Debati për filmat komunist në Shqipëri

Kultura April 18, 2017 - 10:06

Shkrimtari Agron Tufa, njëherësh drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, ka propozuar kufizim të shfaqjes së filmave të realizuar gjatë viteve të diktaturës, si dhe propozon ngritjen e një komisioni ekspertësh për të vlerësuar e seleksionuar filmat, gjë e cila ka shkaktuar shumë debate. 

"Ç'rol edukativ mund të përmbushin filmat propagandistikë që nxitin urrejtjen midis shqiptarëve, që ushtrojnë gjenocid me luftën e klasave, fenë e besimet fetare, penat e poetët më të rëndësishëm të periudhës së Paraluftës së Dytë Botërore, që shpikin sabotatorë dhe u bëjnë jehonë gjyqeve të partisë, që shajnë e anatemojnë borgjezinë, Evropën e SHBA?!", ka thënë Tufa.

Sipas shkrimtarit, filmat nuk mund të zhduken, por ata do të jenë pjesë e arkivave dhe objekte studimi dhe se filmat e seleksionuar sipas shkallës së ideologjisë që mbartin, të transmetohen në një orar të vonë, duke u paraprirë këtyre filmave me një bisedë 5- minutash.

"Filmat nuk zhduken. Ata mbeten në arkiva, janë të hapur për studime. Por të mos ketë transmetim free 24 orë, siç po ndodh, në më shumë se 30 kanale", tha Tufa.

Edhe shkrimtari Ismail Kadare, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, foli për këtë çështje. I pyetur në njërin nga debatet e hapura që mbajti, Kadare tha se është e pa tolerueshme që sot e kësaj dite të vazhdojnë të shfaqen filma, ku spiunimi konsiderohet vlerë.

“Është krejtësisht e pahijshme, e pamoralshme, e pa tolerueshme, që spektatori shqiptar t’i shohë sot ata filma, ku ka personazhe, fëmijë që spiunojnë në favor të regjimit”, u shpreh Kadare. Më tej ai tha: “Sektori i kinematografisë ishte më i kontrolluari, më në shërbim të propagandës së regjimit komunist. Mjerisht ata që ishin kineastë, regjisorë, skenaristë, operatorë, megjithëse shkuan në shkolla të mira lindore, të mëkuar me modele nënash të ashpra, baballarësh komunistë, u kthyen dogmatikë dhe produktet e tyre janë të egër, pa lirizëm. Shikoni një film nga të paktët e periudhës komuniste që ka një skenë lirike: është një prift që do të përdhunojë një murgeshë të hijshme! E imagjinoni çfarë absurdi? Në filmat tanë nuk kishte humanizëm, nuk kishte histori dashurie, por kishte egërsi. Imagjinoni dhe në filmat për fëmijë, kishte mësime si të ishin vigjilentë, si të raportonin për armikun e klasës. Dogma e armikut të klasës ishte dominante”.

Studiuesi i njohur Aurel Plasari, në një nga televizionet në Shqipëri, për këtë temë ka deklaruar se, ndërsa në Shqipëri ka parti komuniste që garojnë për pushtet, zor është të debatohet në këtë temë.

Në anën tjetër, sipas Ardian Vehbiut, këtij debati i mungon përpjekja për të shpjeguar suksesin e këtyre filmave në publik, pavarësisht natyrës së tyre si produkte propagandistike dhe ideologjisë që (duan të) përçojnë.

“Edhe unë besoj se filmat e Realizmit Socialist nuk kanë ndonjë vlerë artistike të tillë që t’ua përligjë mbijetesën, së paku në këtë shkallë që vërehet sot; pa folur pastaj për rolin që u ish ngarkuar të luanin nga zyrat e propagandës të KQ të PPSh dhe nga regjimi që i financonte. Por kjo nuk ka shumë lidhje me suksesin e tyre, edhe dje edhe sot, sepse bëhet fjalë për një publik pa pretendime artistike dhe të pirur për të konsumuar produkte të kulturës pop. Prandaj, që filma të tillë ndiqen me interes nga publiku ata duhet shpjeguar ndryshe. Dhe ndoshta orvatja për shpjegim dhe interpretim duhet të nisë nga përhapja e madhe në ligjërimin e përditshëm e batutave nga këta filma, të cilat i ndesh sot e kësaj dite në gojën e të gjithëve: që nga kryeministri dhe deputetët në Parlament, te komentaxhinjtë e portaleve, opinionistët në TV dhe në shtyp dhe të gjithë ata që shkruajnë dhe flasin për publikun; deri atje sa këto batuta të jenë kodifikuar tashmë, duke marrë statusin e proverbave. Çfarë nuk është rastësi as kuriozitet, përkundrazi; sepse këtu do të gjendet edhe kyçi i shpjegimit që kërkojmë, sa kohë që proverbat njihen mirë, si dukuri karakteristike të kulturës orale, ku dija eksperienciale qarkullon dhe transmetohet me thënie poetike të kristalizuara dhe lapidare, të cilat vijnë në gojën e kujtdo si citime; ose si pranime sado të heshtura të faktit se bëhet fjalë për thënie të shqiptuara më parë, nga një palë e tretë ose tjetri, dhe që e marrin fuqinë dhe autoritetin sa nga kuptimi shpesh moral që përcjellin, aq edhe ngaqë janë ruajtur si të tilla në rrjedhë të kohës (e kanë thënë një fjalë të vjetrit)”, shprehet ai.

Ilir Muharremi, në një shkrim të tij më të gjatë në këtë temë, është shprehur: “Kinemaja e asaj kohe qe propaganduese, lënduese, shumë fyese, depërtonte deri në cenimin e lirive njerëzore, por edhe shtetërore. Ky ton komunist proklamonte rrënimin e vlerave estetike në dobi të atyre propagandistike. Atëherë, pse duhet ndaluar, nuk duhet rregulluar, ose përmirësuar, por shpjeguar ana regjisoriale që dergjej në propagandë. Apo t’i shpjegohej brezave të ri ky lloj i propagandës, ose të niset një film për xhirimin e filmave komunistë, të krijohet një kinema brenda kinemasë. Këta filma transmetojnë çdo gjë të asaj kohe veçanërisht absurditetin e regjimit dhe nuk duhet të ndalohen sepse as nuk rrezikon shikuesin e tashëm e as atë të së ardhmes. Edhe nëse ndalohen nuk mund të hiqen nga Youtube, prapë do të shikohen”