Aromat dhe muzika janë elementet kryesore për të na i sjellë kujtimet

Kultura April 17, 2017 - 11:25

Fustankuqja Getoarbë Mulliqi-Bojaj

Një rrëfim unik ju sjell këtë javë në rubrikën “Rrëfej përmes muzikës” të gazetës “Zëri” skenaristja Getoarbë Mulliqi-Bojaj. Një rrëfim që nis me këngën e fëmijërisë së saj, “Fustankuqja”, e mbaron me këngën e së bijës,  “Shape of you”.

Është e bukur fustankuqe 

Këngën “Është e bukur fustankuqe” as edhe një herë të vetme nuk e kam dëgjuar në versionin e saj origjinal, e mbase edhe tekstin nuk e kam të saktë, mirëpo kjo është kënga e parë të cilën e kujtoj me shumë dashuri; është kënga të cilën ma ka kënduar mami. Përpos dashurisë që e transmetonte mami, unë sa herë që vishja ndonjë fustan nëpër kokë ia kam kënduar vetes këtë këngë. Madje ka pas edhe raste kur kam dashtë të quhem “Kaltrina”, shkaku i personazhit të këngës. Tash që jam shtatzënë edhe vetë e gjej veten duke ia kënduar vajzës sime këngën që ma këndonte mua mami dikur, e që me dashurinë më të madhe do t’ia dorëzoja stafetën që t’ia këndojë edhe mbesës. Fundja, mua përpos këngës edhe zëri i mamit më sillet nëpër kokë.

Strangers In The Night

Këngët që quhen “evergreen” janë këngët që më japin shumë emocion. Sidomos nëse janë të kënduara nga Frank Sinatra dhe Julie London. Mirëpo, jo shumë kohë më parë, mbase edhe e kam identifikuar lidhjen time me këto këngë. Në xhirimin të cilin e kemi ende, të ditës kur mua më kanë sjellë nga spitali në shtëpi, e që isha vetëm 3-4 ditësh, në sfond dëgjohej kënga “Strangers in the night”. Jo për nga teksti tashmë, sa për nga kujtimi që mbanë në të, kjo këngë mbase edhe është ndër më të preferuarat e mia.

Feeling Good – Michael Buble

Edhe pse nuk jam shumë bestyte, me kalimin e kohës kam krijuar përshtypjen që kjo këngë është ogurmirë, gjegjësisht sa herë që jam në prag të fillimit të diçkaje të re.

L.O.V.E – Michael Buble

Kam lexuar një thënie ku thuhet se “Aromat dhe muzika janë elementet kryesore për të na i sjellë kujtimet”, e është pikërisht kjo këngë e cila nuk do reshtja së dëgjuari as edhe për 700 vite; e jo vetëm këto 7 sa jam me Robertin. Kam përshtypjen që as vetë prezenca e Robertit nuk sjell kujtimet më të bukura, sa vetë kjo këngë. Bëj shaka!!! Mirëpo, vërtetë e ka fuqinë si këngë, tekst, interpretim të më bëjë t’i ndjej fluturat në bark – aq sa, jo rrallë më duket që nuk është e gjatë mjaftueshëm.

Kaçurrelat – Frederik Ndoci

Edhe pse këngë që i dedikohet “dashurisë në çift”, unë nuk ndodh ta dëgjoj e të mos ma kujtojë babin. Është kënga e jonë dhe më së shumti e preferojmë kur fillon vetë në radio, e nuk e kemi përgatitë në listën e këngëve. Ndoshta ndikim kishte shija e babit dhe duke dashtë aq shumë me t’i ngjaj atij, kam filluar edhe disa këngë të tij të preferuara t’i kthej në të miat të preferuara. KAÇURRELAT është kënga e jonë...

Empty Chairs In Empty Tables – Les Miserables

Unë dhe Albburoni, vëllau i madh kemi vetëm 2 vite diferencë. Andaj edhe po aq gjëra sa na bashkojnë, aq edhe na ndajnë. Mirëpo arti është pika jonë me e fortë e përbashkët. Tash ai një kameraman  e unë skenariste, filmat preferojmë me i pa bashkë, përpos Les Miserables që e kemi pa ndarazi, sepse ai ishte ne Shkup në studime dhe OSCARS po afrohej, andaj nuk mund të prisnim. Për çudi, kur u takuam dhe filluam të flasim për filmin, kjo ishte dromca jonë e preferuar, pra “EMPTY CHAIRS IN EMPTY TABLES”.

Beso në diell – ODA

Roku shqip, ndodh që të jetë ndër më të preferuarit e mij. E nëse në shtëpi jeton me rokerë, s’ke se si mos ta duash grupin ODA. Por kjo këngë përpos muzikës e testit për mua ka shumë vlerë, sepse Joni (vëllai i vogël) ka mësuar ta  ekzekutojë ne kitarë melodinë, për të më befasuar mua.

Dance Me To The End Of Love – Leonard Cohen

Nëpërmjet metaforave të këtij teksti kuptohet edhe fuqia e dashurisë, apo edhe ajo thënia klishe “nuk gjej fjalët e duhura” E pikërisht me këtë këngë kam gjetur shumë fjalë që nuk kam ditë t’i “shqiptoj”, forma se si e sjellë dashurinë, deri tek fëmijët që po presin të lindin..Për çudi kjo këngë ka arritur të më mësoj se nuk ka fjalë të vogla e të mëdha.

High By The Beach – Lana Del Rey

Çuditërisht jam njoftuar vonë me ketë këngë të Lanas, mirëpo ka mbërri të rrëmbehem shumë shpejtë.. Edhe pse jo këngë verore, për dashuriçkat e plazhit, arrin secilin moment në bregdet me ma sjellë parasysh sikur me shirit filmik. Kjo këngë ma kujton edhe Yin – Yangun, s’e di pse!

Shape Of You – Ed Sheeran

SHAPE OF YOU ka kuptim të madh për mua. Sa herë që po e dëgjoj në mendje ma sjell vetëm Evën, vajzën të cilën po e presim unë dhe Roberti. Loja me fjalë, interpretimi dhe mbi të gjitha muzika, përpos mua edhe Evën e kanë bërë të lëvizë dhe vepron njëjtë sa herë që e dëgjon këtë këngë. Është qesharake sepse sipas studimeve që kam përcjellë unë kam dëgjuar muzikë klasike, sepse mesa duket ajo e zhvillon trurin e bebit në bark, por  Evës po ia zhvillon muskujt kënga “Shape Of You”. Sigurisht që kjo këngë ka me mbet kënga e Evës, Robertit dhe e imja... përndryshe, nuk e shoh e dëgjoj ashtu si është. Hiç pjesët intime, unë bash e dashuruar ende pa e pa Evën, jam në të!