Promovohet 'Heshtja që flet' e Arjana Gucatit

Kultura April 15, 2017 - 08:53

Është promovuar libri me poezi i poetes së re nga Drenica, Arjana Gucati, “Heshtja që flet”. Ky është libri i katërt i Arjanes, pas “Kurorë lirie” (2012), “Më falë, nënë” (2012) dhe “Vargu i shpirtit tim” (2014), shkruan sot, gazeta Zeri.

Në promovim mori pjesë edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi. Shkrimtarë, publicistë dhe adhurues të fjalës së shkruar e vlerësuan lartë librin “Heshtja që flet”. Publicisti dhe shkrimtari Riza Grajçevci, tha se guximi, dija, dashuria ishin dhe janë frymëzimet boshte, me të cilat, siç tha ai “Arjana qëndisi vargjet poetike, me të cilat ndërtoi dhe i dha krahë mesazhit aq të zëshëm e aq të dobishëm për brezin e poetes”.

“Duke shtegtuar nëpër tri udhë: guximin, dijen, dashurinë, Arjana Gucati mbledh frymëzim gjithandej kopshteve të jetës, i vargëzon dhe i bën krahoshë vargjet poetike, rimat, metaforat, mesazhet, aq me kujdes dhe kursyer nga shabllonizmi .kornizë, duke bërë me dije me vargje poetike të fuqishme, të qartë, të rrjedhshme, jo vetëm njerëzimin e globit, po sikur bën me dije të qartë edhe fillim shekullin”, vlerësoi Grajçevci.

Ndërkaq, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK, Nasim Haradinaj, u përqendrua tek poezia me vetëm katër vargje “Rrënjët”, për të cilën tha se me tri vargje, Arjana ka treguar se për katër shekujt. “Bota harroi mu mbajtur për rrënjë, ra në fund të pusit, degët tallen me njerëzimin...”, janë katër vargjet e poezisë “Rrënjët”, të cilat i vlerësoi shumë lartë Haradinaj.

Në anën tjetër, autorja e librit “Heshtja që flet”, Arjana Gucati, premtoi adhuruesit e librit se së shpejti do të vije me libra të tjerë.

Në fund të promovimit, poetja Arjana Gucati gjithë botimin, 300 libra ia dhuroi Bibliotekës Komunale në Skenderaj.