Jeta është e bukur

Kultura April 24, 2017 - 08:46

Këtë javë në rubrikën javore të gazetës “Zëri”, të titulluar “Rrëfej përmes muzikës”, sjellim regjisoren e mirënjohur kosovare, Burbuqe Berisha. Në listën e këngëve të saja të preferuara Berisha na sjell në mendje super-hite si “Beautiful Day” e grupit legjendar “U2”, apo “Crazy For You” e Maddonës.

Kësaj liste nuk i mungojnë as këngët e pavdekshme të muzikës shqipe, si “Era” e grupit “Gjurmët”, apo e “E kujtoj unë atë takim” e Esat Bicurrit. Karakteristikë e kësaj liste në fakt, është edhe sensacioni muzikor i vitit që lamë pas, kënga “Bon-bon” e Era Istrefit, por nuk mungon edhe reperi Ledri Vula.

“U2” – “Beautiful Day”

“Beautiful Day” është këngë për ditë të mira. Për bukurinë e jetës. Kjo është një këngë e cila më mbush me shumë shpresë se jeta është e bukur dhe çdo herë ka edhe ditë të bukura në jetën tënde. Grupi “U2” është grup i cili më kujton shumëçka në jetën time. Në jetën sociale dhe emocionale.

Grupi “Gjurmët” – “Era”

Edhe pse nuk jam besëtyte, mendoj që  kënga “Era” e Grupit “Gjurmët” më sjell një erë të re në jetën time, si një paraprirje e fatit.

Madonna – “Crazy For You”

Muzika është mënyra më e mirë e shprehjes. Tekstet që i dedikohen dashurisë, sidomos ky tekst, që është prej atyre më direkt. Pa metafora, pa përshkrime, ashtu si është Madonna vetë, e fuqishme dhe e drejtpërdrejtë, e kjo është magjia e muzikës.

Esat Bicurri – “E kujtoj unë atë takim”

Muzika çdoherë ka qenë ushqim i dashurisë, kurse dashuria ushqim për muzikën. Kjo këngë, “E kujtojë unë atë takim”, është kështu, plotë dashuri, si ushqimi i shpirtit dhe mendjes.

Michael Jackson – “GHOSTS”

Më pëlqen versioni i plot i “GHOSTS” prej 39 minutave. Çuditërisht shumë herët më ka provokuar kjo formë muzikore e cila nuk është vetëm muzikë, por edhe film edhe ngjarje, edhe rrëfim, edhe bukuri në veti. Këngëtari Machael Jacksoni për mua është gjeni i muzikës.

Ledri Vula – “Ni gotë për ty”

“Nëse muzika është dashuri, luaje”, ka thënë Shekspiri. E kështu kënga “Ni gotë për ty” e Ledri Vulës është po ashtu plot dashuri dhe dilema dhe sa herë e dëgjoj më kujton ketë thënie të bukur dhe unike ...

Leonard Cohen – “Suzanne”

Jeta është poezi e të mira, si edhe kjo këngë e Leonard Cohen, si lumi që shkon e rrjedh si ndjenjat e bukura...

Sarah Mc Lachlan – “In The Arms Of An Angel”

Çdoherë është mirë të mendosh për një engjëll afër, edhe atëherë kur nuk e ke ...

Era Istrefi – “Bon-bon”

Era është modeli ma i mirë se edhe nga këtu mundesh të jesh yll botëror. Sa herë e dëgjoj Erën shoh një engjëll, e shoh se si ajo është rritur fizikisht po edhe artistikisht.

Prince – “Purple Rain”

Sigurisht që kjo këngë gjithmonë do të mbes kënga nga filmat që më së shumti më pëlqen dhe më frymëzon sa herë që e dëgjoj.

*Burbuqe Berisha studimet themelore dhe master i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve, dega Regji e Filmit, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë. Ka krijuar një numër të konsiderueshëm të  filmave me  metrazh të shkurtër, si dhe dokumentare, seriale televizive,  shfaqje teatrore dhe është fituese e disa shpërblimeve në  festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar.

Për një vit e gjysmë ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, për katër vite si producente në KosovaFilm, po ashtu për katër vite me radhë  si  drejtoreshë e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si  dhe të Asamblit “Shota”. Në shumë festivale filmash  ka qenë anëtare e jurive profesionale  me karakter ndërkombëtar.

Aktualisht është u.d. dekane e  Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB, drejtoreshë e  AAB Teatri “Faruk Begolli”, si dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Teatrit Profesionist të Gjakovës.