Libër poezish me prani të fortë ndjenjash

Kultura April 21, 2017 - 16:04

Sapo ka dalë nga shtypi libri më i ri me poezi i krijueses letrare Brikenë Ceraja Beka.

Libri “Më fal pak dashuri” i poetes Ceraja-Beka, vie pas dy vëllimeve paraprake të saj poetike, “Fytyra e babait” (2002) dhe “Udhëtim me fjalën e vrarë” (2007), transmeton rtklive.com.

Ragip Sylaj, shkrimtar në recensionin për librin e fundit të Cerajës thotë se vie me një gamë më të gjerë tematiko-motivore, por edhe me një pjekuri në planin estetik dhe më provokuese në planin semantik. “Këtë pasuri tematiko-motivore, autorja e shton me kërkimet e saj krijuese nga bota fizike e metafizike, nga natyra objektive e ajo subjektive dhe nga bota personale për t’u shtrirë në atë universale”, thotë Sylaj.

Preokupimet e subjektit lirik të përmbledhjes së poezive “Më fal pak dashuri”, të autores Brikenë Ceraja Beka, sipas shkrimtarit Sylaj nisin me “Vjeshtën e akullt”, duke u ndalur në situata e momente të veçanta emocionale dhe, duke e krijuar e plotësuar një “Album nëpër kohë”.

“Ky ravijëzim krijues e poetik stiset në situata të tilla, qoftë kur prekin shpirtin e poetes për shkaqe kryesisht personale a familjare (si për shembull, evokimi i kujtimeve për prindërit), qoftë për shkaqe të empatisë, si gjendje që vendos raporte të caktuara humane me një subjekt tjetër”, shkruan Sylaj.

Ndërkohë Zahrije Kapllanaj, ligjëruese e letërsisë në Fakultetin Filologjik duke folur për poezinë e Brikenë Cerajës, thotë se ajo befason me gjetje letrare e me prani të fortë ndjenjore, të llojit të vet. “Këto shoqërohen me organizimin e duhur gjuhësor e poetik”, thotë Kapllanaj, duke shtuar se poezitë e Bekës lënë një shije të theksuar në lexim, me dëshirën që t’u rikthehesh prapë.

“Mbretëron vargu i lirë, të cilin e përshkon muzikaliteti, po jo metrika, vargu i lirshëm, në stilin e “të gjuajturit të fjalëve”, të cilat pastaj funksionalizohen pa pasur nevojë t’u shtrohen rregullave gjuhësore”, thotë Kapllanaj. Ndryshe, Brikenë Ceraja – Beka, autore e librit “Më fal pak dashuri” është e bija e poetit të ndjerë e të njohur kosovar Jakup Ceraja.