Ndihem mirë si qenie shumëidentitare

Kultura April 22, 2017 - 08:49

Në rubrikën “Jepi Zërit”, prezantojmë Shqiptar Osekun, i lindur në Gjakovë dhe që ka vite jeton në Suedi. Është autor e koautor i disa antologjive të poezisë së përkthyer suedisht-shqip si dhe autor i disa përmbledhjeve me poezi.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Pyetjen që i bëj më shpesh vetes është, ç’është gjëja e drejtë për të bërë? Kam një punë të tillë, jam drejtor në shërbime sociale, e në tryezën time më vijnë rregullisht për vendim lëndë që dalin jashtë rutinës. Dhe më duhet ligjërisht, por edhe dua vetë gjithmonë, që të kem një arsyetim të qartë, një motivim etik të kristalizuar për çdo vendim të zorshëm. Ja merri rrenat e bardha ta zëmë, që shpesh quhen të domosdoshme për hir të tjetrit, ndërsa në fakt shpesh na duhen për të ruajtur rehatinë vetjake. Edhe kur shkruaj, ka raste kur përpunoj gjëra që mund të jenë lënduese për tjerët, e më duhet të reflektoj rreth të njëjtës pyetje. Nganjëherë është zor t’ia qëllosh se ç’është gjëja e drejtë për të bërë, nganjëherë nuk ka gjë të drejtë, por duhet zgjedhur midis dy kobesh, e kobi më i vogël quhet “gjëja e drejtë”, por njeriu ka një detyrim moral që gjithmonë të orvatet së paku. Të përpiqet të gjykojë etikisht. Ka një trend viteve të fundit mes terapistësh në Suedi, që e quajnë terapia filozofike, ku njerëzit mësohen të reflektojnë për jetën e vet me ndihmën e filozofëve, goxha shpesh pra filozofëve të moralit. Them se ky trend nuk është i rastit, them se përmbush një nevojë thellësisht njerëzore.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Në aspektin e jashtëm, është udhëtimi 1.5 orësh nga shtëpia në punë, e 1.5 orësh anasjelltas. Dita ime nis rreth 05:30, kur ngrehem të kem pak kohë për vete sepse në 06:30 më duhet të zgjoj fëmijët. I shpie me veturë në shkollë, kthehem prapë dhe parkoj veturën para apartamentit tim, e marr metronë 1 orë gjer në punë. E njëjta përsëritet pas punës. Them se është orar i rëndomtë këtu ku jam unë. Në planin e brendshëm, është udhëtim më i gjatë, nga ai i të qenit njeri privat, që lexon poezi e merret me fëmijët e vet, drejt të qenit drejtues në një sektor publik me përgjegjësi në instancë të fundit për mirëqenien e rreth 400 njerëzve. Është edhe distanca midis identitetit shqiptar e atij suedez, distancë kjo të cilën e shtegtoj rregullisht përditë. Unë shkruaj edhe suedisht, edhe shqip. Edhe në ëndrra mendoj në dy gjuhët. Në shtëpinë time fëmijët flasin shqip me mua, persisht me të ëmën, suedisht me shoqet që na vijnë për vizita, ndërsa në shkollë mësojnë edhe anglisht e spanjisht. Është pothuajse e pabesueshme se me ç’lehtësi i ndërrojnë ato gjuhë të ndryshme, si unë kur ndryshoj sociolekt, pra zhargonin varësisht se a flas me fëmijët, me shoqëri, a me shefen time në punë. Edhe këto distanca do kapërcyer përditë. Por njeriu është specie shtegtare, e evoluuar për kapërcim distancash. Unë ndihem mirë si qenie shumëidentitare, në lundrim me velat hapur. Besoj se kjo është natyra e vërtetë e njeriut

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Për momentin po lexoj Elena Ferranten, para saj kisha Susanna Alakoskin në suedisht.  Më parë lexova romanin “Ikje”, nga Majlinda Bregasi. Jam shumë i fascinuar nga zejtaria e saj në të shkruar. Nuk vihet re fare se është romani i parë, thuajse ka shkruar dhjetëra më parë. Në shqip më lë mbresë Elvira Dones, një autore që shkruan herë shqip, e herë italisht, duke eksploruar një dimension të migrimit që u flet përvojave të mia. Për shkaqe të natyrshme kam një debulesë për autorët skandinavë. Kam përkthyer si autor a koautor katër antologji poezish. Kam përkthyer nobelistët Harry Martinsson dhe Tomas Tranströmer, poeten e mrekullueshme Ann Jäderlund, kështu për t’i përmendur vetëm disa. 

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Unë nuk shoh ndonjë arsye për pesimizëm. Dhe nuk mendoj që kemi një krizë identitare. Identiteti shqiptar është i kristalizuar në Kosovë, përkundër eksperimenteve gjermanolindore me kombsajim. Ja unë, ta zëmë, mendoj se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen, jo veç si shqiptar, por edhe si evropian, sepse kështu bashkojnë resurset dhe krijojnë një treg më të madh, e lehtësojnë aleatët nga barrët e paqeruajtjes në Ballkan. Në vizionin tim kjo Shqipëri është pishtar qytetërimi, e ka respekt për minoritetet etnike e fetare e seksuale, pse unë nuk shoh as ndiej ndonjë konflikt mes të qenit shqiptar dhe të qenit evropian i mirë, për mua ato shkojnë bashkë natyrshëm. Sikur të kishte një konflikt mes Shqipërisë ashtu siç e shoh unë dhe vlerave etike e morale, do t’i zgjedhja këto të dytat, gjithnjë natyrshëm si përgjigje të pyetjes me të cilën nisëm intervistën, ç’është gjë e drejtë për ta bërë? Njerëzit gjithmonë kanë pasur identitete të shumëfishta, njeriu mund të jetë shqiptar, e evropian, e kosovar, e prind, e tifoz i Vëllazërimit, e gjakovar, e suedez, e poet, e fëmijë në të njëjtën kohë dhe pa konflikte të brendshme.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Them se kultura shqiptare ka qenë e shkëputur gjatë prej rrjedhave ndërkombëtare të kulturës, por se ne po kyçemi prapë te to, në një proces të përzgjatur dhe gjithë dhimbje. Sa i përket letërsisë, them se rolin më pozitiv e luajnë sot përkthyesit, që kanë vërshuar tregun me vepra. Më duket se ata ua hapin njerëzve sytë me gishtërinj, që të shohin se ç’bëhet gjetkë. Nuk e di si mundet njeriu të aspirojë majat e kulturës botërore, pa tentuar asnjëherë t’i tfillojë kësaj bote atë që e njeh më mirë se kushdo tjetër, eksperiencën shqiptare.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

-Kjo pyetje është tepër e madhe për mua, ndaj mund të përgjigjem vetëm për veten time. Unë jam rritur në Kosovën e totalitarizmit, në familje të goditur nga shteti. Kam pasur rritë të zorshme, plot dhunë, dhe jam edukuar të përbuz e të urrej ata që kujdesen së pari për veten, për familjen e vet, t’i quaj egoistë e tradhtarë. Disa ndoshta ishin, se flasim për epokë të diktaturës, por disa mbase kishin qoshqet e veta të lumturisë, për të cilat s’i kanë borxh askujt. Sidoqoftë, kjo ishte fryma në të cilën jam rritur unë, me gjithë të mirat e të ligat e veta. Sot po përpiqem që të bëhem më shumë si ata që dikur jam edukuar t’i përbuz e t’i urrej, pra të kujdesem për veten, për familjen time. Nuk jam arrivist, nuk shkel mbi kufoma të tjerëve për të arritur caqet e mia, por them se kam kryer detyrimet e mia, jam në paqe me veten, e mund të rroj e të eksploroj atë që dua, për hir timin. Nesër, them se do të jetë më mirë se sot.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Në art do të doja që Astrid Sylwan, një artiste suedeze, të shfaqej në Kosovë. Ashtu si do të doja që Sislej Xhafa të shfaqej në Suedi. Nga këngët jam admirues i vokalistëve e instrumentistëve në jazz, dëgjoj shpesh kanadezen Melody Gardot e danezen Anne Brun, por kur shkruaj kam në sfond raga të Indisë. Film s’kam kohë të shoh aq shpesh sa do të doja, por më pëlqejnë dramat dhe fantashkenca e mirë. Jam trekker në parim, edhe pse ndoshta nuk arrij dot në praktikë. Tash së fundi pashë filmin Whiplash, kush s’e ka parë ia rekomandoj, ka muzikë të mirë e storje fantastike.