Filmi për Freddie Mercury-n premierë në 2018-ën

Kultura April 15, 2017 - 08:52

Filmi biografik për këngëtarin legjendar nga grupi “Queen”, Freddie Mercury, duket se më në fund do të finalizohet, shkruan sot, gazeta Zeri.

Ky projekt i shumë përfolur do të jetë premierë vitin e ardhshëm, në 2018-ën. Kështu ka bërë të ditur gjatë një interviste për Daily Star, Brian May.

Ai tha se ka shumë mundësi që grupi “Queen” të rikthehet në skenë e të interpretojë sërish, por kësaj radhe me Adam Lambert në rolin e këngëtarit.

“Do të kalojmë pjesën më të madhe të turit në Shtetet e Bashkuara”, theksoi Brian May.

Regjia e filmit për muzikantin Mercury, që po të ishte gjallë  këtë vit do t’i mbushte 70 vjet, i është besuar Bryan Singer.

Për rolin e këngëtarit kanë qenë në listë aktorë të ndryshëm të njohur, mes të cilëve Sacha Baron Cohen, që e la pas një serie të gjatë mosmarrëveshjesh me vetë May, edhe Daniel Radcliffe, që më pas hoqi dorë sepse nuk ishte i përshtatshëm për rolin.

Më në fund, nëntorin e kaluar u lajmërua se aktori që do të luante rolin e Freddie është Rami Malek, i njohur nga publiku në serinë Mr Robot.

Këngëtari britanik me prejardhje iraniane, emri i vërtetë i të cilit ishte Farrokh Bulsara, ndërroi jetë në vitin 1991 në moshë 45-vjeçare, si pasojë e komplikimeve të AIDS-it, ndërsa i vetmi njeri që e di se ku është varrosur hiri i tij, është e fejuara Mary Austin, pasi Freddie nuk dëshironte që njerëzit ta dinin varrin e tij.

Freddie Mercury në fakt është dhe këngëtari i parë i përmasave mitike që humbi jetën për shkak të HIV/AIDS. Që nga ajo kohë, sëmundja e SIDA-s u vu edhe njëherë në qendër të vëmendjes në median botërore. Pak muaj pas vdekjes së Mercury, Brian May, Roger Taylor dhe menaxheri i grupit “Queen”, Jim Beach, themeluan fondacionin “Mercury Phoenix Trust” për ndërgjegjësimin ndaj sëmundjes së HIV/AIDS.

Në vitin 2008 “Rolling Stone” e vendosi Freddie Mercury-in në vendin e 18-të të klasifikimit të 100 këngëtarëve më të mirë të të gjitha kohërave. Vetëm një vit më pas “Classic Rock” i dhuroi vendin e parë midis yjeve më të mirë të rrokut të të gjitha kohërave.