Shtatoret vazhdojnë të nxisin debat në Kosovë

Kultura April 20, 2017 - 08:38

Hapja e konkursit për rregullimin e ambientit për vendosjen e shtatores së Fadil Hoxhës nga Komuna e Gjakovës ka nxitur debat se shtatoret e kujt duhet të ngrihen së pari.

 Busti i Fadil Hoxhës shumë shpejt pritet të zërë vend në afërsi të kryqëzimit të rrugëve “Nëna Tereza” dhe “Ismail Qemali”, pranë hotelit “Pashtriku” në qytetin prej nga vinte Hoxha.

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari, duke folur për konkursin e hapur për ndërtimin e shtatores së ish-liderit komunist Fadil Hoxhës, që u përcoll me akuza të shumta që kanë të bëjnë me rëndësinë që figura e Fadil Hoxhës kishte në Kosovë, ka treguar se vendimi i vendosjes së shtatores është marrë në mandatin e kaluar, kur Gjakova udhëhiqej nga Pal Lekaj, i cili tani po e kundërshton ndërtimin e përmendores.

Kryetarja e Gjakovës ka thënë se subjektet politike që tani kanë dalë kundër përmendores së ish-kryekomunistit më parë e kishin nderuar Hoxhën si figurë të rëndësishme historike.

Ajo ka shtuar se në këshillin organizativ në varrimin e Hoxhës kishin marrë pjesë Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Agim Ceku dhe shumë intelektualë. Kusari gjithashtu ka thënë se edhe vdekja e bashkëshortes së ish-liderit komunist është organizuar nën patronatin e ish-kryetarit Lekaj.

Madje ajo ka thënë se kjo shtatore do të jetë atraksion në komunën e Gjakovës sepse është pjesë e historisë së ndërtimit të kombit.

Ismet Kryeziu nga “Kosovo Democratic Institute” KDI shkruan se busti i Fadil Hoxhës duhet të shihet si përfaqësim i një mendësie politike.

“Komunizmin nuk e kundërshtoj si ideologji antishqiptare, por si ideologji në kundërshtim me vlerat e demokracisë. Prandaj busti i Fadil Hoxhës
nuk duhet të shihet si figurë patriotike apo tradhtare, por si përfaqësim i një mendësie politike komuniste. Iniciativa për bustin e tij duhet ta hapë diskutimin se çfarë duam, çfarë nostalgjie kemi për një sistem tjetër vlerash të ndryshëm nga demokracia. Angazhim për ndryshim apo rikthim të një mendësie ideologjike”, thotë Ismet Kryeziu.

Në anën tjetër Ardit Halilaj, student i universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, përfaqësues i studentëve në Parlamentin Studentor të UGJFA-së, ka thënë ditë më pari se më mirë të ndërtohet shtatorja e Fehmi Aganit sesa ajo e Fadil Hoxhës.

Halilaj kishte kërkuar nga Këshilli Drejtues i Universitetit, rektori i Universitetit të Gjakovës, Komuna e Gjakovës dhe nga MASHT-i për ndërtimin e shtatores së veprimtarit të shquar Fehmi Aganit.

Më 21 janar 2016, në emër të organizatës studentore bashkimi studentor “Fehmi Agani”, iu drejtuan Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, rektorit të Universitetit, MASHT-it dhe Komunës së Gjakovës për ndërtimin e shtatores së Fehmi Aganit, që sipas studentëve ishte e nevojshme, në kërkesë theksuan se duhet një shumë e konsiderueshme për ndërtimin e saj, por institucionet relevante ta marrin përgjegjësinë, në mënyrë që fondet të mblidhen bashkërisht dhe të ndërtohet shtatorja. Por kjo kërkesë e studentëve nuk është marrë parasysh nga asnjë institucion.

“S’është alternativë ndërtimi i shtatores së Fadil Hoxhës, Nëse shtatorja e ish-kryekomunistit të Kosovës Fadil Hoxhës ndërtohet në Gjakovë studentët do ta rrënojnë atë dhe për këtë jemi të bindur, do të mobilizohemi brenda pak orësh dhe do ta rrënojmë”, thotë Halilaj.

Edhe sipas profesorit universitar Rrahman Paçarizit Gjakova ka shumë figura tjera me të cilat mund të krenohet.

“Gjakova do të mund të krenohej më shumë sikur t’u ngriheshin përmendore Ali Podrimjes e Besim Bokshit, figura të kulturës shqiptare me përmasa ndërkombëtare.
Gjakova duhet të lirohet nga e kaluara komuniste. Qindra të vrarë e të rrëmbyer e të zhdukur nga Serbia e pashkëputur nga komunizmi janë argument i mjaftueshëm besoj. Pastaj, historia e Gjakovës nuk është veç histori e Gjakovës, përderisa ajo është pjesë e Kosovës. Lërini në mëkatet e meritat e tyre figurat kontroverse të komunizmit jugosllav, s’e kemi për ngut historinë. Kthehuni kah figurat e kulturës e të shkencës, Gjakova ka dhënë shumë të tillë”, shkruan Paçarizi.

Për poetin nga Gjakova Shqiptar Osekun, që jeton prej vitesh në Suedi, vendosja e shtatores së Fadil Hoxhës bie ndesh me krejt aspiratat e deklaruara të shqiptarëve.

“T'i ndërtosh sot përmendore një aparatçiku lokal nga epoka e komunizmit eurolindor është absurd. Kjo bie ndesh me krejt aspiratat e deklaruara të shqiptarëve. Bie ndesh frontalisht me synimet e pohuara sa e sa herë për shoqëri demokratike, për integrim në Evropë”, shkruan ndër të tjera Oseku.

Rikujtojmë së “mollë sherri” në Prishtinë u bë edhe një shtatore tjetër. Bëhet fjalë për atë të Anton Çettës, veprimtarit për pajtimin të gjaqeve ndër shqiptarë, vendosja e së cilës pranë Institutit Albanologjik është shtyrë për një periudhë të pacaktuar kohore dhe për arsye të paqarta për publikun. /ZËRI/ 

Image