Viza apoteozë edhe për artistët

Kultura April 22, 2017 - 08:52

Kanë mbetur pak muaj deri kur në qytetin e Prizrenit do të nis ngjarja më e madhe kulturore në vend.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër “DokuFest” ende nuk e ka bërë publike temën e sivjetme, por edicioni i 14-të i këtij Festivali iu kushtua migrimit e izolimit, çështjes së mungesës së lirisë së lëvizjes dhe problemit me viza që ka Kosova, shkruan sot, gazeta Zeri.

Kjo temë vazhdon të jetë aktuale edhe gati një vit pasi Komisioni Evropian ka miratuar propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, gjatë muajit maj të vitit 2016. E gati dy vite pas, si për ironi, Drejtori ekzekutiv i “Dokufest”-it, Eroll Bilibani, mbeti jashtë “Berlinales”, pasi që Ambasada gjermane ia refuzoi kërkesën për vizë.

“Në njëfarë forme atëherë kemi dashur që të bëjmë pak zhurmë. Kemi dashur të flasim pak më shumë jo vetëm për problemin e vizave që i kanë kosovarët, por për problemin e emigrimit në përgjithësi që ndodh në botë dhe si rezultat i asaj ne kemi prodhuar edhe një film, i cili ka marrë çmimet më të mëdha nëpër festivale, madje ky film është nominuar për filmin më të mirë evropian, për ‘Bafta’ dhe krejt ai kontribut yni jo vetëm këtu në Kosovë apo në Evropë, në njëfarë forme nuk kam pritur që ka për të ndodhur kështu”, pati deklaruar për “Zërin” Bilibani. 

Rasti i tij ishte vetëm një nga të shumtët kur artistët penalizohen dhe mungojnë nëpër shumë aktivitete të rëndësishme për ta, pasi nuk arrijnë të sigurojnë një vizë.

Edhe Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, thotë se edhe në art, si në çdo fushë tjetër, liria e lëvizjes është thelbësore. Ai konsideron se gjatë kësaj periudhe të izolimit dhe përpalljes më viza artistët kosovarë kanë humbur shumë mundësi, por edhe publiku ndërkombëtarë nuk ka mundur t’i tejkalojë tërësish paragjykimet për Ballkanin, në pamundësi për t’u takuar me ta shpesh.

“Jo vetëm në art, por liria e lëvizës është thelbësore në njohjet reciproke mes njerëzve dhe kulturave. Ne kemi qenë dëshmitarë të këtyre viteve se sa shumë pengesa kemi pas në udhëtimet e shumë artisteve jo vetëm në Evropë, por edhe në vende tjera. Nga këto kufizime nuk kanë humbur vetëm artistët kosovarë, por më së shumti kanë humbur publiku i këtyre vendeve që nuk kanë pas rastin që të takohen drejtpërsëdrejti me artistë kosovarë dhe sadopak t’i thyejnë tabutë që kanë për vendet kryesisht të Ballkanit. Shpresoj që këto kufizime, sidomos për Evropë do të hiqen dhe këtyre barrierave do t’iu vije fundi”, thotë Zharku.