Krijimtaria e Musine Kokalarit prezantohet në Milano

Kultura April 20, 2017 - 08:39

Krijimtaria e shkrimtares shqiptare Musine Kokalari do të prezantohet para lexuesve italian. Kjo do të bëhet në panairin e botuesve italianë në Milano “Tempo di Libri”, që do të zhvillohet mes datave 19-23 prill.

Përveç ekspozimit të librave nga letërsia shqipe pranë stendës së Rajonit të Puglias, më datë 21 prill do të zhvillohen edhe tri takime të rëndësishme për letërsinë shqipe dhe bashkëpunimin kulturor mes Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi.

Deti Adriatik si lidhës dhe përshkues i kulturave të vendeve në brigje të tij: “Deti epet për t’u përshkuar” është emërtuar nisma e Rajonit të Puglias, Fondacionit Gramsci në Puglia dhe shtëpisë botuese ‘Besa’ (pjesë e Salento Books) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Konsullatës shqiptare në Milano, Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi për prezantimin e promovimin e letërsisë shqipe dhe asaj malazeze në Itali, si dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndër territorial mes këtyre vendeve në fushën e kulturës.

Për Kokalarin do të flitet në takimin e dytë të këtij organizimi, iniciuar nga Ministria e Kulturës dhe Biblioteka Kombëtare, në vijim të projektit vjetor të këtyre dy institucioneve mbi promovimin e figurës dhe veprës së Musine Kokalarit në përvjetorin e 100 të lindjes së saj, ku do të jenë të ftuar profesori i asociuar i Antropologjisë në Universitetin e Mesinas, Mauro Geraci, hartues i botimit në gjuhën italiane të librit “Musine Kokalari, jeta ime universitare. Kujtimet e një shkrimtareje shqiptare në Romën fashiste”, si dhe profesori i Filozofisë moderne në Universitetin Urbanian në Romë, Adrian Ndreca në bisedë me Mimoza Hysën, drejtore e Drejtorisë së Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit në Ministrinë e Kulturës do të zhvillohet në orën 14:00 në po të njëjtën stendë.

Takimi do të zhvillohet nën siglën D si Disidenca, në përshtatje me hartën e tematikave sipas shkronjave të alfabetit të hartuar nga organizatorët e panairit të librit në Milano. “Musine Kokalari – vetëdija e shkrimit dhe qëndresës” është dhe tema për të cilën do të diskutohet duke u përqendruar tek figura e Musine Kokalarit si shkrimtarja e parë në letrat shqipe, me një vetëdije të qartë për shkrimin e letërsisë, si intelektuale e shquar e aktive në jetën sociale e kulturore të vendin, si politikane bashkëthemeluese e Partisë Social-Demokrate dhe si njëra prej figurave më dinjitoze të qëndresës kundër diktaturës komuniste.

Në fokus të bisedës do të jetë libri i Musine Kokalarit me kujtimet e viteve të shkollimit të saj në Romë, i shkruar në gjuhën italiane, duke dëshmuar kështu një ndër të parat përpjekje të autorëve shqiptarë për t’i kapërcyer pengesat gjuhësore në promovimin e krijimtarisë së tyre jashtë vendit.