Pozita e mjerë e librit ndër ne

Kultura April 21, 2017 - 09:10

Më 1995 UNESKO, pjesë e së cilës nuk jemi ne, ka vendosur që 23 prilli të jetë Ditë Botërore e Librit. U zgjodh kjo ditë në mënyrë që nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme për librin t’u shprehet mirënjohje librave dhe autorëve, por njëkohësisht kjo ditë të shfrytëzohet që t’i nxisë njerëzit për të lexuar sa më shumë. Kjo datë u zgjodh shkaku që përkon me ikjen nga kjo botë të kolosëve të mëdhenj të letërsisë, Miguel de Servantesit dhe Viliam Shekpirit. Pjesë e rëndësishme e kësaj dite të madhe për librin është edhe e drejta e autorit dhe respektimi i saj.

Dita e librit këtë vit qëllon të jetë të dielën, ditën kur thuhet se edhe Zoti pushon. Pushojmë edhe ne sigurisht. Po mbajti moti i mirë, ikim nga betoni dhe dalim në natyrë, ku nuk guxon të mungojë skara për mish a saçi për flija. Në këso rastesh nuk do të duhej të mungonte edhe libri, por është rast i rrallë, shumë i rrallë, tek sheh ndonjë që për strehë të veten ka gjetur ndonjë letër të shtypur. Madje tepër rrallë sheh ndonjë me gazetë në dorë, lere më me libër!

Një librar më pyet me habi se përse njerëzit turpërohen nga librat. Më thotë pastaj se le që njerëzit blejnë libra rrallë, por edhe kur i blejnë kërkojnë që ato t’ua mbështjelli mirë me ndonjë qese najloni jo të tejdukshme. Pa e zgjatur i them se habia ka kohë nuk banon këtu dhe dal me një libër nënsqetull.

Sheshit të kryeqendrës sheh tezga të ngarkuara së tepërmi me libra. Ndalesh dhe kërkon një libër që mund të ta zëvendësojë një mik të mirë. Lexon emrat e autorëve nëpër kopertina dhe titujt si shenjë identifikuese të përmbajtjes dhe detyrohesh t’i mbyllësh sytë dhe të ikësh nga aty, mbase edhe ta marrësh malin. Në ato tezga sheh libra autobiografikë, libra monografikë, libra me poezi e romane të shkruara nga tipa që bëjnë pjesë në këtë kategorinë e analfabetëve funksionalë, që të strukturuar nëpërmjet politikës kanë arritur t’i kapin të gjitha institucionet e bashkë me to edhe vetë shtetin.

Një gjendje vërtet shqetësuese; libri ndjekë lexuesin, lexuesi ikën nga libri! Në këtë mënyrë kemi krijuar më shumë shkrimtarë se lexues! Dhe kanë të drejtë lexuesit, edhe ashtu të pakët, të ikin nga librat e tillë, sepse, siç thotë edhe Hauf, se shoqërimi me libra të këqij është më i rrezikshëm se shoqërimi me njerëz të këqij. Po ndërsa lexuesit mund të ikin nga tezgat e tilla, çfarë zgjidhje mund të bëjnë nxënësit nëpër shkolla, ndërsa nuk kanë ku të ikin nga bibliotekat e tyre!?

I gjithë ky inflacion botimesh të autorëve që nënshkruajnë libra të tillë në funksion të logjikës së ndërtimit të heronjve që mbanë gjallë strukturat mediokre, përfundojnë nëpër libraritë e shkollave. Sepse injorantët dhe mediokrit kërkojnë të vihen nëpër rafte karshi emrave të mëdhenj të letrave të shkruara. Kështu nxënësit tanë detyrohen të shoqërohen me libra që nga to nuk kanë asnjë dobi, përkundrazi. Dhe nëse e marrim si të qenë faktin se libri është mjeti më i mirë për ta ndërruar botën e njeriut, atëherë del se këtë ndërrim e bëjmë për së mbrapshti. Pra në këtë mënyrë veç sa stimulojmë dhe pasurojmë ushtrinë e injorantëve dhe mediokritetit, e cila ka kohë ka pushtuar këtë vend dhe nuk e lëshon nga kthetrat e saj.

Sigurisht që në këtë botën tonë të lirë, të mbështetur në logjikën e kapitalit dhe të konsumit, secili ka të drejtë të shkruajë dhe të botojë edhe libra mbase, po çështja është se librat e tillë në masën më të madhe botohen nëpërmjet taksave tona, duke qenë të sponsorizuara nga institucionet. Për më keq autorët e këtyre librave në këtë mënyrë ndërtojnë edhe alibinë që librat e tillë t’i shpërndajnë nëpër biblioteka, tek shohin se blerës për to nuk mund të gjejnë.

Në këtë kuptim, tani në Ditën Botërore të Librit, që ndër të tjera ka kuptimin e stimulimit të njerëzve për lexim, mund të konstatojmë se lexuesi ynë, edhe ashtu i pakët, ndeshet me një destimulim, gjë kjo e cila veç sa ndikon në zvogëlimin e atyre që librin e konsiderojnë si mikun më të mirë dhe si mjetin për të ndryshuar për të mirë.

Në anën tjetër, kur bëhet fjalë për këtë ditë, nuk mund e të mos përmendim pozitën dhe të drejtën e autorit, e cila përbën një nga motivet e rëndësishme të kësaj date kaq të rëndësishme për librin në botë. Sigurisht që edhe e drejta e autorit duhet kundruar nga rrafshi i shpërfaqjes së injorancës, përkatësisht institucioneve tona të kapura nga krimi dhe korrupsioni. Është gjendje e tmerrshme kjo çka ndodhë me botimin dhe tregun e librit. Gjithandej botues ilegalë, hajna e matrapazë që keqpërdorin të drejtën e autorit, në këtë rast mundin dhe djersën e tjetrit pa pyetur fare. Dhe në një vend ku sistemi i drejtësisë është i kapur nga bandat, të flasësh për të drejtën e autorit dhe respektimin e saj është një gjë e kotë.         

Sigurisht në këtë ditë do të duhej të reflektonim edhe për pozitën e librit në kuadër të hapësirave shqiptare, përkatësisht bashkëpunimit që ndodhë a po jo në këtë fushë. Deri tash kemi vërejtur vështirësi të mëdha të qarkullimit të librit nëpër kufirin që ndanë atdheun e njëjtë të librit shqip, mbase kemi vërejtur vështirësi më të mëdha se të qarkullimit të mallrave shumë më pak të rëndësishëm. Megjithatë kjo është një çështje më komplekse që nuk ka hapësirë në këtë shkrim. Po ndoshta mjafton që më 23 prill të kujtohemi edhe për këtë dhe së paku të krijojmë një mundësi debati, nëpërmjet të cilit do të vlerësonim më mirë pozitën e librit në këtë rrafsh.