, të cilët aktualisht janë të varrosur në Stamboll.   I pari i Mitrovicës i ka thënë “Zërit” se u ka dërguar letër presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ministrit të Kulturës, Kujtim Shala dhe ambasadës së Turqisë në Prishtinë me kërkesën që të ndihmojnë në realizimin e kësaj nisme.

“Si Mitrovicë dhe si qytetarë të Mitrovicës kërkojmë nga ju që ta shfrytëzoni autoritetin tuaj dhe të kontribuoni tek autoritetet e Republikës së Turqisë, që të bëjnë të mundur realizimin e kërkesës së komunës së Mitrovicës dhe qytetarëve të saj për t’i kthyer eshtrat e këtij patrioti në vendlindje”, thuhet në letër.  

Rexhep Mitrovica ka qenë pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës me 28 nëntor 1912, në aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, deputet i Pejës e Gjakovës në Parlamentin shqiptar, ministër i arsimit (1921-1924), reformator i arsimit kombëtar, kryetar i organizatës “Lidhja Popullore Shqiptare” me seli në Mitrovicë, kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit e kryeministër i Shqipërisë.