Shtëpizat e librit vendosen në sheshet e Prishtinës (foto)

Kultura April 24, 2017 - 14:52

Gjatë ditës se hënë në Prishtinë punëtorë të angazhuar nga Komuna kanë filluar vendosjen e shtëpizave të librit në sheshet kryesore të qytetit. Librashitësve, nga pushteti lokal i Prishtinës, tash e një kohë u ishte premtuar zgjidhje për problemin e tyre, strehim e mbrojtje nga shiu dhe i ftohti.

Por, siç konfirmon për Gazetën “Zëri”, Besian Zeneli, nga Shtëpia Botuese “Buzuku”, i cili për vite me radhë shet në sheshet e Prishtinës, konkursi për të aplikuar për t’i marr në shfrytëzim këto shtëpiza ende nuk është hapur. “Ata sot po i vendosin sot këtu në shesh por Komuna e Prishtinës ende nuk e ka hapur konkursin ku ne mund të aplikojmë dhe ta fitojmë të drejtën për ta shfrytëzuar ndonjërën nga to”, tregon Zeneli.

Komuna e Prishtinës ka shpallur në qershor të vitit 2016 fituesin e konkursit në fushën e Arkitekturës dhe Dizajnit të Enterierit për projekt-propozimin arkitektonik ‘’Këndi i librave’’ në sheshet ‘’Zahir Pajaziti’’ dhe ‘’Nëna Terezë’’. Fituese e këtij projekti është shpallur kompania ‘Studio 11’, e cila për dizajnin do të paguhet 1.200 euro. Megjithatë në këtë periudhë dy mujore nuk është dhënë asnjë njoftim për këtë projekt. Zëri

 

Image
Image
Image