Dita Botërore e Librit shënohet me një festival dedikuar librit

Kultura April 21, 2017 - 09:11

“Krim më i madh se djegia e librave”, sipas Joseph Brodsky, “është mos leximi i tyre”.

Organizata joqeveritare “ETEA”, në bashkëpunim me Qendrën Sociale “Termokiss”, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Librit organizon Festivalin e Librit 2017.

Festivali do të mbahet më datë 24 prill nga ora 17:00 në amfiteatrin e “American School of Kosova”.

Duke mobilizuar fytyrat publike dhe duke shfrytëzuar artin si metodë, ‘Festivali i Librit 2017’, që organizohet për të tretin vit radhazi, synon edukimin publik nëpërmjet avokimit, përkatësisht ndërgjegjësimin social rreth rëndësisë së librave dhe leximit të tyre.

Programi do të përmbajë aktivitetet si në vijim: Shfaqjen ‘Play Reading’ (Lexim Skenik) të librit “Fahrenheit 451” me regji nga Ardi Mejzini, skenografia nga Florent Kurtalani, ndërsa luajnë aktorët: Daniela Markaj, Besart Zeneli, Rajmonda Ahmetaj, Armend Zeqiri, Kaltrinë Zeneli, Arta Lahu dhe Armend Ballazhi, “Sjell një libër – merr një tjetër”, Panel diskutimi (sesione pyetje përgjigje me audiencën) për gjendjen e librit në Kosovë dhe kulturën e të lexuarit tek të rinjtë, ‘Slam Poetry’ – Mikrofon i hapur për shkrime të pabotuara, Shpallja e lexuesve të vitit “Bibliobibuli 2016/17” në bashkëpunim me Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” si dhe ekspozitë me piktura për librin, si dhe pikturim përgjatë programit nga Labentinë Shala si dhe krejt për fund disa pika muzikore nga instrumentistë të rinj në piano, çelo, violinë, kitarë, etj.

Partnerë të projektit janë Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, Prishtina Hackerspace, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Instituti Albanologjik, Këndi Amerikan si dhe Libri Shkollor.

Ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të Librit e ka origjinën e vet në Spanjë në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil.

Dita Botërore e Librit u shpall më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj.